E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcat Speciale rrethojnë komunën Blinisht

LEZHË- Pas përplasjes fizike në fshatin Fishtë, mes kandidatëve përkatësisht të PS-së Zef Hila dhe PD-se, Jak Zhuba në Komunën Blinisht të rrethit të Lezhës, pak ditë më parë, ku për pasojë dy kandidatët përfunduan në spitalin rajonal të Lezhës, situata vazhdon të jetë kritike mes palëve. Kandidati i të majtës akuzoi Zhubën se, ai sëbashku me tetë persona të tjerë, e kishin sulmuar atë duke e qëlluar me qytë pistolete, duke e dëmtuar në kokë e fytyrë. Por policia pasi mori dëshmitë e dy palëve ia përcolli dosjen prokurorisë së rrethit, e cila vazhdon t’i hetojë të dy kandidatët, si Hilën dhe Zhubën në gjendje të lirë. Që të dy kanë lënë spitalin, pas marrjes së mjekimit, ndërsa simpatizantët e të majtës por edhe të afër të Zef Hilës, janë mbledhur para komunës. Kjo ka bërë që edhe situata të jetë e nxehtë, nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme. Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit, ku u mblodhën para komunës simpatizantët e të majtës, kanë mbërritur në Blinishtë forcat e policisë së Lezhës. Rreth mesditës së ditës së djeshme, këto forca policie janë zëvendësuar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, të cilët përveçse janë vendosur përreth zyrave të komunës, ku kryetari aktual i komunës Jak Zhuba punon, por edhe është kandidat i të djathtës për mandatin e dytë. Po kështu në hyrje të Blinishtit ka forca policie, të cilët kontrollojnë mjetet që hynë apo dalin në komunën e Blinishtit. Të kontaktuar me telefon, burimet zyrtare të policisë shprehen “se policia është në detyrën e saj, për të parandaluar çdo incident të mundshëm ndërmjet qytetarëve. Nuk kemi shoqëruar asnjë njeri deri tani, sepse nuk ka pasur asnjë konflikt ditën e djeshme, por ne zbatojmë vetëm ligjin. Ne do të parandalojmë çdo situatë që ka të bëjë me shkeljen e ligjit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›