E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i Parlamentit zvicerian - E admiroj progresin, hapat dhe vullnetin e Parlamentit dhe Qeverisë shqiptare.

 

Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme së fundmi si një vend që aspiron integrimin në BE dhe NATO. E admiroj progresin, hapat dhe vullnetin e parlamentit dhe qeverisë shqiptare që kanë arritur këtë rezultat dhe për vijimin në këtë rrugë për të mirën e Shqipërisë dhe Europës- tha  Kryetari i parlamentit të Zvicrës Andre Bugnon në takimin me Kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe delegacionin parlamentar që e shoqëronte.
Kryetarja e Kuvendit falënderoi zotin Bugnon për ftesën e bërë dhe për pritjen e ngrohtë dhe shumë miqësore, duke e vlerësuar si një pikënisje për një ridimensionim të bashkëpunimit mes dy parlamenteve, por edhe mes dy vendeve.
Nga ana e tij zoti Bugnon tha se ishte një nder për të, kjo vizitë e para e këtij niveli në Parlamentin e Zvicrës nga Shqipëria, vendi krenar i shqiponjave, siç e cilësoi ai.
Ka qenë një kënaqësi për mua, tha zoti Bugnon, tju takoja në konferencën parlamentare të Këshillit të Europës para pak muajsh. Fjalimi juaj në atë konferencë ishte një pasqyrim i denjë i zhvillimeve të jashtëzakonshmë të bëra në Shqipëri dhe ndihem mirë që ju jeni sot këtu.
Duke e njohur shkurtimisht zotin Bugnon me zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe me hapat konkretë në proceset integruese në BE dhe NATO, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë janë plotësisht të angazhuar dhe po punojnë fort në reforma të mëdha që po i ofrojnë shqiptarëve mirëqenie dhe vendit një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik. Po reflektojnë stabilitet në rajon, e po vlerësohen gjithnjë e më shumë nga partnerët ndërkombëtarë.

Për një vend si Shqipëria që ka përjetur një regjim të egër totalitar, tha zoti Bugnon është impresionuese ajo që paraqet sot ky vend me një ekonomi solide tregu dhe me angazhim të fortë në ecjen përpara në rrugën integruese euro-atlantike.
Duke folur për reformat legjislative të realizuara në Kuvend, veçanërisht në fushën fiskale, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se ritmet e investimeve janë treguesi më i mirë i suksesit në këtë fushë, e që bënë që Banka Botërore ta rendisë vendin tonë të dytin në botë për ritmin e reformave.
Kryetarja e Kuvendit shprehu dëshirën për ardhjen e investitorëve zviceranë në Shqipëri, por edhe të gazetarëve e turistëve, të cilët do të kënë mundësi të shohin nga afër transformimet e bëra dhe një realitet krejt të ri.
Bashkëbiseduesit u ndalën gjerësisht në projekte konkrete bashkëpunimi parlamentar.
Më tej Kryetarja e Kuvendit mori pjesë në një nga seancat e Këshillit Nacional të Zvicrës, ku Kryetari  Andre Bugnon i uroi mirëseardhjen, Kryetares së Kuvendit dhe delegacionit që e shoqëron atë.

Kryetarja e Kuvendit e ftoi zotin Bugnon për  një vizitë në Shqipëri, ftesë që u prit me kënaqësi nga Kryetari i Parlamentit zvicerian.
Një pritje shumë e veçantë ju rezervua Kryetares së Kuvendit dhe delegacionit parlamentar shqiptar nga zoti Alexander Tschapat Kryetari i Bashkisë së Bernës, një prej qyteteve nën mbrojtjen e Uneskos.
Zoti Tschapat e njohu delegacionin parlamentar shqiptar mbi administrimin lokal të Bernës, mbi nivelin e lartë të punësimit në këtë qytet që e kalon numrin e banorëve, mbi punën për mbrojtjen e mjedisit etj.
Duke i bërë përgëzimet më të mira zotit  Tschapat për gjithçka që ky qytet ofron, Kryetarja e Kuvendit evidentoi rëndësinë që ka bashkëpunimi edhe në nivel lokal mes dy vendeve.

Pas takimit zoti Tschapat shoqëroi personalishit Kryetaren e Kuvendit dhe delegacionin shqiptar, për një shëtitje në këmbë në qendrën historike të Bernës.
Gjatë vizitës së saj në Zvicër, Kryetarja e Kuvendit do të zhvillojë takime edhe me Ministrin e Mbrojtjes, Samuel Schmid, delegacionin parlamentar zviceran, kryesuar nga zonja Chiara Simoneschi-Cortesi, zv/Presidente e Këshillit Nacional si dhe një vizitë në fondacionin e mirënjohur Jean Monnet, i njohur si babai i Europës, në qendrën e arkivit më të pasur të dokumeteve të themelimit të Europës së Bashkuar.
 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›