Topalli uron homologun kosovar për dyvjetorin e pavarësisë
Me rastin e dyvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli i ka dërguar një mesazh urimi Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. Në këtë mesazh kryetarja Topalli ka përcjellë urimet e saj për gjithë popullin e Kosovës, qeverinë dhe institucionet e saj të pavarura, për dyvjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më lejoni me këtë rast të përcjell urimet më të mira, në emrin tim dhe të Kuvendit të Shqipërisë,
për këtë ditë të madhe të ngadhënjimit të vlerave të lirisë dhe demokracisë, aq shumë të dëshiruara nga shqiptarët në shekuj. Në këtë dyvjetor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, populli kosovar dhe ne të gjithë ndihemi krenarë për historinë tuaj të suksesit dhe të arritjeve drejt forcimit të institucioneve dhe shtetit ligjor në Kosovë. Kosova sot është më e sigurt dhe faktor shumë i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes në rajon, thuhet në mesazhin e urimit. Ndër të tjera, kryetarja Topalli ka shprehur bindjen e plotë se njohja e mëtejshme e pavarësisë së Kosovës do të jetë prioritet i axhendës së saj i Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
Last Updated on E Merkure, 17 Shkurt 2010 21:25