NYT: Gërdeci, korrupsion makabër i qeverisë
Gazeta prestigjoze citon Patrick Henrin e SAC: Jemi marrë në pyetje nga FBI. Viktimat e tragjedisë, të vetmit që po paguajnë
NYT: Katastrofa e Gërdecit nuk qe thjesht një aksident
Aksidentet ndodhin. Por kur në një fabrikë, fshatarët pa eksperiencë ndajnë mijëra predha artilerie në ditë me duart e tyre, vështirë ta quash katastrofën vdekjeprurëse, thjesht një aksident. Shpërthimi që ndodhi muajin e kaluar në Gërdec, hapi një krater më shumë se 30 metra dhe vrau 26 persona. Dëshmitarët e krahasuan atë me një valë shokuese, të ngjashme me një bombë nukleare.
"Të dukej sikur fluturoje"- thotë Razije Telhai, 48 vjeç,e cila është hedhur rreth 15 metra nga forca e shpërthimit. Tani shqiptarët ngrejnë pyetjen sesi vendi, që këtë muaj mori ftesën në NATO, lejoi një fabrikë kaq të rrezikshme në afërsi të autostradës më të madhe dhe vetëm pak kilometra larg të vetmit aeroport, që u dëmtua nga shpërthimi. Ditën e premte, ish-punonjësit e fabrikës kanë filluar protestat, duke kërkuar kompensim për pagat dhe shpërblimet e prapambetura. Deri tani, ata kanë marrë secili nga 1 300 dollarë. Familjet e viktimave shprehen se qeveria nuk po bën asgjë për të siguruar familjet e tyre. "Ne nuk kemi asnjë mbrojtje, nuk ka drejtësi", – tha Gëzim Cani, 23 vjeç, i cili nxitoi të kthehej në shtëpi nga Italia, pas shpërthimit, me frikën e humbjes së të atit, por vetëm për të mësuar se edhe e ëma kishte punuar në fabrikë. Ajo nuk i kishte treguar të birit, për të mos e shqetësuar. Të dy mbetën të vrarë....
***
Në valën e tragjedisë, ministri i Mbrojtjes dha dorëheqjen, ndërkohë që kryeministri Sali Berisha është nën presion nga familjet e dëmtuara dhe nga opozita. Janë ngritur një sërë pikëpyetjesh mes shqiptarëve për qeverinë dhe korrupsionin që ka pllakosur vendin, një problem i dokumentuar prej kohësh, por ndoshta asnjëherë i ilustruar në mënyrë kaq makabre. Sipas një studimi të bërë nga një grup i ushtrisë me bazë në Gjenevë, gjatë shtatë viteve të fundit, ka patur një sërë shpërthimesh të depove në të gjithë botën. Grupi ka dokumentuar 153 të tilla, midis viteve 1995 dhe 2007 dhe sipas tyre, ndoshta ka patur edhe shumë të tjera të padokumentuara. Këto shpërthime kanë vrarë mbi 2 575 njerës. Por ajo që ndodhi në muajin mars në Shqipëri, nuk ishte thjesht një incident. Punonjësit ishin marrë në punë nga kompania e nënkontraktuar. Ata bënin çmontimin e municioneve, të cilat paketoheshin dhe shiteshin. Militarizimi me tepri gjatë kohës së diktatorit Enver Hoxha ka sjellë grumbullimin në vend të një stoku të madh municionesh. Qeveria e SHBA-së, tani një mbështetës i palëkundur i Shqipërisë, ka kthyer nderin për trupat në Irak dhe Afganistan duke financuar për shkatërrimin e këtij arsenali. Korrikun e kaluar, me një fond prej 50 milionë dollarësh, të dhëna nga SHBA,Shqipëria shkatërroi rreth 16 ton armë kimike. Por SHBA ka shpenzuar më shumë se 2 milionë dollarë për shkatërrimin e armëve të kalibrit të vogël deri në vitin 2007. Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë tha javën e fundit se se ndodhen rreth 100 000 ton municione stok në vend, nga të cilat vetëm 10% nevojiten për t'u përdorur nga forcat e armatosura.Para se të ndërtohej fabrika e Gërdecit, në Shqipëri ekzistonin dy fabrika shtetërore të ngritura për këtë qëllim por që kanë dalë jashtë përdorimit. "Ne donim që armatimet të demontoheshin shpejt dhe me fabrikat e vjetra do të duhej një kohë shumë e gjatë", – tha Gazmend Oketa, tani ministër i Mbrojtjes, në zyrën e tij të punës ku dallohet një flamur blu i NATO-s.
***
Për të përshpejtuar procesin, qeveria shqiptare kontaktoi një kompani me bazë në Karolinën e Jugut, Sothern Ammunition, e cila krijoi bashkëpunim me një kompani vendase me emrin "Albademil". Kontrata e parë midis Agjencisë shtetërore të eksportit të armëve dhe kompanisë u bë për demontimin e fishekëve 7.62 milimetër. Një kontratë tjetër e nënshkruar në dhjetor, përfshinte demontimin e municioneve më të mëdha, përfshirë dhe ato 152 milimetra. Në një mesazh me e-mail, presidenti i Southern Ammunition, Patrick Henry, bëri të ditur nënshkrimin e këtyre kontratave. Por ai tha se projekti i tyre në Gërdec kishte përfunduar në dhjetor dhe se "nuk ishte përfshirë në asnjë aspekt të procesit të demontimit të kalibrit të rëndë". Ai tha se të dyja kontratat ishin transferuar te "Albademil". Henry tha se punonjësit e kompanisë ishin marrë në pyetje nga FBI, por kompania sipas tij nuk është nën investigim, çka konfirmohet edhe nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë.
***
Hekuran dhe Zelie Kaca, prindër të një djali 4-vjeçar dhe një vajze 2-vjeçare filluan të punonin në fabrikë në shkurt. Hekuran Kaca pohoi se së bashku me të shoqen punuan në një skuadër me 4 persona, përgjegjës për të hapur arkat me municion sovjetik dhe kinez, rreth 900 të tilla në ditë dhe duke siguruar barut. Për këtë punë, secili prej tyre fitonte rreth 26 dollarë në ditë. Rreth mesditës së 15 marsit, deri atëherë një ditë tipike pune, drejtori i fabrikës i kishte thënë zotit Kaca se nuk mund të bënte pushimin e drekës, pa transportuar thasët me barut drejt kontenierëve. E ndërsa ai mori ngarkesën e parë, një shkëndijë zjarri mbërriti tek baruti përtokë, duke e ndarë nga e shoqja. "Zelie, ra zjarr. Dil shpejt jashtë",-filloi t'i bërtiste asaj, para se t'ia mbathte prej shpërthimit, të cilin ai e kuptoi se po vinte. Zoti Kaca shpresoi se e shoqja kishte shpëtuar, pasi ai nuk e arriti nga pengesa e flakëve. Zjarri u parapri nga tymi drejt qiellit, duke i dërguar banorët drejt pyllit apo bunkerëve nëntokësorë. Pa atë paralajmërim, shumë thonë se numri i të vdekurve do të ishte më i madh. Viktima më i vogël, Flavio Deliu ishte 4 vjeç, një prej 5 anëtarëve të familjes Deliu që mbetën të vrarë. Shtëpia e Deliajve ndodhej përballë fabrikës, tashmë ka mbetur e rrënuar mes predhave të artilerisë. Viktima e fundit ishte një 19-vjeçare që vdiq nga plagët, këtë muaj.
***
Tre vetë janë arrestuar, dy nga "Albademil" dhe tjetri nga Agjencia shtetërore e eksportit të armëve. Arben Prifti, avokati mbrojtës për kompaninë "Albademil" tha nëpërmjet përkthyesit se kjo kompani nuk është e përfshirë në çmontimin e municioneve. "Aktiviteti i Albademil ka të bëjë me skrapin, pasi bëhej çmontimi: - tha ai në një intervistë në zyrën e tij në Tiranë. Prifti shtoi se Southern Ammunition ishte përgjegjëse për gjithçka nga trajnimi deri te siguria për çmontimin e municioneve. Por në e-mailin e tij, Henry tha: "që prej themelimit tonë në vitin 1974, ne kemi punuar vetëm me armë të kalibrit të vogël". Kryeprokurorja Ina Rama tha në një intervistë se grupi i investigimit po kërkon fakte në Gërdec dhe është në hetim për një tregti të jashtëligjshme armësh. "Neë York Times" raportoi muajin e fundit se fishekët që demontoheshin në Shqipëri shkonin për ushtrinë afgane dhe forcat e policisë, pasi ripaketoheshin dhe u vendosej vula e origjinës. Një nënkontraktor i përfshirë në përgatitjen e municioneve për Afganistanin tha se dyshonte se paratë shkonin për zyrtarët shqiptarë. Presidenti i kompanisë që blinte municionet, Efraim E. Diveroli nga AEY Inc përmendi kryeministrin Sali Berisha dhe djalin e tij në një regjistrim telefonik. Megjithatë, nuk ka asnjë evidencë publike se aktivitetet e AEY-së janë të lidhura me shpërthimin. Opozita shqiptare vazhdon të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Berisha. "Është rruga e vetme për t'i hapur rrugë investigimit të tragjedisë së Gërdecit", – tha Valentina Leskaj, kryetare e grupit parlamentar socialist. Berisha ka hedhur poshtë çdo akuzë në drejtim të tij për përfshirje në tregtinëe municioneve nga fabrika e Gërdecit. Javën e kaluar ai tha se është gati të kalojë në votëbesim në Parlament.Të gjitha këto truke politike bëjnë të irritohen edhe më shumë të mbijetuarit nga Gërdecit. "Asnjë nuk merr përgjegjësinë për atë që ka ndodhur" – tha Kaca. Pa asnjë lajm për fatin e së shoqes, pasi kërkoi në morg dhe në spitale ai u rikthye në krater. Gjeti katër trupa në vendin ku ai punonte dikur, të gjithë të djegur dhe pa mundësi identifikimi. Analiza e ADN-së konfirmoi një javë më vonë se edhe e shoqja kishte mbetur e vrarë. "Në fund të fundit,jemi ne që po paguajmë për këtë. Jemi ne, të vetmit që e vuajmë",-përfundoi zoti Kaca.
Ende nuk ka një bilanc të qartë të dëmeve. Listat e qeverisë, plot gabime e pasaktësi
Gërdec, amulli e kaos me listat e dëmeve
TIRANË- Qeveria shqiptare njofton se listat e ndërtesave që kanë pësuar dëme nga shpërthimet në Gërdec do të jenë gati vetëm në fund të majit. Megjithëse deri më tani janë evidentuar 4400 subjekte të dëmtuara si pasojë e shërthimit të fabrikës së demontimit të armëve, listat e këtyre dëmeve janë krejtësisht të paqarta. Ka mjaftuar një gërmë e thënë gabim që banorët e fshatit Gërdec të mos përfitojnë dëmshpërblimin e premtuar nga qeveria për dëmet e pësuara ngashërthimi i fabrikës më 15 mars. Dhe në fakt, nuk bëhet fjalë për 5 apo 10 persona, por për mbi 3 mijë subjekte, qe ende nuk dihet se kur do të marrin paratë për dëmet e pësuara. Megjithëse me vendim të Këshillit të Ministrave janë përcaktuar 4400 godinasi të dëmtuara nga tragjedia e ndodhur, ende listat janë të pasakta. Burime në Bashkinë e Vorës bëjnë me dije se pasaktësia e listave qëndron në emrat e dhënë dhe jo në numrin total të subjekteve të evidentuara si të dëmtuara për shkak të shpërthimit të ndodhur. Ndërsa zëdhënësi i shtabit të emergjencës thotë se bëhet fjalë për ngatërresa ortografike apo edhe pasaktësi në deklarimin e pronësisë së subjekevetë dëmtuara. Sipas zëdhënësit, gabime të tilla janë bërë ngakomisionet e vlerësimitpër shkak të deklaratave të bërë nga vetë banorët e zonës. E ndërsa pjesa më e madhe e listës së subjekteve të dëmtuara është e pasaktë, zëdhënësithotë se është vendosur rishikimi i listës së miratuar nga qeveria. "Duke qenë se bëhet fjalë për gabime ortografike apo edhe për pasaktësi të emrave të pronave të caktuara është vendosur rishikimi i listës dhe azhornimi i saj me regjistrin e gjendjes civile. Duhet të keni parasysh se bëhet fjalë për gabime teknike, por duke qënë se ato janë miratuar me vendim të këshillit të ministrave nuk mund të bëhen ndryshime nga Bashkia e Vorës",- thotë Behar Ciku, zëdhënësi i shtabit të emergjencës. E ndërsa pohohet fakti i rishikimit të listave, ende nuk dihet një datë e përfundimit të saktë të tyre. Fundi i majit deklarohet si një afat i afërt i përpilimit të listave të sakta, ndërkohë që nuk është ky i vetmi shkakqë banorët ende nuk kanë përfituar dëmshpërblimet e premtuara. Deri më tani, sipas burimeve zyrtare, kanë përfituar dëmshpërblim rreth 1000 subjekte dhe këto kanë qenë kryesisht në ato zona periferike të kraterit të shpërthimit. L.Çela