Ngërçi politik, Berisha: Rama ta zgjidhë problemin me gjykatat, të pranojë propozimin e KiE

Kryeministri Sali Berisha u shpreh gjatë një konference për shtyp se kreu i opozitës, Edi Rama duhet të studiojë dhe pranojë deklaratën e dhënë nga Këshilli i Evropës, si një mundësi për zgjidhjen e ngërçit politik. Sipas kryeministrit, ndjekja e sugjerimeve të KiE për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, për të marrë një opinion këshillues, është rruga e vetme legjitime. “Javën që shkoi Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lëshoi një deklaratë të dytë e cila përbën bazën e shkëlqyer ligjore të zjgidhjes së kësaj çështjen. Ftoj Ramën të studiojë me vëmendje. Në KiE, Shqipëria përfaqësohet me mazhorancën e opozitën. Jam i bindur se ajo deklaratë dhe disponibiliteti që në këtë kuadër t’i jepet përgjigjeve të transparencës, është rruga e vetme legjitime”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë përsëri ftesën që Rama të jetë pjesë edhe e komisionit hetimor, organ ky, ku opozita ka shumicën dhe drejtimin i ngritur posaçërisht për transparencën e zgjedhjeve, sipas pretendimeve të palës opoziotare deklaroi ai. Grevën e urisë së deputetëve të PS-së dhe mbështetësve të saj, kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si një përpjekje të Ramës për të përmbysur vendimet e gjykatave me mjetet politike. “Kjo është në kundërshtim të hapur me themelet e një shoqërie të lirë. Vendimet e gjykatave mund të ndryshohen vetëm në gjykatë, me asnjë mjet tjetër. Qendroj i hapur dhe disponibël për transparencë të zgjedhjeve dhe çdo problemi që dëshiron opozita në përputhje me ligjet e Kushtetutën”, tha ai. Kryeministri tha se greva është e paligjshme, pasi ka bllokuar rrugët. Duke iu referuar edhe një herë, grevës së opozitës, Berisha tha se garantohet çdo formë e protestës paqësore. “Në këtë vend çdo qytetar, çdo forcë, organizatë, do ketë të garantuar lirinë e plotë për të gjitha format e protestave paqësore. Garantoj se si Kryeministër nuk humbas kurrë ndjeshmërinë njerëzore ndaj cilido që është në vuajtje. Duke shprehur keqardhjen për vendimin e dëshpëruar të zotit Rama kam porositur të gjitha institucionet që ndaj të ngujuarve të tregojnë respektin shëndetësore dhe të vendosin kontakte me drejtuesit e grevës për sigurinë e jetës së tyre”, deklaroi kryeministri.
...