E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit në Mursi, fshati me 1200 vjet burg komunist.

 

Banorët e fshatit Mursi, në Sarandë fshati që ka përjetuar më shumë tmerret e diktaturës komuniste, me 1200 vjet burgime e internime, kishin ftuar Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli në ditën përkujtimore të burrave, grave e fëmijëve që vuajtën mizorinë e kalvaret e diktaturës.

Të mbledhur në qendër të fshatit, i cili ndodhet rreth 30 kilomentra larg Sarandës, burra, gra e fëmijë përkujtuan ditët e tmerrshme të përndjekjes komuniste që nuk kurseu askënd nga ky fshat.
Duke falënderuar për ftesën e bërë në këtë ditë të veçantë,  Kryetarja e Kuvendit tha se kjo është një ditë reflektimi, dhembjeje, krenarie.

Kjo është një ditë, në të cilën ne nderojmë ata që bënë të mundur që Shqipëria të jetë sot këtu ku është. Ne duhet ti kujtojmë shumë shpesh banorët e këtij fshati me shpirt perëndimor, që vuajtën 1200 vjet burg dhe internime. Kjo është tragjike, mizore. Ai regjim ka qenë antinjerëzor, aq i pamëshirshëm sa nuk ka pasur shok në vendet e tjera ish komuniste. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse tranzicioni ynë ka qenë i vështirë. Por ne të gjithë bashkë ndihemi mirë që po plotësojmë ëndrrën e tyre për liri. Sot ne kemi marrë ftesën për NATO, po mbyllim ratifikimin e MSA-së dhe ndoshta për pak muaj do të bëhemi anëtarë të NATO-s, të aleancës së lirisë, të asaj lirie për të cilën ata u sakrifikuan. Ndihem e nderuar që jam në fshatin tuaj, duke ndarë bashkë më ju kujtimet për të dashurit tuaj, që sakrifikuan për gjithë Shqipërinë, për gjithë shqiptarët.

I pranishëm në këtë ceremoni, deputeti Leonard Demi vlerësoi sakrificën e dhjetra banorëve të Mursit që pavarësisht persekutimit të pashembullt komunist, nuk u bënë pjesë e atij regjimi të egër totalitar duke ëndërruar e luftuar për demokracinë.

Kryetari i Komunës Xarrë, Dhimo Kote, pasi vlerësoi ardhjen e Kryetares së Kuvendit në këtë ditë të shënuar për fshatin Mursi, theksoi se investimet e bëra nga Qeveria në rrugë e infrastrukturë tregojnë për vëmendjen ndaj këtij fshati që aq shumë u persekutua nga regjimi më i egër komunist.
Më pas, së bashku me përfaqësuesit e fshatit dhe Komunës Kryetarja e Kuvendit, përuruan përmendoren me një pëllumb të bardhë mbi krye Në çdo faqe të përmendores së ngritur me iniciativën e ish-të përndjekurve dhe mbështetjen e banorëve të fshatit, janë gdhendur emra të familjeve që e kanë pësuar më rëndë, mes të cilëve edhe 7 gra të dënuara politikisht.

Në fund të vizitës së saj në Sarandë, Kryetarja e Kuvendit shtroi një drekë për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve të këtij qyteti. Duke kaluar disa momente të këndshme me ta, Kryetarja e Kuvendit drekoi dhe bisedoi me fëmijët për dëshirat dhe idetë e tyre si dhe u shpërndau disa dhurata.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›