PD: PS udhëhiqet nga pinjollët e Bllokut.
Një replikë edhe për festat. Në një kohë kur kreu socialist Edi Rama ka zgjedhur qytetin e Lezhës për të kujtuar 19 vjetorin e themelimit të PS, Partia Demokratike nuk ka munguar të jetë prezent në këtë ditë edhe pse sipas mënyrës së saj. Kështu, zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, e cilësoi Ramën si një bllokmen “junior” dhe kërkoi nga socialistët t’u japin fund tentativave për të penguar integrimin. “PS-ja të gjejë forcat për t’u shkëputur sa më shpejt nga trashëgimia totalitare. Edi Rama kremtoi në lokalin e “Rrenave” në Lezhë përvjetorin e ndërrimit të emrit të partisë së tij nga Partia e Punës në Partia Socialiste”, tha Mëhilli. Ajo e ka cilësuar ekipin drejtues të PS si një trashëgimtare e pjesës më të keqe të Diktaturës, duke iu referuar mjaft mbiemrave, të cilët përfliten prej kohësh nga selia blu në një kontekst që të kujton vitet ’90. “PS-ja udhëhiqet nga pinjollët e bllokut, të cilët kanë rikthyer nëpërmjet mediave të tyre propagandën e shëmtuar të shpifjeve, trillimeve, mashtrimeve dhe terrorit mediatik”, tha Mëhilli. Ndërkohë, përveç Lezhës, Rama ka qenë edhe në Shkodër, ku ka vijuar turin e tij falënderues në bazë. Në takimin e zhvilluar me socialistët e këtij qyteti, ai ka bërë të qartë se PS nuk heq dorë nga transparenca dhe se mosrealizimi i saj do të riciklojë protestat.
#