E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Tiranë, takon Topin

TIRANE- Presidenti Bamir Topi priti sot Kreun e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani. Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e një sistemi gjyqësor me institucione profesionale, të paanshme dhe të konsoliduara në pavarësinë e tyre, larg influencave politike.

Duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve tona, por dhe duke vlerësuar lart rolin e rëndësishëm ligjor dhe konstruktiv të Gjykatës Kushtetuese të Shtetit të Kosovës, Presidenti Topi, në cilësinë edhe të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u shpreh se “megjithëse Kosova është ende një shtet i ri dhe me institucione relativisht të reja, janë të dukshme përpjekjet e saj për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës”.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, siguroi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të konsolidojë bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe do të punojë akoma më shumë në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës në Kosovë.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›