Kryetarja e Kuvendit: Nuk ishte hera e parë që Shkodra po përmbytej, por ishte hera e parë që një qeveri po i ndihmonte, ishte hera e parë kur Shkodra nuk u braktis."
Fjala e Kryetares së Kuvendit në seancën e jashtëzakonshme për përmbytjet në qarkun e Shkodrës.
" 2,6 miliard m³ ujë të tepërt të mbledhura vetëm në dy javë për shkak të ndryshimeve klimatike, natyra i hodhi mbi Alpet e veriun e Shqipërisë.
Global disaster center, qendra botërore studimore e fatkeqësive natyrore e cilësoi këtë si një ngjarje të shkallës së dytë të rrezikshmërisë që mund të shkaktonte 100 deri në 1000 jetë të humbura përveç të tjerave, po të thellohej më tej.
Në këtë situatë, prurjet në Fierzë nga 400 m³ në sekondë u rritën në 1600 m³ në sekondë, lumi i Kirit dhe i Gjadrit po fryhej më shumë, batica dhe shiroku nuk lejonin daljen e Bunës në det, Drini po dilte nga shtrati, e temperatura brenda 24 orëve nga minus 4 gradë C u ngrit në 16 gradë C.
Reshjet e forta me borën qe shkriu mund të rrezikonin shumë, liqeni u rrit si asnjë herë më parë.
Kryeministri i kërkoi banorëve të Shkodrës që të evakuoheshin.
Shkodra ishte rrethuar nga ujrat. Shkodra ishte në rrezik. Shkodranët kësaj radhe do kalonin një provë tjetër. Shkodra kishte nevojë për ndihmë.
Ato ditë, zona ishte gjysëm e boshatisur, nën ujë, por duke pritur që jeta e shpresa të kthehej. Jetesa e qindra banorëve ndryshoi nga ujërat e papërmbajtura
Detyra numër 1 ishte shpëtimi i jetëve. Sot, dy javë pas shpalljes së gjendjes së emergjencës. Suksesi është shpëtimi i jetëve.
Një ditë, në Dajç një banor më tha:
Unë humba shtëpinë time, humba edhe të mbjellat, por unë kam shpëtuar familjendhe prap kam besim.
Detyra numër 2, evakuimi i gjësë së gjallë. Sot pas dy javësh shumica e tyre janë të padëmtuara.
Detyra numër 3, ngritja e rrjetit të menjëhershëm i koodrinimit të mbledhjes dhe shpërndarjes së ushqimit, ujit, ilaçeve, e ushqimit të gjësë së gjallë.
Suksesi i tretë ishte shpërndarja e 400 ton ushqimeve, 200 ton koncentrat dhe ushqime për gjënë e gjallë, paisjeve shtëpiake, ilaçeve, batanije, dyshekë, etj, etj.
Mjekë infermierë, ushtarë, policë, punonjës të ndërmarrjeve veterinare e bujqësore, të bordeve, u shpërndanë në zonë.
Puna me evakuimin u bë mjaft mirë; puna për rimëkëmbjen po ecën përpara.
Zyrtarët, ministrat, specialistë të mjedisit, pushteti lokal janë në terren, pompat po punojnë papushim, ndihmat në ushqime e në pajisje vijojnë.
Ishte hera e parë që Shkodra u paralajmërua tre ditë më parë. Detyra e madhe, qëllimi i madh Shkodra të rikthehet sa më shpejt në jetën normale.
Sot qyteti është kthyer pothuajse krejt në normalitet.
Në këto 2 javë kam parë të njëjtin shpirt: forcën e zemrës e të karakterit që i mbijeton çdo fatkeqësie, besimin tek Zoti, fuqinë e shqiptarit të vendosur për të larguar dëmet e për ta ndërtuar jetën edhe më mirë.
Ishin ditë kur gjithë Shqipëria shikonte nga Shkodra. Ishin ditë kur së bashku me Shkodranët luftonim kundër kohës.
Ishin ditë kur Shkodranët grumbulluan forcat e kur vendi do çertifikonte lidershpin.
Çdo natë sillte rreziqe të reja, dhe çdo ditë kërkonte kurajo të re.
Ishin ditë kur të gjithë u bashkuam.
Ishte hera e parë kur Shkodra nuk po braktisej.
Kryetari i Qeverisë me shumicën e ministrave u instaluan aty ku kishte nevojë për ndihmë.
Shteti u çua në këmbë.
Ashtu si në historinë e vendit tonë, dhe të traditës shqiptare, humanizmi dhe solidariteti i kombit u dëshmua që në ditën e parë.
Ishte operacioni më i madh i evakuimit dhe shpëtimit ndaj fatkeqësive natyrore.
I thoja ato ditë banorëve të përmbytur: Ju duhet të dini se i gjithë Kombi ka mendjen tek Ju, por edhe në ditët e ardhshme, ne do jemi këtu.
Ne do qëndrojmë këtu sa kohë që duhet për të rikthyer jetën.
Të gjitha komunat e bashkitë e Shqipërisë, nga Tropoja në Sarandë në një aksion humanitar iu drejtuan Shkodrës për ta mbështetur. Dua ti falenderoj të gjithë nga zemra.
Biznesmenë, individë, shoqata të huaja dhe vendase, faleminderit!
Fryma e solidaritetit shkoi përtej kufijve. Shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi me mend, trup e zemër ishin në Shkodër.
Por në këtë fatkeqësi natyrore që hodhi mbi Shkodër miliarda m³ ujë, pati ndonjë që nxiti telefonata.
Ata që telefonuan ato ditë për të hapur panik, gabuan dhe gabuan rëndë kur menduan se Shkodranët bien pre e frikës e tmerrit.
Qëllimi ishte i mbrapshtë por edhe qyteti ia ktheu mbrapsht.
Ata ishin kundër frymës dhe shpirtit shqiptar.
Të gjithë atyre që pyesin për të ardhmen e Shkodrës ju them një gjë:
Shqipëria nuk mund të imagjinohet pa Shkodrën, Shkodra nuk mund të imagjinohet pa këto komuna. Dhe ato do të ringrihen përsëri.
Gjatë këtyre ditëve të fatkeqësive natyrore, që ndodh një herë në 100 vjet dikush tha se 2,6 miliard m³ ujë nuk janë nga Zoti por nga robi.
Kur e dëgjova për herë të parë thashë, është lajthitje. Kur e dëgjova herën e dytë thashë është papërgjegjësi.
Sot i them atij se ke kapërcyer të gjithë kufijtë. Je jashtë frymës, jashtë njerëzores, je jashtë racionales, je jashtë çdo morali.
Nuk dua ta them, por e kam menduar vazhdimisht se ti shpresoje atë që kërkush nuk e donte.
Ndryshimet klimatike goditën edhe Britaninë, edhe Gjermaninë, edhe Poloninë, etj. Pati edhe të humbur.
Numri i tyre vetëm në Poloni gjatë këtyre ditëve shkoi në 100. Por askush nuk tha se ishte marrëzia e pushtetit, apo farsa e Parlamentit.
Ju ftoj ju, zotërinj deputetë, por edhe ju qytetarë, të mos e kujtojmë më, ta fshijmë nga kujtesa urdhërin e tij për këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës që votuan kundër një fondi për Shkodrën.
Ajo nuk është historia jonë. Nuk është histori shqiptare. Nuk ishte njerëzore. Fshijeni nga kujtesa.
Ajo nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e Kombit tonë. Ajo ska për të ndodhur kurrë më.
Dje, Ai, me një montazh filmik i tregoi shqiptarëve hartën e zonave të përmbytura nga uji. Ngjyra e ujit nuk ishte blu, por ngjyrë e kuqe, gjaku.
Vetëm një mendje e sëmurë mund të pikturonte ashtu zonën e Shkodrës.
Ndërkohë, angazhimi ynë është: Kur fshatrat të gjithë të dalin nga uji, ato do bëhen më të bukura e më të forta nga çishin para përmbytjes.
Kur një gazetar pyeti një banor të evakuar, ai tha: Unë do ta rindërtoj shtëpinë, por do ta bëj më të lartë.
Ky është vizioni ynë për të ardhmën, në këto fshatra, në këtë qark, në gjithë Shqipërinë. Ne jo vetëm do të dëmshpërblejmë, ne do ti bëjmë më të larta shtëpitë e më të bukur jetën.
Të mbrosh shtëpitë që janë më poshtë se uji nuk është e lehtë, por ato mund dhe duhet të bëhen.
Dhe kur ti mbarojmë të gjitha këto punë, të gjithë shqiptarët do kenë edhe dicka tjetë për të cilën do jenë krenarë.
Në historinë e Kombit tonë shpesh na është kujtuar së natyra është një force e tmerrshme dhe se vetë jeta është e brishtë si gastare.
Shqiptarët nuk e kanë lënë kurrë fatin e tyre në trillet e natyrës, dhe sigurisht që nuk e lejuan as tani.
Fatkeqësia në Shkodër na rikujtoi se ka një shpresë përtej çdo dhimbje, se jemi të lidhur të gjithë si Komb, dhe se dhimbja na prek të gjithë.
Shkodranët, gjatë historisë së tyre kanë kapërcyer vuajtje të mëdha, por me dinjitet të madh. Edhe kësaj radhe treguan se as nuk ankohen, e as nuk dorëzohen.
Gjatë historisë, ato i kanë dhënë Shqipërisë dashuri, qytetërim e dije, e nuk kanë kërkuar kurrë asgjë.
Ato janë sa të pamposhtur, por aq edhe fisnikë. Të thonë fjalën e mirë edhe kur janë në ditë të këqija.
Nuk ishte hera e parë që ato po përmbyteshin, por ishte hera e parë që një qeveri po i ndihmonte. Dhe kjo i dukej e jashtëzakonshme."