Komisioni i Ekonomisë shqyrtoi dje nen për nen buxhetin e shtetit për vitin 2012
Transportet, vend të rëndësishëm, investimet në infrastrukturë
Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi dje në mbrëmje, buxhetin e vitit 2012 për Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit. Zëvendësministri i MPPT-së, Ernest Noka theksoi se “MPPT vazhdon të përfitojë pjesën më të madhe të fondeve të parashikuara për investime publike”. Sipas tij, për vitin 2012 do të përfitojë 38.5 miliardë lekë ose rreth 55.2 për qind të totalit të investimeve publike. “Në buxhetin e vitit 2012 parashikohet që 32.7 për qind e investimeve publike të jenë investime me financim të brendshëm. Në të njëjtën kohë, ajo zë edhe pjesën më të madhe të financimit të huaj (rreth 61.12 për qind të totalit) kryesisht me projekte për ndërtim rrugësh”, theksoi Noka. Këto fonde, sipas Nokës, do të shërbejnë për ndërtimin dhe rehabilitimin e 80 km rrugë të rrjetit kombëtar, sistemim asfaltim dhe riveshje të 27 km rrugë, si dhe përmirësimin e gjendjes së infrastrukturës hekurudhore. Ndër të tjera, Noka theksoi se gjatë vitit që vjen do të bëhet i mundur edhe përfundimi i ndërtimit të vend depozitimit për mbetjet e ngurta në Qarkun e Shkodrës, i cili do t’i shërbejë një popullsie prej 250.000 banorësh. “Zgjerimi dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve të furnizimit me ujë nëpërmjet mbulimit me rrjet ujësjellësi në zonat urbane në 92 për qind, të totalit të popullsisë dhe në zonat rurale në 64 për qind është një tjetër objektiv”, tha Noka. Deputetët e opozitës akuzuan MPPT-në për ritëm të ulët të punimeve në akset kryesore rrugore. Ata theksuan gjatë debatit se, një pjesë e madhe e akseve rrugore, si Levan-Vlorë, Plepa-Rrogozhinë, ende nuk janë mbyllur pavarësisht se në kontratat e tyre duhet të kishin përfunduar. Në këtë drejtim, zëvendësministri Noka informoi deputetët se këto akse rrugore janë parashikuar të mbyllen vitin që vjen.
...