E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i AAK, Haradinaj: Shtetbërja ka ngecur

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në opozitë, Ramush Haradinaj në një intervistë për BBC, thotë se në dy vjet të funksionimit si shtet, Kosova i ka shkaktuar vetes disa humbje. Ai ka vlerësuar se shtetbërja ka ngecur për shkak të siç është shprehur cilësisë së keqe të qeverisjes. Mendoj se sa i përket cilësisë së qeverisjes, shtetbërjes, kemi qenë të dobët. Flasim për legjislacionin, ka munguar roli dhe funksionet e Parlamentit në një demokraci që

 janë shumë të nevojshme për ta ruajtur ekuilibrin në vend. Qeverisja ka qenë kryesisht e fokusuar në pozicionin e njerëzve lojal dhe jo të ekspertizës, të njerëzve të zotë që mund të kryejnë përgjegjësitë e caktuara, deri në shkallën e sjelljes në qeverisje të shërbimit informativ të Partisë Demokratike të Kosovës, SHIK nëpër vendet kyçe, do të thotë dyfishimin e pozicioneve, dyfishimin e përgjegjësive, krijimin e lidhjeve të shkurtra në sistem. Kjo ka ndodhur edhe në sistemin e drejtësisë dhe sistemin e rendit. Kësisoj shtetbërja, sistemi i shtetit është dëmtuar dukshëm në besim dhe është dëmtuar në funksionet e veta, u shpreh ai. Ndër të tjera, Haradinaj tha se njohja e pavarësisë së Kosovës ka ngecur në mungesë të angazhimit serioz të diplomacisë kosovare, ndërsa si arritjen më të madhe në këto dy vjet të funksionimit shtet ka veçuar integrimin e serbëve në pjesën qendrore të vendit. Mendoj se në këtë rast lajm i mirë për Kosovën ka qenë pozicioni ynë, i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka mundur ti rezistojë një kontrolli të tillë dhe ka mundur të zhvillojë funksionin e një opozite, por jo në kushte të zakonshme, në kushte të lehta. Për këtë arsye ka ardhur edhe deri te tendosjet do të thosha mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe qeverisë së vendit dhe kryeministrit Thaçi, pikërisht për faktin se kemi arritur që të mos hyjmë nën kontrollin e qeverisë së vendit, vijoi Haradinaj. Përsa i përket 65 njohjeve që vijnë nga shtete të rëndësishme, kreu i AAK, u shpreh se pikërisht këto njohje kanë qenë në një mënyrë edhe të garantuara para pavarësisë. Ai veçon se me arritjen e pavarësisë, politika vendore, diplomacia, ka munguar për ti dhënë një dinamikë të duhur, ku më konkretisht sipas tij i ka lejuar Serbisë që ta marrë iniciativën dhe ka munguar iniciativa nga ana e Kosovës. Kësisoj ne kemi ngecur me 65 vende, shkojmë me vonesë në shumë procese. Kur kemi parasysh suksesin për Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, mos të harrojmë se ne ende nuk jemi anëtarë të federatave sportive botërore e lëre me të organizatave serioze, që synojmë të jemi anëtarë të OKB, shtoi Haradinaj. Si sfidë për vitet e ardhshme, ai veçoi ndërprerjen e praktikave të deritashme qeverisëse që e largojnë Kosovën nga praktikat e avancuara qeverisëse. Sipas tij, ndërprerja e këtyre praktikave është e nevojshme menjëherë, veçanërisht ndërprerja e korrupsionit, që po i shkakton një plagë të rëndë vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›