Kryetari i LSI takon kreun e shtetit Bujar Nishani ne Presidence
Presidenti, Bujar Nishani takoi sot kryetarin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Përmes një njoftimi për shtyp nga zyra e informacionit pranë Presidencës u bë me dije se kreu i shtetit, Nishani e uroi zotin Meta për fitoren e koalicionit në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe shprehu nevojën për arritje në zbatimin praktik të programit politik, në të mire të qytetarëve të Shqipërisë dhe të procesit të integrimit evropian të vendit.
Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime për një tranzicion të butë të pushteteve dhe për një bashkëpunim të frytshëm institucional, në interes të demokracisë, funksionimit të shtetit ligjor dhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Ndërkohë që nga ana e tij, kreu Meta në përfundim të takimit të tij me Presidentin tha se të gjithë duhet ti shërbejnë përgjegjësisë së përbashkët që kërkohet për të forcuar institucionet, sundimin e ligjit në vend dhe për të nxitur funksionimin sa më efikas të të gjithë institucioneve të pavarura
“Ishte kënaqësi për t’u takuar me Presidentin e Republikës, z. Bujar Nishani dhe për të ndarë së bashku të vlerësimet tona për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mënyrë që t’i shërbejmë të gjithë asaj përgjegjësie të përbashkët që kërkohet për të forcuar institucionet, për të forcuar sundimin e ligjit në vend, për të nxitur funksionimin sa më efikas të të gjithë institucioneve të pavarura. Gjithashtu, edhe për të bashkërenduar të gjithë së bashku në funksion të përshpejtimit të reformave të cilat i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat mundësisht brenda këtij viti”, deklaroi kreu Meta.