E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarët e Dhomave të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës: Shqipëria, shembull për integrimin euro-atlantik

Kryeministri Berisha gjatë vizitës në Bosnje-Hercegovinë u prit në një takim nga kryetari i Parlamentit Beriz Belkiç, nënkryetari, Niko Lozançiç dhe kryetari i Dhomës së Popullit, Ilia Filipoviç

Pasi i uruan mirëseardhjen Kryeministrit Berisha ata u shprehën të kënaqur për rezultatet e shkëlqyera që ka arritur Shqipëria, rezultate të cilat ata thanë se i kishin konstatuar gjatë vizitës së tyre në Tiranë vitin e kaluar.   
“Marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera, kemi bërë një punë ndërinstitucionale, e cila ka dhënë fryte  dhe kooperimi parlamentar ka qenë i vazhdueshëm dhe shumë pozitiv”, u shprehën kryetarët e Dhomave të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës.
Ata përgëzuan kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në Samitin e ardhshëm të Prillit, duke e vlerësuar këtë si një ditë të madhe për Shqipërinë. Kryetarët e Dhomave të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës u shprehën se Shqipëria përbën një shembull për Bosnje-Hercegovinën në rrugën e saj të integrimit.    

“Dëshirojmë të ndjekim rrugën tuaj drejt integrimit, të shpejtojmë hapat në këtë rrugë dhe e shohim si shumë të vlefshme eksperiencën tuaj. Diplomacia parlamentare luan një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet tona”, u shprehën ata duke nënvizuar se vizitat e ndërsjella kanë dhënë rezultate pozitive. 

Jemi shumë të kënaqur, nënvizuan më tej kryetarët e Dhomave të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës,  që kemi nënshkruar marrëveshje shumë të rëndësishme, të cilat do t`u japin vrull marrëdhënieve tona dhe këto përbëjnë një bazë për nënshkrimin  e marrëveshjeve të tjera në fusha të ndryshme si ekonomia, bashkëpunimi në fushën e sigurisë, në arsim etj. Ata i dërguan përshëndetje të ngrohta kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha tha se ishte shumë i nderuar për këtë vizitë në Bosnje-Hercegovinë dhe për këtë takim me kryetarët e Dhomave të Parlamentit të këtij vendi mik. 
“Është një fakt shumë pozitiv që në dy vitet e fundit kemi patur marrëdhënie politike shumë të mira, më të mirat e 18 viteve të fundit. Unë jam i bindur se marrëdhëniet midis institucioneve kanë qenë një faktor i rëndësishëm për këtë. Jemi vende mike dhe ka shumë hapësirë për bashkëpunim mes dy vendeve tona. Marrëveshjet që nënshkruam do t`i bëjnë vendet tona më të sigurta në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe do të jenë shtysë për marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës”, u shpreh Kryeministri. 

Gjithashtu Kryeministri i konsideroi si shumë të rëndësishme marrëdhëniet ndërparlamentar, duke vlerësuar se kontributi i diplomacisë parlamentare është shumë pozitiv.
“Vendi juaj ka bërë progres të madh.  Dy vendet tona mbahen të forta megjithë krizën e thellë që ka përfshirë ekonominë botërore. Në kohë krize ekonomike vendet tona po ecin mirë dhe janë dy nga vendet që do të ruajnë rritjen ekonomike. Në këtë kontekst zhvillimi i marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe më gjerë në rajon është shumë i rëndësishëm”, u shpreh Kryeministri Berisha gjatë takimit me krerët e Dhomave të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës.

 
Ekonomitë e dy vendeve tona, vijoi Kryeministri, janë ekonomi jo financiare, por ekonomi reale prandaj ne po përballojmë efektet e krizës në sajë të politikave që kemi vendosur.

Ne, tha Kryeministri, jemi një vend që po ndërton një infrastrukturë të re, një vend që ka mbi 400 km vijë bregdetare të pashfrytëzuar, kemi një potencial turistik shumë të madh dhe ky është potenciali ku mund të investojnë sipërmarrësit e Bosnje-Hercegovinës .

“ Pas dy javësh ne do të bëhemi anëtarë të NATO-s dhe mbështesim  progresin tuaj në integrimin euroatlantik”, u shpreh më tej Kryeministri gjatë këtij takimi. 


24/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›