Akuzat e Veliajt për bllokimin e emërimeve të ambasadorëve, Meta letër Kuvendit: Deklaratat, gënjeshtra të qëllimshme

Presidenti Ilir Meta, në një letër drejtuar zyrtarëve të lartë të shtetit, i ka cilësuar “gënjeshtra të qëllimshme”, deklaratat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj se ka bllokuar emërimin e ambasadorëve shqiptarë jashtë vendit.
Zoti Meta i’a ka dërguar letrën kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetares së Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, si dhe ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.
Kreu i shtetit shkruan se nuk ka refuzuar asnjë propozim të qeverisë për diplomatët apo bllokimin e tyre të qëllimshëm. Sipas tij, deklaratat e Veliajt janë gënjeshtra që synojnë të spostojnë vëmendjen e opinionit publik nga situata kritike në të cilën ndodhet vendi dhe të përpiqen të denigrojnë Institucionin e Presidentit të Republikës.
Zoti Meta thotë se është treguar shumë bashkëpunues dhe i përgjegjshëm duke dekretuar në kohë dhe në respekt të ligjit propozimet e kësaj qeverie për ambasadorë apo Shefa Misioni Diplomatik të Shqipërisë në vendet mike apo organizatat ndërkombëtare.
Ai thekson se ka kërkuar rinovimin e domosdoshëm të trupës sonë diplomatike. Nisur nga deklarata e Veliajt, zoti Meta i kërkon Komisonit të Jashtëm të diskutojë për shpifjet e Veliajt dhe madje t’i kërkojë llogari qeverisë për të qartësuar deklaratat e Veliajt për ambasadorët.
Meta thotë se është i gatshëm të shkojë në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë për të sqaruar të vërtetën.