Kryetari i PD mbledh grupin parlamentar/Erdhëm në 2005-n me një borxh publik 70 përqind, aktualisht është vetëm 50 për qind
Në një kohë kur në mbarë botën flitet për krizë të rëndë ekonomike, ekonomia shqiptare vazhdon turra vrapin e saj të zhvillimit, teksa eksportet vazhdojnë të pësojnë një rritje të paprecedentë kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij para deputetëve demokratë, deklaroi se prodhimet “Made in Albania” vetëm për muajin prill 2010-ë kapën shifrën e 7 miliard lekëve, nga vetëm 2.6 me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar. “Eksportet e prillit 2009, kanë qenë 1 milion e 114 mijë tonë të barabarta të 2.6 miliardë lekë për atë çka është “Made in Albania”, kurse në prillin 2010, këto eksperte janë rritur në 1 milion e 163 mijë tonë dhe kanë kapur vlerën 7 miliard lekë, nga 2.6 miliardë lekë. Po është e vërtetë se nga këto 7 miliardë, 2 miliardë janë energji elektrike, por është e vërtetë se edhe pa energjinë elektrike, eksportet “Made in Albania” janë dyfishuar në muajin prill. Në prill të vitit 2010, janë rieksportuar dhe materiale importi 32 mijë e 400 tonë me një vlerë prej 7.5 miliardë lekë, ndërkohë që rieksportet e vitit 2009 kanë qenë 11 mijë e 500 tonë dhe janë 5.2 miliardë lekë, pra ka një shtesë 2.3 miliard lekësh. Në 4-mujor vlera totale e eksporteve nga Shqipëria, për vitin 2010, është 48 miliard lekë; vlera totale e eksporteve nga Shqipëria për vitin 2009, në këtë 4-mujor është gjithsej rreth 30 miliardë lekë. Pra janë afro 180 milionë dollarë më shumë, janë 180 milionë dollarë prodhime më shumë, vende pune më shumë, djersë e derdhur me shumë”, u shpreh kreu i qeverisë Berisha, duke shtuar se ata të cilët bërtasin se papunësia dhe u fryjnë borive të krizë dhe borive të zisë, dua t’u them se pa diskutim krizën dhe zinë, e keni në mendjet tuaja.
“Të kesh rritje eksporti me 60-70 për qind në vlerë, krahasuar me një vit më parë, me 2009, tregon një dinamizëm, tregon një entuziazëm, tregon një punësim, tregon një besim, tregon një cilësi”, tha kryeministri.
Berisha tha se këtë periudhë ka një tregues të rëndësishëm edhe për kursimet, të cilat sipas tij, janë rritur me 13.7% në raport me kreditimin.
“Kursimet janë 718 miliardë në totalitetin e tyre në bankat e këtij vendi, ndërsa kreditë janë 450 miliardë. Në rregullin më të ndershëm dhe më klasik, ky raport duhet të jetë 0.85. Ky raport është 1.6 me sa duket. çfarë do të thotë kjo? Do të thotë që bankat shqiptare, janë ndër bankat më solidet përsa i përket likuiditetit”, theksoi kryeministri Berisha.
Porsa i takon borxhit publik, Berisha tha se në 2005-ën qeveria e tij e ka gjetur në shifrat alarmante prej 70% të GDP-së, ndërsa aktualisht renditet në shifrat e 50%-shit
“Keni dëgjuar ju që flasin për borxh me gjuhën antikapitaliste. Një gjë duhet të dini ju zotërinj: ne borxhin e kemi gjetur 70 për qind e GDP-së, e kemi sjellë në 59 për qind të GDP-së. Kjo është e vërteta absolute. Erdhëm në pushtet dhe gjetëm një borxh 70 për qind. U them këtyre antiglobalëve, pasi këta po e përdorin borxhin, njëlloj si në kohën e Enverit, se na latë me një borxh 70 për qind dhe e sollëm në kulmin e krizës me një borxh 59 për qind. Kjo është e vërteta dhe prapë do ta ulim. Kemi një inflacionin thellësisht të kontrolluar dhe leku, më duhet t’u them kësaj here, se ka qëndruar njëlloj si Skënderbeu”, deklaroi më tej, kreu i ekzekutivit, Sali Berisha.