Rama ta zgjidhë problemin me gjykatat, të pranojë propozimin e KiE
Protestat, reagon kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se kreu i opozitës, Edi Rama duhet të studiojë dhe pranojë deklaratën e dhënë nga Këshilli i Evropës, si një mundësi për zgjidhjen e ngërçit politik.
Sipas kryeministrit, ndjekja e sugjerimeve të KiE për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, për të marrë një opinion këshillues, është rruga e vetme legjitime.
“Javën që shkoi Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lëshoi një deklaratë të dytë e cila përbën bazën e shkëlqyer ligjore të zgjidhjes së kësaj çështjen. Ftoj Ramën të studiojë me vëmendje. Në KiE, Shqipëria përfaqësohet me mazhorancën e opozitën. Jam i bindur se ajo deklaratë dhe disponibiliteti që në këtë kuadër t’i jepet përgjigjeve të transparencës, është rruga e vetme legjitime”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë përsëri ftesën që Rama të jetë pjesë edhe e komisionit hetimor, organ ky, ku opozita ka shumicën dhe drejtimin i ngritur posaçërisht për transparencën e zgjedhjeve, sipas pretendimeve të palës opozitare deklaroi ai.
Grevën e urisë së deputetëve të PS-së dhe mbështetësve të saj, kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si një përpjekje të Ramës për të përmbysur vendimet e gjykatave me mjetet politike.
“Kjo është në kundërshtim të hapur me themelet e një shoqërie të lirë. Vendimet e gjykatave mund të ndryshohen vetëm në gjykatë, me asnjë mjet tjetër. Qëndroj i hapur dhe disponibël për transparencë të zgjedhjeve dhe çdo problemi që dëshiron opozita në përputhje me ligjet e Kushtetutën”, tha ai.
Kryeministri tha se greva është e paligjshme, pasi ka bllokuar rrugët. Duke iu referuar edhe një herë, grevës së opozitës, Berisha tha se garantohet çdo formë e protestës paqësore.
“Në këtë vend çdo qytetar, çdo forcë, organizatë, do ketë të garantuar lirinë e plotë për të gjitha format e protestave paqësore. Garantoj se si Kryeministër nuk humbas kurrë ndjeshmërinë njerëzore ndaj cilido që është në vuajtje. Duke shprehur keqardhjen për vendimin e dëshpëruar të zotit Rama kam porositur të gjitha institucionet që ndaj të ngujuarve të tregojnë respektin shëndetësore dhe të vendosin kontakte me drejtuesit e grevës për sigurinë e jetës së tyre”, deklaroi kryeministri.
Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve
çështja mes mazhorancës dhe opozitës nuk u zgjidh edhe më herët, kur opozita bojkotoi parlamentin, u rikthye sërish në mënyrë jo të qëndrueshme dhe tashmë ka marrë një masë ekstreme siç është ajo e grevës së urisë. Prisni ndonjë reagim më të fortë ndërkombëtar që mund t’i japë zgjidhje? Ndoshta jo vetëm nga Këshilli i Evropës, por nga Komisioni Evropian.
Unë mund t’ju them se institucionet Evropiane, Asambleja Parlamentare e OSBE-së, OSBE-ja, Komisioni Evropian, kryesia e radhës së Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës janë absolutisht në sintoni të plotë dhe nuk ka asnjë dallim në qëndrimet e tyre. Respektimi i Kushtetutës dhe transparencë duke respektuar Kushtetutën. Kjo është shumë e thjeshtë.
Vetëm pak ditë më parë ambasadori i Spanjës në Tiranë, Montobio, vendi që mban dhe presidencën e radhës së Bashkimit Evropian i kërkoi klasës politike shqiptare që brenda datës 10 maj, datë edhe kur zhvillohet Këshilli Konsultativ i Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së, të ketë zgjidhur krizën politike në vend, përndryshe vendi do të vuaj, le të themi, pasojat. Dhe në vazhdën e kësaj, kur ju ftoni zotin Rama për t’ju bashkangjitur komisionit hetimor, mbi çfarë bazash e ftoni, duke marrë parasysh kërkesën e Ramës për transparencë të plotë të zgjedhjeve me hapje të kutive.
Zoti Rama ka dy opsione. Ka opsionin e rekomanduar zyrtarisht nga Këshilli i Evropës, i cili i sugjeron zotit Rama, pasi e kanë dëgjuar me shumë vëmendje, që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe në qoftë se ajo e gjykon të arsyeshme për të kërkuan mendimin e Komisionit të Venecias. Unë e kam mbështetur plotësisht këtë dhe qeveria e ka mbështetur. Ndryshe, zoti Rama ka opsionin tjetër, pjesëmarrjen në komisionin e ngritur, ku ekziston shumica votuese e tij. Shumicë votuese, se tjetër shumicë s’mund të them.
Zoti Rama, çdo dokument që do të disponojë për cen në procesin zgjedhor dhe që mund të kërkoje hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, t’ia japë prokurorisë. Ky institucion ka tagrin e ligjor dhe Kushtetues për të hetuar çdo gjë në përputhje me kodin e procedurës penale, ndaj të cilit nuk mund të ketë kufizime. Dhe, si qeveri jam angazhuar të vë disponobël të gjithë procesin e nevojshëm për këtë proces.
Zoti Berisha, një ditë përpara protestës së 30 prillit zoti Rama deklaroi se pa transparencën e plotë të zgjedhjeve, pra pa hapjen e kutive nga Parlamenti, nuk do të ketë zgjedhje të ardhshme. Partia Socialistë nuk do të lejojë që kjo të ndodhë. Cili është komenti juaj për këtë? A po i bëni një ftesë për ta ftuar zoti Rama për tu ulu në bisedime për të gjetur gjuhën e përbashkët?
Për sa i përket zotit Rama, ju e patë, unë kalova orë të tëra me Presidentin dhe me të. Unë jam njeri i hapur gjithmonë për dialog, i hapur gjithmonë për takime. Unë, gjatë këtyre 18 viteve, me çdo kundërshtar politik timin kam nënshkruar marrëveshje. Kjo është e vërteta. Dhe, nuk gjen një artikull apo një nen të këtyre marrëveshjeve që unë të mos e kem respektuar. Kam firmosur edhe me zotin Rama. Edhe në qoftë se nuk i vumë firmat, formalisht dhamë konsensusin me gentlemen element, autorizuam bashkëpunëtorët tanë të firmosnin , dhe ato përbëjnë reformat më të mëdha që pozita dhe opozita kanë bërë. Unë nuk kam kurrë paragjykime. Kundërshtari është kundërshtar. Ai që është. Me atë do të takohesh dhe do të diskutosh. E kam faktuar. Thirri zoti Topi, iu përgjigja në tryezën e Presidentit. Më erdhi Komiteti Presidencal dhe më tha: a do të pranosh të takohesh me të? Sa herë të dojë! Unë jam i zhveshur nga çdo lloj forme paragjykimi apo koncepti armik. Gjëra të tilla nuk ekzistojnë në kokën time.
A mendoni se janë të gjitha etapat, mundësitë, për të negociuar me Partinë Socialiste, me kreun e saj, për të zgjidhur këtë ngërç që, në fakt, ka bllokuar politikën shqiptare?
Zonjë, unë nuk mund të them gjë tjetër përveç se atyre që thashë. Ky është qëndrimi im. Unë sapo u shpreha për të gjitha këto. Zoti Rama ka zgjedhur tjetër gjë. Zgjidhja e tij.
Ju deklaruat në fillim të fjalës tuaj se është e drejta e çdo qytetari të protestojë në mënyrë të lirë. Ndërkaq policia i ka kërkuar shtabit organizues të grevës të lirojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Cili është komenti juaj?
Unë mendoj se policia ka dëshmuar shkallën më të lartë të përgjegjësisë, të profesionalizmit, dhe për këtë është për t’u lavdëruar. Policia nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon nga zoti Rama as të bëjë grevë dhe as ta ndërpresë atë. Kjo nuk është punë e saj. Këtu ka diçka. Në kundërshtim flagrant me nenin 293 të Kodit Penal, zoti Rama ka bllokuar rrugën duke deklaruar se trafiku jam unë, siç e dëgjuat dje. është e vërtetë që ai është kryetar bashkie, por Kodi Penal është i detyrueshëm për të gjithë, si për kryetarët e bashkive edhe për qytetarët e tjerë. Rruga nuk bllokohet. Ndërkohë, është bllokuar një arterie kryesore e qytetit.