E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i Bundestagut gjerman, Lamert: Rritja ekonomike e Shqipërisë, inkurajuese për investimet e huaja – gjermania mbështet integrimin

09-02-2012 / Leonard Quku

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pritet në takim nga Kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lamert


Kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lamert priti sot në zyrën e tij delegacionin parlamentar shqiptar të kryesuar nga Jozefina Topalli. Kjo vizitë, tha ai, shihet nga ne edhe si prelud me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit tuaj, Shqipërisë që koincidon edhe me 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se ndihej e nderuar, që brenda pak viteve ishte e ftuar për herë të dytë në vizitë zyrtare në Bundestagun gjerman. “Në këto 20 vjet demokraci Gjermania është kontribuesi kryesor në terma financiare, por edhe në zhvillimet demokratike të Shqipërisë”- tha ajo.


Në këto kohë krize globale dhe të krizës së eurozonës sytë e Evropës por edhe përtej kufijve europianë janë drejtuar nga Gjermania, si një vend me një zhvillim ekonomik të pandalshëm. Bashkëpunimi politik mes dy qeverive respektive si edhe mes Bundestagut dhe parlamentit shqiptar kanë arritur nivelin më të lartë të këtyre 20 viteve. Rruga jonë e reformave tha Kryetarja e Kuvendit nuk ka qenë as e thjeshtë e as e lehtë, e megjithatë ajo ka qenë përherë axhenda parlamentare. Zoti Lamert përgëzoi Shqipërinë për progresin në synimin dhe perspektivën e saj europiane. “Pavarësisht se sa kohë do të marrë dhe se sa i mundimshëm do të jetë ky proces. Gjermania dhe unë personalisht mbetemi mbështetës të këtij procesi. Sfidat përpara janë të shumta, punët që do të kryhen janë të mëdha, por është inkurajuese që ky vend ecën me rritje ekonomike të qëndrueshme dhe bën përpjekje të mëdha për të rritur prezencën e investitorëve të huaj në vendin tuaj”- u shpreh Lamert. Për ndër të zonjës Jozefina Topalli dhe delegacionit që e shoqëron atë, Presidenti gjerman i Bundestagut, zoti Lamert shtroi një darkë ku morën pjesë edhe deputetë të grupeve të ndryshme parlamentare. “Duke parë në krye të parlamentit njerëz që guxojnë dhe tregojnë përgjegjësi ndaj vendit, na bën të shohim me optimizëm të ardhmen e vendit tuaj”- tha Presidenti i Bundestagut Lamert.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›