E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Konferenca Rama- Scholz, kancelari gjerman: Negociatat për integrimin e Shqipërisë në BE duhet të nisin menjëherë

Kancelari gjerman Olaf Scholz, gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Berlin, u deklarua se negociatat për integrimin e Shqipërisë në BE duhet të nisin menjëherë. Ai tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, tregoi se “për demokracinë duhet të punohet çdo ditë dhe se negociatat për integrimin e Shqipërisë duhet të nisin menjëherë”. Kancelari informoi se nesër në Tiranë do të firmoset marrëveshja për njohjen reciproke të patentave mes të dy vendeve.

“Agresioni i pakuptimtë i Rusisë na bën të qartë që arritje evropiane nuk janë diçka e vetëkuptueshme. Duhet të angazhohemi çdo ditë për një jete të lirë dhe demokratike. Për këtë Gjermania angazhohet për fillimin sa më shpejt që të jetë e mundur të negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE. Falenderoj Shqipërinë për rolin e  saj ndërkombëtar. Shqipëria është një aleate konstruktive që mbështet politikat e BE-së. Nesër në Tiranë nënshkruhet marrëveshja për njohjen reciproke të patentave”, tha kancelari Scholz.

kancelari tha se dëshiron të rigjallërojë procesin e Berlinit, ndërsa shtoi se Gjermania është pranë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt BE.

“Shqipëria ka bërë hapa të mëdha. Ka krijuar struktura kundër korrupsionit. Vendet e Ballkanit përfitojnë nga bashkëpunimi rajonal dhe përshpejton afrimin me BE. Dua të rigjallëroi procesin e Berlinit. Me rendësi është tregu i përbashkët rajonal dhe zbatimi i 4 lirive bazë. Gjermania do të jetë një partnere e ngushtë e Shqipërisë drejt rrugës së BE.”, tha ai.

Ndërsa kryeministri Rama, në konferencën për shtyp me kancelarin gjerman tha se Shqipëria pret hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor.

“Ishte vërtet kënaqësi të merrja ftesën tuaj dhe të ritakoheshim pas një takimi të parë në qytetin e mrekullueshëm të Hamburgut. Jam shumë i inkurajuar nga biseda me Kancelarin, sepse gjeta një gatishmëri inkurajuese të tij dhe të Gjermanisë për të shtyrë me më shumë vendosmëri procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga përmbyshja e një faze të procesit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që shpresojmë të ndodhë në qershor. E çmojmë shumë konsideratën e qeverisë federale për progresin që ne kemi bërë, por jemi edhe të vetëdijshëm që kemi shumë për të bërë në të gjitha drejtimet. Për ne procesi i integrimit evropian nuk është një proces për të shkuar në Evropë, por për të ndërtuar një Shqipëri me standardet e BE-së, dhe këtë ia detyrojmë fëmijëve tanë. Sigurisht që ne kemi tërësisht në një linjë me Kancelarin, sikundër e gjithë BE, në raport me agresionin rus mbi Ukrainën. Ne i dënojmë njëzëri krimet mizore që po kryhen atje dhe kërkojmë armëpushim sa më të shpejtë dhe negociata sa më të vërteta që të përfundojë ky kalvar që po shkatërron jetën e miliona njerëzve, që po bën reale atë që ne mendonim se nuk do përsëritej kurrë më, një luftë në Evropë. Së treti, vlerësoj dëshirën e tij për t’i dhënë një impuls të ri Procesit të Berlinit, që e ka sot më të domosdoshëm se kurrë një përshpejtim të ri. Unë e informova Kancelarin edhe për ‘Ballkanin e hapur’ që nuk është gjë tjetër vetëm një përpjekje për ta jetësuar Procesin e Berlinit”, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›