Myslimanët, gjykata vendos ligjshmërinë e kryetarit
TIRANE - Mbajtja e mbledhjes së kryesisë së KMSH-së dhe rikonfirmimi i kreut mysliman Selim Muça në të njëjtin post shqyrtohet sot në Gjykatën e Tiranës. Padinë që mban emrat e tetë besimtarëve të kësaj feje pritet ta shqyrtojë sot në mesditë gjykatësja Elbana Lluri, të cilës i është kërkuar fillimisht sigurimi i padisë dhe pastaj shqyrtimi i çështjes në themel. E thënë ndryshe, gjykatëses së zgjedhur nga shorti elektronik në këtë institucion, i është kërkuar që të pezullojë dokumentimin dhe pasqyrimin e veprimeve të zhvillimeve të fundit në Komunitetin Mysliman Shqiptar, derisa padia e ngritur nga tetë besimtarët e fesë islame të zgjidhet në themel të saj. Padia në ngarkim të KMSH-së, rezulton të jetë depozituar në gjykatë më datë 19 mars ndërsa ka si palë paditëse tetë besimtarët Ali Mara, Besnik Karaj, Edvin Kuçi, Fisnik Kurti, Haxhi Mesiti, Ilir Gjuzi, Ilir Hoxholli dhe Mentor Lamaj. Objekti i padisë është: “Shpallja e pavlefshme e njoftimit për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, detyrimin e kryesisë së Komunitetit Mysliman Shqiptar të caktojë një datë tjetër në përputhje me kërkesat e parashikuara në ligj dhe statut”. Ende nuk dihet nëse KMSH ka marrë njoftim për procesin, ndërsa padinë kundër këtij institucioni do ta mbrojë avokati Isuf Shehu. Mosmarrëveshjet e fundit në institucionin e myslimanëve dolën rreth dy javë më parë, kur kryesia e KMSH-së lajmëroi zhvillimin e një mbledhjeje në medresenë e Kavajës, për të zgjedhur numrin një të fesë islame në vend, për shkak të mbarimit të mandatit pesëvjeçar të Selim Muçës. Duke pretenduar shkelje të statutit dhe ligjeve fetare, besimtarët, në krah të të cilëve qëndronin edhe imamët e pjesës dërmuese të xhamive, kundërshtuan ashpër ndërsa lajmëruan protesta dhe falje masive në sheshin përballë KMSH-së. Ashtu siç ishte vendosur më parë, mbledhja e shumëpërfolur u zhvillua në Kavajë dhe me gjithë protestat e besimtarëve nga i gjithë vendi që ishin grumbulluar përpara medresesë, Selim Muça arriti të rikonfirmonte me 85 për qind të votave një mandat të dytë pesë-vjeçar. Zëra të kundërshtarëve të tij pohojnë se zgjedhja e kreut të myslimanëve është bërë nga persona që ai i ka caktuar vetë nëpër poste. fa.ma.