Kryesia i rrëzon paketën, Blushi: Nuk do kandidoj për kryetarNga Tema Paketa me propozimet e Ben Blushit për ndryshime në statutin e PS nuk do të diskutohet në Kongres. Kështu ka vendosur mbrëmë Kryesia e Partisë Socialiste. Pas mbledhjes s
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kryesia i rrëzon paketën, Blushi: Nuk do kandidoj për kryetarNga TemaPaketa me propozimet e Ben Blushit për ndryshime në statutin e PS nuk do të diskutohet në Kongres. Kështu ka vendosur mbrëmë Kryesia e Partisë Socialiste. Pas mbledhjes së Kryesisë Ben Blushi ka deklaruar para medieve se nuk do të kandidojë për postin e kryetarit të PS, ndërsa kandidati tjetër i mundshëm për këtë post, Arben Malaj, është shprehur se gara është ende e hapur, pa përcaktuar nëse ai do të vazhdojë në qëndrimin e tij për të hyrë në garë me kryetarin aktual të PS, Edi Rama, për postin e kryetarit të PS.
Kryesia ka vendosur që Kongresi i 29 gushtit do të jetë i hapur për mediet gjatë prezantimit të raportit për atë që socialistët e quajnë krimi elektoral dhe gjatë prezantimit të platformave të kandidatëve për kryetarë të PS. Më pas ai do të jetë i mbyllur.
Për më shumë se pesë orë dy grupet në Kryesinë e PS kanë zhvilluar një debat mjaft të ashpër mes tyre, deri në atë pikë sa janë dëgjuar në oborrin e selisë së kësaj partie. Edi Rama dhe mbështetësit e tyre në Kryesinë e PS kanë rezistuar deri në fund të debatit duke kundërshtuar pikë për pikë të gjitha propozimet dhe pretendimet e Blushit, Malajt dhe mbështetësve të tyre në Kryesinë e PS. Debati është përqendruar te çështja e njohjes ose jo të zgjedhjeve të 28 qershorit. Edi Rama dhe mbështetësit e tij kanë deklaruar se zgjedhjet e 28 qershorit nuk do të njihen nga PS dhe se grupi parlamentar i PS nuk do të hyjë në parlament. Ndërsa Ben Blushi dhe Arben Malaj bashkë me mbështetësit e tyre në Kryesinë e PS kanë argumentuar të kundërtën duke theksuar se duhen njohur zgjedhjet dhe se mosnjohja e zgjedhjeve nga ana e Ramës ka të bëjë me tendencën e këtij të fundit për t’iu larguar përgjegjësive për humbjen.
Pas debatit, Ben Blushi ka argumentuar qëndrimet e veta duke sulmuar ashpër kryetarin aktual të PS, Edi Rama, pasi Kryesia kishte rrëzuar paketën me propozime të tij. Blushi u shpreh pas mbledhjes së kryesisë së PS se Rama po imponohet me shumicë kartonësh, duke theksuar gjithashtu se tashmë nuk bëhet më fjalë për një garë, por thjesht për një votëbesim të kryetarit. “Ky është një mandat dyvjeçar. Nuk do të jem kandidat, por një votues i thjeshtë si 60 mijë anëtarët e thjeshtë të PS”, - u shpreh Blushi.
Në mbledhjen e djeshme, Ben Blushi kërkoi gjithashtu përfshirjen në rendin e ditës të ndryshimeve në statut, por edhe publikimin e listës së 1500 kandidatëve në faqen zyrtare të PS dhe të bëhet verifikimi i tyre.
Mbledhja e Kryesisë u kërkua dje nga Ben Blushi, Arben Malaj dhe gjashtë anëtarë të tjerë të saj.
“Në zbatim të nenit 27 të statutit, sipas të cilit “Kryesia e PSSH mblidhet jo me rrallë se një herë në muaj”, në kushtet kur Kryesia e PSSH nuk është mbledhur për një kohë të gjatë pas zgjedhjeve të 28 qershorit, në prag të Kongresit të Jashtëzakonshëm,
si dhe në kushtet kur mandati i kryetarit të PSSH është ndërprerë, e vlerësojmë të nevojshme thirrjen e Kryesisë për të diskutuar këto çështje: Thirrjen dhe organizimin e Grupit Parlamentar në prag të hapjes së sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë, përfshirjen në rendin e ditës së Kongresit të disa ndryshimeve në Statutin e PSSH, përgatitjen dhe administrimin e Kongresit, garantimin e transparencës gjatë ditës së Kongresit, diskutime për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të PSSH”, - thuhej në letrën që ishte firmosur nga anëtarët e Kryesisë dhe Sekretariatit, Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani, Sajmira Pino, Eva Allushi, Mimoza Hafizi e Edlira Haxhiymeri.
Blushi: Do të shkojmë në një Kongres me dyer të mbyllura
Çfarë vendosi Kryesia e PS?
Fatkeqësisht Kryesia nuk iu përgjigj thirrjes që ne i bëmë për një proces transparent, për një Kongres të hapur, që me sa duket do të jetë i mbyllur. Ky është vendimi i pashkruar që mori Kryesia e PS, duke përsëritur Asamblenë e para disa kohëve, ku anëtarëve të Asamblesë, Kongresit, u hiqet e drejta për të folur përpara publikut, për të faktuar qoftë edhe për atë, për të cilën pretendohet se ka pasur vjedhje në zona të caktuara. Ne i kërkuam Kryesisë që delegatët të lihen të shprehen të lirë edhe për të faktuar këtë gjë, për të paraqitur opsione të ndryshme për sa i takon zgjedhjeve. Që do të thotë që do të shkojmë në Kongres me dyer të mbyllura, ku publiku nuk do të ketë mundësi të shohë se si funksion PS dhe se si në PS ka njerëz që mendojnë ndryshe. Sigurisht, kishim dhe kërkesa të tjera për sa i takon mënyrës së organizimit të procesit zgjedhor në parti, i cili që sot ka disa elementë, të cilët duhen marrë në konsideratë. Po shkojmë në një Kongres me dyer të mbyllura, që nuk premton ndonjë gjë të madhe për të ardhmen e PS.
Ka pasur debate me tone të larta. Çfarë ndodhi gjatë mbledhjes?
Natyrisht që kjo mbledhje s’mund të ishte shumë e lumtur. Ne vijmë nga një humbje elektorale dhe ky tension nuk mund të mos ndihet në mbledhjet dhe debatet tona. Çështja për të cilën ndahemi është se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e 28 qershorit. Kemi humbur për arsyet tona apo thjesht ka pasur manipulime elektorale, besoj që të dyja duhen marrë në konsideratë. Ka një palë që mendon se gjithçka ka funksionuar shumë mirë, lideri, koalicionet. Ka njerëz që mendojnë se, ku hyj unë dhe zoti Malaj, PS duhet të hyjë në një proces vetëkorrigjimi. ǒështë më e rënda është fakti që ne kemi propozuar disa ndryshime në statut dhe këto u rrëzuan nga Kryesia. Kryesia vendosi praktikisht që Kongresi s’duhet t’i marrë në konsideratë ndryshimet në Statut, kjo konsiderohej një gjë e parakohshme. Ne iu kthyem vitit 2005 në fakt, që është përgjithësisht bindës. Në 2005 kishim këtë emergjencë. Kongresi i PS u thirr për të zgjedhur kryetarin e vet dhe mori në konsideratë disa nevoja për ndryshime statutore. Këtij Kongresi kjo gjë do t’i mohet. Ne kishim vendosur që t’i propozonim Kongresit disa ndryshime që e bëjnë partinë më demokratike, më transparente, i japin më shumë fuqi forumeve dhe bazës, e decentralizojnë realisht. Kjo gjë do t’i mohet. Ne i kërkuam që Kongresit t’i lihet autonomi për të vendosur me votë, nëse i do apo jo këto ndryshime statutore. Kongresi, me sa duket, do të zhvishet nga mundësia për të vendosur me votë të lirë, nëse do apo nuk do që statuti i PS të ndryshojë me këtë rast. Sigurisht që ndodhi një teknologji e vjetër e Partisë së Punës, që, kur nuk do të zgjidhësh një problem, ngri një komision. Edhe këtu u hodh ideja që duhet të ngrihet një komision, i cili mund të marrë në konsideratë këto ndryshime apo ndryshime të tjera. Besoj që PS përgjithësisht po vonohet, kjo për arsye personale të Edi Ramës, i cili do të krijojë një alibi që i ka fituar zgjedhjet, që në fakt kjo nuk ka ndodhur, ne jemi në opozitë. Alibitë personale po marrin peng PS. Shpresoj që kjo alibi të mos kthehet në një psikozë alibie apo më gjerë se kaq.
Do kandidoni për kreun e PS?
Në fakt unë kisha vendosur që ta thosha në Kongres raportin tim me garën e pritshme në PS, edhe për shkak të këtij debati që pati në Kryesi, për shkak se Kryesia ishte përgjithësisht refuzuese dhe nuk garanton një PS, e cila reflekton me përgjegjësi, për shkak se dua të zhgënjej të gjithë ata që më kanë paragjykuar apo për të gjithë ata që mendojnë se unë flas për karrierë apo se flas se dua të kandidoj për kryetar të PS, për shkak se, me sa duket, ndryshimet që propozova apo që propozuam në statut, të cilat synonin një arkitekturë tjetër në PS, të cilat po refuzohen dhe me sa duket po refuzohen në mënyrë kokëfortë. Për shkak se ky kontekst është ai që po duket, i zymtë përgjithësisht. Për shkak se PS, me sa duket, po imponon me shumicë kartonësh një mendim që nuk e mbajti për zgjedhjet e 28 qershorit. Për shkak se PS me imponim nga lart nuk po gjen kurajë dhe aftësi për t’u korrigjuar dhe për t’u futur në një fazë të re të një opozite, e cila e shikon Shqipërinë me realizëm. Me sa duket nuk do të kemi një garë, por do të kemi një votëbesim të kryetarit në detyrë të PS dhe për një arsye tjetër, që ia vlen të jetë e fundit, për shkak se konkurrohet në fakt për një mandat të ndërprerë dyvjeçar dhe çdo kandidat, përjashto Edi Ramën, është e pamundur që të ketë një filozofi drejtimi për një mandat dyvjeçar. Konkurrohet vetëm për mandatin e ndërprerë, për tepricën e këtij mandati. Unë në këto zgjedhje kam vendosur të mos jem kandidat. Do të jem një votues i thjeshtë si 60 mijë anëtarë të PS.
Do të mbështesni zotin Malaj?
Është shpejt për të folur. Pa dyshim, unë nuk mund të votoj për atë që i ka humbur këto zgjedhje.
Pavarësisht kësaj, ndryshon sjellja juaj në Kuvend nga shtatori?
Absolutisht jo. Unë dhe të gjithë kolegët e mi nuk duam të jemi në pozitën e atyre që kryqëzohen. Ky Kongres nuk mblidhet për të gjetur armiq brenda PS. Për fat të keq, Kongresi po devijon pak, po devijon, se po shigjetohen njerëz që mendojnë ndryshe brenda PS. Në fakt, Kongresi duhet të mblidhet për arsye të tjera. Kongresi duhet të mblidhet për të zgjidhur e para të vërtetën e këtyre zgjedhjeve, cilat janë arsyet që jemi në opozitë dhe e dyta lidhet për të hapur një rrugë të re të PS. Kështu që, sigurisht që unë hyj tek ata që kam vendosur të mbetëm në PS për çdo kusht dhe për çdo arsye. Nuk kam ndërmend të thyej asnjë vendim që merr shumica, pavarësisht se në disa raste nuk jam dakord, siç po ndodh sot.