E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i sindikatës së minatorëve në gjyq për protestë të paligjshme

 

TIRANE – Kryetari i Shoqatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, dërgohet i pandehur në gjykatë nga Prokuroria e Tiranës. I akuzuari Xibri do të gjykohet në dhomën penale të gjykatës së kryeqytetit për akuzën e “organizimit dhe pjesëmarrjes, grumbullimet e manifestime të paligjshme”. Lajmi për procesin gjyqësor në ngarkim të kreut të shoqatës së minatorëve bëhet i ditur nga burime zyrtare të kësaj gjykate. Mësohet se çështja e Xibrit është regjistruar në gjykatë pak ditë më parë, ndërsa ende nuk është vendosur një datë se kur do të fillojë shqyrtimi gjyqësor. Kreu i shoqatës së minatorëve do të gjykohet në këtë proces në gjendje të lirë. Duke iu referuar burimeve zyrtare, pas hedhjes së shortit për gjyqtarët, shqyrtimi i kësaj çështjeje do të kryhet nga gjyqtari Kreshnik Omari. Ngjarja për të cilën Xibrit do t’i duhet të përballet me drejtësinë mori fill mesditën e 2 tetorit të vitit të kaluar. Pasi kishin disa ditë që protestonin, përfshirë edhe formën e grevës së urisë, minatorët kishin vendosur në këtë datë një protestë përpara kryesisë së kuvendit. Të grumbulluar aty, ata kërkuan plotësimin e kërkesave që i kishin parashtruar kohë më parë. Por ndërsa po kryenin një protestë, për të cilën ishte marrë leje, protestuesit janë konfrontuar me forcat e rendit. Konflikti mes protestuesve dhe uniformave blu është “ndezur” kur nga policia është kërkuar të shoqërohej kreu i shoqatës së minatorëve Fiqiri Xibri. Tentativa e policisë për të realizuar futjen e Xibrit në automjetin e policisë dhe shoqërimin e tij në komisariat është kundërshtuar nga protestuesit. Edhe në vijim, policia ka bërë përpjeke për të mos lejuar vijimin normal të protestës, ndonëse për të ishte marrë leje. Kërkesa kryesore e protestuesve ishte rritja e pagës së pensionit dhe ulja e moshës së përfitimit të tij. Sipas organit të akuzës, Xibri ka kryer veprën penale të parashikuar nga neni 262 i Kodit Penal. Duke iu referuar këtij neni, mësohet se pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm, edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.                            ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›