Rezoluta
REZOLUTË E
KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Nr. ___, datë 18.01.2010
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i mbledhur sot në datën 18.01.2010 në një seancë të posaçme informimi dhe debati për gjendjen e emergjencës në Qarkun e Shkodrës:
- Pasi u njoh në detaje me:
1. fatkeqësinë e rëndë natyrore dhe gjendjen e emergjencës së krijuar prej saj të ditëve të fundvitit 2009 dhe ditëve të para të vitit 2010;
2. masat e marra dhe përpjekjet e bëra nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, strukturat ekzekutive dhe ato të pushtetit vendor të Qarkut Shkodër për përballimin e përmbytjes dhe normalizimin e situatës;
3. menaxhimin profesional dhe të përkushtuar të situatës hidrike në kaskadën e Drinit nga ana e strukturave të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare,
4. si dhe shembujt e çmuar të ndihmës dhe të solidaritetit njerëzor me banorët e zonave të përmbytura.
- FALËNDERON dhe shpreh mirënjohjen për qytetarët e Shkodrës dhe të NënShkodrës për kurajon dhe fisnikërinë e treguar gjatë gjithë ditëve të vështira të emergjencës së krijuar nga përmbytja.
- VLERËSON përpjekjet maksimale të Qeverisë dhe të Komitetit Nërministror për Gjendjen e Emergjencës në Shkodër, nivelin e lartë të gadishmërinë së treguar, si dhe koordinimin e shkëlqyer që kanë realizuar.
- SHPREH KONSIDERATËN për rolin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë kryetarët e njësive të qeverisjes vendore dhe anëtarët e këshillave bashkiakë dhe komunalë në qarkun e Shkodrës.
- SHPREH MIRËNJOHJEN E THELLË për ndihmën dhe kontributin e sinqertë në njerëz, pajisje dhe ndihmë monetare që kanë dhënë vendet fqinje dhe mike Italia, Franca, Austria, Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Turqia, Sllovakia, Moldavia, etj.; si dhe organizmat ndërkombëtarë NATO, Komisioni Europian, Banka Botërore, PNUD.
- FALËNDERON qytetarët shqiptarë për solidaritetin njerëzor, komunat dhe bashkitë e Shqipërisë për mbështetjen e pashembullt institucionale, deputetët e Kuvendit, nëpunësit dhe përfaqësuesit e institucioneve dhe enteve të pavarura për kontributet e çmuara, si dhe bashkësitë shqiptare në botë për ndihmën bujare.
VENDOSI:
1. Ti kërkojë Qeverisë që të angazhojë të gjitha burimet financiare dhe njerëzore të saj për kapërcimin sa më të shpejtë të të gjitha pasojave të kësaj fatkeqësie natyrore.
2. Ti kërkojë Qeverisë të ndërrmarrë të gjithë masat për vlerësimin real dhe objektiv si dhe zhdëmtimin e plotë të të gjithë qytetarëve dhe familjeve të prekuara dhe dëmtuara nga përmbytja.
3. Qeveria, ministritë dhe të gjithë agjencitë e vendit të nisim menjëherë punën për rehabilitimin e zonës së prekur, pastrimin mjedisor të saj, normalizimin sa më të shpejtë të jetës së njerëzve dhe veprimtarisë së tyre në këto zona.
4. Qeveria të përparësojë të gjitha projektet që i japin zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë parandalimit dhe për përballimin e fatkeqësive të ngjashme natyrore.