E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta bën kurban partinë Nga Denis DyrnjajaPushteti të ha kokën, kështu thuhej qëmoti. Rastet që kjo thënie është provuar janë me dhjetëra. Më i freskëti po ravijëzohet këto ditë. Qeverisë së re Berisha-Meta do t’i duhet një kurban për mbarësi dhe s

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Meta bën kurban partinë Nga Denis Dyrnjaja

Pushteti të ha kokën, kështu thuhej qëmoti. Rastet që kjo thënie është provuar janë me dhjetëra. Më i freskëti po ravijëzohet këto ditë.

Qeverisë së re Berisha-Meta do t’i duhet një kurban për mbarësi dhe s’doli një, por më shumë. Pesë eksponentët kryesorë, themelues të LSI, po bëhen kokë turku vetëm që Ilir Meta të mos e lërë banketin e pushtetit që i ka shtruar Berisha. Ai po i pozicionon ata përmes ushtarëve të tij në parti, si kundërshtarë të akteve politike që kanë vendosur forumet dhe si kundërshtarë të një marrëveshjeje politike që sipas Metës prodhon stabilitet në vend e për më keq po tenton t’u veshë veladonin e mercenarëve të Edi Ramës. Në tezën e gatuar në zyrat e LSI thuhet se 5 rebelët nuk janë të tillë për shkaqe parimore, por sepse nuk janë parashikuar të jenë prezent në qeverinë e re. Por, edhe nëse do t’i shkohej pas kësaj logjike, e drejta sërish do të ishte me ta. Një individ hyn në politikë për të kapur dhe konsumuar pushtetin. Joshja ndaj tij nuk është monopol vetëm për disa e për ca të tjerë mbetet vetëm teori. Të gjithë janë pragmatistë në këtë drejtim, të gjithë e dëshirojnë dhe e lakmojnë pushtetin. Në këtë këndvështrim, bashkëpunëtorët e Ilir Metës (tashmë kundërshtarë), nuk po kërkojnë asgjë më shumë nga misioni për të cilin janë në politikë. Por problemi ndoshta qëndron diku tjetër dhe konkretisht te vendimi i nxituar i Metës për t’i thënë po Berishës pa bërë mirë llogaritë ose më saktë duke i bërë llogaritë vetëm për vete dhe shërbëtorët partiakë që ka brenda trastës së tij. Të tjerët le të ngopen me faktin se tashmë LSI mundi të kthehet në pushtet, po se në ç’mënyrë, me ç’përfaqësim e ç’moral, pak rëndësi ka. Në këtë pikë, grupit rebel që kundërshton martesën qeverisëse me PD, duket se i ka leverdisur më shumë ideja e bashkëqeverisjes brenda së majtës me PS, sepse shpresat për të patur më shume qasje pushteti do të ishin më të mëdha nga sa japin buzëqeshjet hipokrite të kryeministrit Berisha ndaj Metës dhe LSI. Por problemi që na ka shoqëruar e do të na shoqërojë kush e di dhe për sa kohë është kompleksi i madh që kanë protagonistët e politikës në Shqipëri, që të gjithë e shohin veten si liderë të lindur, kryetarë partish, kryeministra e presidentë të vendit. Ky është dhe handikapi që së shpejti do të kemi një qeveri të djathtë me patericë të majtë. Meta pranoi të bëhej vasal i Berishës në qeverisje, sesa të pranonte Edi Ramën kryeministër e të ndante pushtetin me socialistët. Vetëm për shkak të unit dhe jo integrimit të shpejtë të vendit në BE apo stabilitetit politik e dokrrave të tilla, Ilir Meta i tha po një oferte politike, që brenda riskut të saj ka edhe faturën e shkatërrimit të partisë, jo si emër, por si vlerë. Kurban më të mirë se kaq Berisha s’do të gjente për qeverinë që do të kryesojë për 4 vitet e ardhshme në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›