E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot, festa e parë e festimeve të shekullit të Pavarësisë

28-11-2011 / Gazeta 55

Ditën e sotme nis viti i kremtimeve për 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Me vendim të kryeministrit Berisha, periudha 28 nëntor 2011-28 nëntor 2012 është shpallur Viti i 100 vjetorit të pavarësisë. Të gjitha trojet shqiptare festojnë Ditën e Flamurit, Ditën që përbashkon të gjithë shqiptarët dhe mban gjallë ëndrrën për bashkimin e të gjithë bashkëkombasve, nën strehën e Bashkimit Evropian

Tirana heq pamjen e zisë, të trashëguar nga apatridi Rama, vesh look-un e festës – dhjetëra aktivitete festive
Këtë vit, duket qartë se kryeqyteti i Shqipërisë do ta festojë ndryshe festën kombëtare të 28 Nëntorit, festë që vitet e kaluar kishte kaluar në një zymtësi të plotë, duke mbetur peng e gjendjeve shpirtërore të kryetarit të asaj kohe. E gjithë Tirana është e zbukuruar gati për festën e pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa sot gjatë gjithë ditës do ofrojë për kryeqytetasit një larmi aktivitetesh argëtuese. Një ditë para festës së 28- Nëntorit, Bashkia e Tiranës ftoi të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e festimeve dhe aktiviteteve që janë organizuar për këtë 99 vjetor të Pavarësisë së kombit. Dita në Tiranë do të jetë e mbushur me aktivitete të shumta ku të gjithë mund të gjejnë atë që duan. Në rrugën Murat Toptani, çelet panairi “Blej Shqip”, ku do të ekspozohen dhe tregtohen produkte shqiptare. Po ashtu, Ansambli i Tiranës do të performojë valle të të gjitha krahinave përgjatë rrugës pedonale.
Fëmijët do të jenë pjesë e rëndësishme e festimeve të sotme për 28 Nëntorin.
Në parkun Rinia, trupa e cirkut do të shfaqë premierën “Thesaret e Cirkut”. Teatri Metropol, do të luajë një pjesë për vogëlushët në terren të hapur. Vogëlushët që prej kohësh ndjekin kurse artistike pranë qendrës TEN do të performojnë një kolazh këngësh, vallesh popullore, pjesë me violinë, kitarë etj. Në bashkëpunim me Liceun Artistik, do të organizohet një ekspozim pikture interaktive, me temë: “Shqipëria ime”. Aktiviteti do të shoqërohet nga Kori i Fëmijëve të liceut dhe instrumentistët e Kameratës së Tiranës.
Për herë të parë vijnë në mënyrë origjinale protagonistët e pavarësisë së Shqipërisë. Aktorët e Teatrit të Metropolit në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar, do të interpretojnë Ismail Qemalin, Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin, Murat Toptanin, Marigonë, etj. Kushdo që ka dëshirë të ketë një foto me këto personazhe, mund ta realizojë në këndin e fotografisë para galerisë së arteve.
Tek Galeria Kombëtare e Arteve do të shfaqet me aparaturë tradicionale, jo dixhitale, në ambient të hapur, filmi “Nëntori i dytë”. Atmosfera festive do të kulmojë me koncertin e madh në orën 18:00 në Sheshin Nënë Tereza, ku do të marrin pjesë këngëtarët më të njohur shqiptarë. Bashkia e Tiranës fton edhe një herë të gjithë shqiptarët të festojmë së bashku në Tiranë, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›