E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryesuesit e panjohur të një gare të ethshme

Jeta ngërthen plot garues, por më i çmenduri i tyre është pasunari i brenda një nate. Zjarrmia e etheve të parasë përvlon kudo njëlloj, por aty ku shpërfillen rregullat, loja bëhet as në dritë e as në terr, që fituesit as të mos njihen e as të mos shpallen. është krejt e kundërta e hijeshisë: e bukura duket e shenjohet, i pasuri është e nuk dihet. Ende ndër ne gjallon mendësia sipas thënies, “paratë dhe gjynahet nuk rrëfehen”. Eshtë për t’u sjellë në spikamë që, vetëm paratë dhe gjynahet, sepse gjithçka tjetër, kryhet para kamerave biologjike - syve njerëzorë, dhe para syve teknologjikë - kamerave televizive. Të gjithë i dinë emrat e vajzave fituese të kurorës së bukurisë. Të gjithë i dinë emrat e fituesve të këngës më të bukur. Të gjithë i dinë emrat e shkrimtarëve të krijimeve më të arrira. Të gjithë i dinë emrat e lojtarëve të skuadrës fituese. Por nuk dihet se cilët janë më të pasurit e Shqipërisë, sa para kanë vënë dhe çfarë kompanie zotërojnë. Syri ynë ka mundësi të tejshohë deri fituesin e çmimit Nobel e më të pasurin Nr. 1 të botës, të mësojmë si e ka vënë pasurinë, na rrëfehet çfarë filozofie e udhëheq dhe dimë rreth zakoneve jetësore të tij, siç ta zemë, më i pasuri i Japonisë, edhe në moshën 90 vjeç, shkonte në zyrën e vet, në qendër të Tokios, fiks në orën 7, ndërsa në mesditë çpështillte mbi tavolinën e punës fletën e aluminit të drekës së marrë me vete, për të mos harruar mënyrën e drekimit kur ai ishte në rrugën e vështirë të pasurimit. Dimë, gjithashtu, edhe për më të pasurit e Europës. Por na mbyllen sytë për të mos parë afër: nuk dimë cilët janë më të kamurit e Ballkanit, sidomos s’dimë hiçfare për më të pasurit e Shqipërisë. Thuhen e përsëriten pyetje, por statistika nuk bëzan. Bubullijnë lajmet për të vrarët, asnjë lajm s’shkruhet për më të pasurit. I vdekuri nuk e ndalon dot lajmsin, pasunari e vërtit gazetarinë si t’i duhet.Më të guximshmit e shoqërisë të të barabartëve në varfëri, patën boll kohë për t’u bërë ajka e pasanikëve të sotëm. Gjatë një vizite zyrtare, si drejtor i Televizionit Shqiptar, në telekompaninë shtetërore ruse Ostankino të Moskës, në mars të vitit 1993,  e dëgjoja Vladimir Kamenskij të kompanisë panruse të transmetimeve radiotelevizive, tek shante mbarë e mbrapsht e të thosh që, profesorë të mëdhenj merrnin rroga lipsari, kurse ca biznesmenë rioshë 25 -30 vjeçarë, buzëqumësht e të pashkollë, gjumi i mbrëmjes i zuri me dy rubla në xhep, mëngjezi i zbardhi milionerë. Revista e njohur “Forbes” ka njoftuar për 25 më të pasurit e Europës, nga të cilët 12 janë nga Rusia. Listën e prin Oleg Deripaska i kompanisë “Basic Element”, i cili zotëron 28 miliardë dollarë, dhe e mbyll Iskander Mahmudov i kompanisë “UGMK-Holding”, që ka 11.9 miliardë dollarë. Edhe një e dhënë tjetër: Rusia ka 87 miliarderë, që së bashku zotërojnë një pasuri prej 471.4 miliardë dollarë. Në Rusinë e problemeve të mëdha të demokracisë, gjithësesi, janë shpallur më pasanikët, njëri pas tjetrit në radhë, sipas pasurisë: Oleg Deripaska, Roman Abramoviç, Aleksei Mordashov, Mihail Fridman, Vladimir Lisin, Mihail Prohorov, Suleiman Kerimov, German Khan, Vagit Alkperov, Alain dhe Gerard Werthmeimer, Dmitri Riboloviev dhe Iskander Mahmudov. Por, ne nuk dimë emrin e të 1-rit, të 25-tit  a të 87-tit më të pasur të Shqipërisë, miliardat apo milionat që ata kanë, kompanitë që zotërojnë, imtësira nga jeta e tyre, sjelljen sipas traditës së prapambetur apo e luksit të shfrenuar. Disa media tona janë bërë më shumë se limonatë duke sajuar VIP-a koti, kopje të shpifura VIP-ash botërorë, që nuk shpërfaqin kurrfarë ideshë e para kanë aq sa kanë. Por asnjë fjalë e lajm nuk pipëtinë, si kredhje mbytëse, për ata që janë VIP-a shqiptarë të parasë. Kjo nuk përbën çudi, përderisa ka njerëz që marrin rroga të habitshme për nivelin ekonomik të shoqërisë sonë dhe për arësye fiskale rrëfehen fatura rrogash të barazuara me ato publike. Mendja të shkon se, ka diçka të rëndësishme që më të pasurit e Shqipërisë, edhe pse në garë të krisurish pasurimi, nuk ndjehen të shpërfillur e të nënvlerësuar pse nuk shpallet cili prej tyre është 1-shi apo i 10-ti. Duhet të jetë edhe arsye frike, sepse e dimë që, asnjë bukuroshe, këngëtar a sportist nuk e ka gjetur gjë, duke u shpallur i kreut, por dihen emra VIP-ash financiarë që janë ndarë tragjikisht nga pasuria e vënë shpejt dhe po aq vetëtimthi për të mos e gëzuar kurrë më. Sidoqoftë, njerëzit më të pasur të Shqipërisë frymojnë, ata zotërojnë kompani, punësojnë njerëz, derdhin të ardhura për shtetin përmes detyrimesh ligjore dhe, si të tillë, nuk janë vetëm të pasur, por përbëjnë një pasuri të çmuar të vendit. Kjo garë e gjatë dhe e ashpër njezetëvjeçare, e ka kohën, në mos është vonë, të njoftojë, cilët janë më të pasurit dhe si ata i ndërrojnë vendet vit pas viti në listë, mbi bazën e suksesit apo të dështimit. Kjo lojë, vërtetë e ethshme, le të nxirret në dritë të diellit dhe, siç më bukuroshes së emocionuar deri në lot, i vihet kurora mbi krye, edhe më pasunarët duhet të shpallen, çfarë vendi zënë mes konkurrencës së egër, në ekonominë e tregut të lirë....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›