E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallati i Drejtësisë në bulevard, qeveria e bashkia, gati investimi

TIRANE- Bashkia e Tiranës është e vendosur ta ndërtojë pallatin e Drejtësisë, brenda mandatit të parë të zotit Basha, ndërkohë që tashmë është siguruar edhe fondi për këtë qëllim.

Sipas Kryeministrit Berisha projekti po merr tërësisht formë, duke qenë se Ministria e Drejtësisë, në bashkëpunim me komisionin e planifikimit të strategjive dhe me Bashkinë e Tiranës, kanë përcaktuar edhe truallin, i cili vendoset në trajektoren e bulevardit të ri. Fondi për ndërtimin e pallatit të Drejtësisë u sigurua nga një ndihmë e akorduar ndaj Qeverisë Shqiptare dhe nga Komisioni Evropian. "Bashkia është e vendosur ta ndërtojë pallatin e Drejtësisë brenda mandatit të parë të zotit Basha. Qytetarët e presin atë dhe unë jam i bindur se Tirana, qyteti që ka një nga bulevardet më të bukura në Europë, do të ketë dyfishimin e tij në mos dhe më tutje, një nga ndërtesat e reja buzë bulevardit, i cili do të jetë pallati i Drejtësisë", shpjegoi Kryeministri.

Sipas kreut të Qeverisë pallati është konceptuar si një kompleks ndërtesash, për Gjykatën e Lartë, për Prokurorinë e Përgjithshme, për Gjykatën e Tiranës, për Gjykatën Kushtetuese, do të mund të bëhet fjalë realisht për një qytezë më shumë se sa një pallat të Drejtësisë, ç'ka është shumë e domosdoshme për funksionimin e saj. Për realizimin e bulevardit të ri kryetari i Bashkisë Lulzim Basha foli që pak ditë pas zgjedhjes si kryebashkiak. Sipas tij flitet për një aks, i cili do zgjatet nga stacioni i trenit deri në Paskuqan.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›