E Diel, 1 Nëntor 2026

UCK, statusi i familjeve te deshmoreve dhe invalideve, ende i pazgjidhur

Prishtinë, 08:56, NOA - 8 vite nga përfundimi i luftës, statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve ka ngelur vetëm si kartë e manipulimit dhe keqpërdorimit në zgjedhje. Njëri ndër themeluesit e SHVL-së, Daim Hiseni thekson se në vend që të risocializohen, ish-pjesëtarët e UÇK-së po ndiqen penalisht dhe terrorizohen.

Statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare po vazhdon të heshtet dhe se një pjesë e të gjithë ish-pjesëtarëve dhe veteranët e luftës e drejtojnë gishtin kah Ali Ahmeti, dikur përfaqësues politik i UÇK-së dhe sot një politikan me kollare, që disa herë premtonte e vetëm premtonte se do të mbyllte njëherë e përgjithmonë fatin e lënë padore të të gjithë atyre që u flijuan për lirinë dhe avancim të të drejtave.

Në prag të zgjedhjeve vendore dhe presidenciale, partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) deri tani nuk ka zënë në gojë përkujdesjen institucionale për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, edhe pse deri në ardhjen në pushtet ishte trumbetuar tërë kohën si një ndër prioritet kryesore.

Në vend që të risocializohen, ata po ndiqen dhe terrorizohen

Daim Hiseni, një nga themeluesit e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së theksoi se çfarë ligji për pakujdesje, kur sipas tij ish-pjestarët po ndiqen penalisht, po burgosen e terrorizohen.

“Ajo që tashmë është më tragjike se në vend që me anë të konventës ndërkombëtare t’u garantohet rehabilitim dhe risocializim, ata po ndiqen edhe penalisht, po burgosen dhe maltretohen edhe më tepër. Nga ushtarë të shkëlqyer dhe të disiplinuar të UÇK-së, shteti dhe pushteti dëshiron me çdo kusht ti nxjerrë dhe t`i quajë kriminel, terroristë dhe çfarëdo që është më e keqe në adresë dhe në emër të tyre dhe kjo na prek shumë”, ka theksuar ish-përfaqësuesi i UÇK-së.

Ai kërkon që kjo çështje të alarmohet dhe të mos heshtet, sepse sipas tij, këtë situatë e dëshirojnë strukturat maqedonase.

“Ne jemi kategorikë që kjo punë me ligj të rregullohet “ ka theksuar njëri ndër themeluesit e Shoqatës së Veteranëve të Luftës Daim Hiseni, duke vazhduar se nga BDI-ja e kanë të patjetërsuar që të kenë mbështetje morale dhe materiale.

OVL: Pas dy-tre muajve me kushtëzime përfundimtare

Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, Besim Hoda ka theksuar se tani për tani po zbehet dhe po heshtet çështja e rregullimit të statusit të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.

”Kur ata nuk ia arrijnë qëllimit ta bëjnë punën për të cilën paguhen , për të cilin kanë marrë mandatin , ata mundohen ta errësojnë apo ta zbehin duke kundërshtuar njëri-tjetrin për të gjetur fajtorin kundërshtar dhe duke mos u ndalur te problemet serioze që i kanë premtuar dhe vazhdojnë t’i premtojnë popullit” ka theksuar Hoda .

Sipas tij, kjo çështje është banalizuar skajshmërisht nga ana e strukturave shtetërore shqiptare.

“Në bazë të asaj që kemi parë deri tani kanë kaluar pesë palë zgjedhje dhe nuk është bërë asgjë, ndërsa ne tani do të fillojmë të mbështetemi në forcat tona dhe shumë shpejt brenda dy-tre muajve me kërkesa në detaje të caktuara si Organizatë e Veteranëve të Luftës do të analizojmë në detaje si do ta zgjedhim ne këtë problem që detyrimisht besojmë se do ta zgjidhim brenda këtij viti” theksoi Besim Hoda.

Ai ka kërkuar që kjo çështje të mos keqpërdoret me retorikë të rrejshme në zgjedhjet e 22 marsit, sepse dëmton rëndë familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës.

SHVL e Fazli Veliu e harruar në sirtarë

Shoqata e Veteranëve të Luftës e UÇK-së në Republikën e Maqedonisë është regjistruar më 5 maj të vitit 2002 dhe një vit më vonë është aplikuar me propozim ligj për zgjidhjen e statusit të ushtarëve. Por megjithatë deri tani kjo shoqatë aspak nuk është aktive dhe është vënë në heshtje të plotë për zgjidhjen e statusit të më të shenjtëve.

Daim Hiseni shpjegon se gjithçka është lënë në sirtarët e harresës. “Që nga ajo kohë ne i dorëzuam në vitin 2002, Gëzim Ostrenit si nënkryetar parlamenti por edhe partive politike projektin gjashtë pikësh për zgjidhjen e statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës. Pika e parë ka qenë definimi i statusit të ushtarëve”, ka theksuar Hiseni.

Kjo shoqatë fillimisht kishte mbrojtur qëndrimet e saj se ajo që ka ndodhur në 2001-shin nuk ka qenë krizë apo diçka tjetër, por ishte një luftë e armatosur mes dy subjekteve.

“Në njërën anë ishte ARM-ja ose shteti maqedon dhe në anën tjetër ishte një subjekt me uniformë , me shtab dhe me të gjitha strukturat që i takonin dhe kjo ishte UÇK-ja. Pas definimit të statusit të 2001-shit , atëherë Parlamenti me ligjet aktuale që ishin apo me sjelljen e një ligji të ri duhej të bënte dekorimin e tyre, listat, shpalljen e dëshmorëve, familjet e tyre, përkujdesjen e tyre dhe të gjitha beneficionet që u takojnë atyre”, theksoi në fund njëri nga themeluesit e SHVL-së së UÇK-së.

NOA- INA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›