E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon raporterët e Këshillit të Europës.

 

 
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takoi sot raporterët e Këshillit të Europës, David Uilshire dhe Jako Lakso.
 
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe për veprimtarinë e Kuvendit. të Shqipërisë.
 
Kryetarja e Kuvendit bëri një ekspoze mbi përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme, mbi bazën ligjore dhe infrastrukturore të tyre. Ajo vlerësoi frymën e konsensusit politik për miratimin e kodit elektoral dhe për zgjedhjen e organeve që do të administrojnë zgjedhjet.
 
Kryetarja e Kuvendit ftoi anëtarët e Asamblesë Parlamentare të KE-së për të monitoruar nga afër këtë proces zgjedhor dhe shprehu vullnetin e plotë se prioritet mbi të gjitha prioritetet mbetet realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
 
Më tej, Kryetarja e Kuvendit bëri një paraqitje të gjithë procesit parlamentar, të diskutimit dhe miratimit, të ligjit të lustracionit.
 
Ajo theksoi se ky ligj, pavarësisht nga historia e egër e krimeve të komunizmit në Shqipëri, është një variant edhe më i butë se në vendet anëtare të BE-së. Ky është një ligj i domosdoshëm, për tu ndarë nga e kaluara dhe për të parë me besim nga e ardhmja, theksoi ajo.
 
Kryetarja e Kuvendit garantoi se zbatimi i ligjit do të jetë transparent dhe në përmbushje të standardeve.
 
Kryetarja e Kuvendit ftoi, përmes raporterëve, Këshillin e Europës të monitorojë zbatimin e këtij ligji.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›