Kryetari i KQZ mesazh partive politike: Nisni nga puna për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dhënë pak më parë një mesazh për partitë politike, që të nisin punën për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore. Celibashi shprehet se zgjedhjet e ardhshme vendore janë shumë afër, ndërsa shton se data 16 prill 2023 është data e parë e mundshme për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, ndërsa 14 maj 2023, data e fundit.
“Partitë politike parlamentare dakordësuan krijimin e komisionit parlamentar të posaçëm për reformën zgjedhore. KQZ sjell në kujtesë të këtyre partive domosdoshmërinë për fillimin sa më parë të punës për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Zgjedhjet e ardhshme vendore nuk janë larg. Data 16 Prill 2023 është data e parë e mundshme për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Data 14 Maj 2023 është data e fundit.
Përbërja dhe funksionimi i administratës zgjedhore, procedurat e nxjërrjes së rezultatit, financimi, ankimimet dhe sanksionet administrative, fushata në media përfshi edhe atë online, përdorimi i fondeve publike në fushatë, digjitalizimi, janë disa nga çështjet që KQZ vlerëson se duhet të marrin vëmendjen për reformim prej komisionit të posaçëm parlamentar.”, deklaroi Ilirjan Celibashi.
/rtsh.al/