Kryetari i Partisë ”Aleanca Kosova e Re”, Behgjet Pacolli, uron Kryeministrin Berisha për mandatin e dytë qeverisës
Kryetari i Partisë ”Alenca Kosova e Re”, Behgjet Pacolli, ka uruar Kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike për fitoren e zgjedhjeve parlamentare. Në telegramin që z.Pacolli i ka dërguar kryeministrit Berisha, ai u shpreh:
I nderuari z.Kryeministër
Më lejoni të ju përcjell urimet e mia dhe të Partisë që unë drejtoj “Aleanca Kosova e Re”, dëshirat më të mëdha dhe më të përzemërta për fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit në Shqipëri.
Duke njohur veprimtarinë Tuaj politike dhe vlerat në të cilat është mbështetur elektorati i PD-së, besoj fuqishëm se nën udhëheqjen Tuaj, Shqipëria do të ketë garantin kushtetues për funksionimin më të mirë të shtetit, për integrimet shqiptare dhe euro-atlantike.
Shqipëria demokratike ka bërë përparime të shkëlqyeshme në rimëkëmbjen e vet pas diktaturës së gjatë komuniste. Ka ardhur koha që këto përparime të çohen më tej në të mirë të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe popullit shqiptar në përgjithësi.
I nderuari z.Kryeministër.
Kosova është tani e pavarur, presim me besim të plotë që të vazhdoni të jepni kontributin e duhur që Qeveria e Shqipërisë, ia ka dhënë e po ia jep në kontinuitet Kosovës, në përputhshmëri me institucionet e BE-së.
Shqipëria dhe Kosova, si vende të pavarura e prosperuese, do të jenë krah për krah në rrugët e integrimeve të strukturave euro-atlantike, në familjen e vlerave perëndimore, ku jetojnë natyrshëm vlerat dhe kultura jonë e vjetër.
Ju përgëzoj i nderuari Z.Berisha edhe një herë për fitoren e Partisë Tuaj, duke Ju uruar shëndet dhe punë të mbarë në shërbim të shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Pranoni i nderuari z.Kryeministër, konsideratën time më të lartë për Ju dhe popullin shqiptar në përgjithësi.
Me respekt
Behgjet Pacolli
15/07/2009