Kryetarja e Kuvendit flet për mediat nga Harku i Bërdicës: Prurjet e Kirit dhe Gjadrit janë të larta. Menaxhimi si asnjëherë më parë. Bashkëpunimi i banorëve i domosdoshëm.
Menaxhimi i situatës është bërë me sens të tillë përgjegjësie si asnjëherë më parë. Bashkëpunimi i banorëve për evakuimin mbetet kusht i domosdoshëm që asnjërit të mos i ndodhë asgjë. Niveli i liqenit është rritur me 13 cm. Këtu vazhojnë rreshjet. Prurjet e lumit të Kirit dhe Gjadrit janë të larta . Vetëm Kiri ka prurje 500 m3 në sekondë. Edhe ujrat që vijnë nga Mali i Zi e kanë bërë shumë të lartë nivelin në liqenin të Shkodrës dhe për rrjedhojë kjo ka bërë që sipërfaqet e përmbytura të rriten, tha sot Kryetarja e Kuvendit e cila vazhdon të ndjekë orë pas ore situatën në terren. Duke folur për mediat, nga Harku i Bërdicës ajo tha se:
Së pari dua të them se rruga nacionale që lidh Tiranën me Shkodrën është e kalueshme për të gjitha mjetet. Siç e vini re, këtu vazhdojnë të vijnë makineritë e transportit me ushqime, ujë, ilaçe dhe çdo gjë u është vënë në dispozicion banorëve të zonave të përmbytura. Edhe pse në këto momete ka një lloj uljeje të nivelit të ujit në lagjet hyrëse të Shkodrës në Baçallëk, niveli i liqenit është rritur me 13 cm. Këtu vazhojnë rreshjet. Prurjet e lumit të Kirit dhe Gjadrit janë të larta. Vetëm Kiri ka prurje 500 m3 në sekondë.
Edhe ujrat që vijnë nga Mali i Zi e kanë bërë shumë të lartë nivelin në liqenin e Shkodrës dhe për rrjedhojë kjo ka bërë që sipërfaqet e përmbytura të rriten sidomos në komunën e Bushatit që është një zonë më e ulët, por edhe në Velipojë, Dajç në Gur të Zi. Unë shfrytëzoj rastin, duke u përsëritur edhe pas dhjetë ditësh banorëve të Dajcit, banorëve të Anës së Malit, Obotit, Bushatit. Velipojës, fshatrave të përmbytura por edhe lagjeve në hyrje të qytetit që ata të largohen. Një situatë e tillë nuk i dihet se sa do të zgjasë. Detyra jonë është për ti larguar këta banorë dhe kërkohet bashkëpunimi i tyre. Pa bashkëpunimin e tyre vështirësohet situata.
Siç e keni ndjekur prej ditësh të tëra, komiteti ndërministror, pothuaj të githë ministrat janë të instaluar këtu në Shkodër. Ata vazhojnë të ndjekin situatën minutë pas minute. Janë angazhuar prej ditësh në çdo fshat, në çdo zonë të përmbytur por edhe në pjesë të tjera duke iu përgjigjur çdo kërkese të banorëve
Numri i të evakuuarve është rritur por ne do të dëshironim që në këto zona të përmbytura dhe të mos kishte asnjë banor të rrezikuar dhe në mënyrë të veçantë fëmijët e të sëmurët. Ftesa është për të gjithë banorët, e përsëris bashkëpunimi i tyre me pushtetin vendor, me komitetin ndërministror, me ushtrinë, me policinë është kusht i domosdoshëm që asnjërit të mos i ndodhë asgjë.
E pyetur lidhur me zërat që thonë se ndihmat nuk po shkojnë atje ku duhet, Kryetarja e Kuvendit tha se :
Unë çdo minutë, veç të tjerash flas edhe me kryetarët e komunave, të cilët me stafin e tyre të shoqëruar nga forca të ushtrisë dhe policisë ndjekin nga afër situatën. Deri tani kanë shkuar 40 ton ushqime, ujë, si dhe ushqim edhe për gjënë e gjallë. Angazhimi shkon përtej asaj që mund të imagjinohet. Kemi si asnjëherë më parë një menazhim me sens të madh përgjegjësie dhe qendrim më afër njerëzve, në këto kushte që vijnë si shkak i ndryshimeve të klimës, dukuri që po e shohim në Greqi, Poloni, Gjermani, Britani ku ju e keni parë si është izoluar edhe aeroporti, hekurudhat etj. Këtu, për fatin tonë të mirë nuk kemi humbje në jetë dhe i gjithë vullneti dhe përqendrimi ynë është të mos lejojmë asnjë humbje jete. Ska gjë më të shtrenjtë se jeta e njeriut. Gjithçka që varet nga strukturat shtetërore është në menaxhim e sipër me përgjegjësinë më të madhe.
Nga informacioni që unë kam nga komiteti ndërministror, janë nisur helikopterë nga vendet e NATO-s. Ato do instalohen në Gjadër dhe do jenë në mbështetje të banorëve për situata të tjera që mund të lindin në këto zona, përvec varkave makinat dhe çdo mjeti tjetër logjistik që disponohet nga ushtria dhe policia.
E pyetur për vizitën në Shkodër të Kryetarit të Partisë Socialiste, Kryetarja e Kuvendit tha:
Ka njerëz në këtë vend që lindin më shpresën që të shohin vetëm morte dhe e bazojnë karrierën e tyre në to. Edhe pse ka ardhur në Shkodër pas dhjetë ditëve ai mbeti i zhgënjyer se nuk gjeti asgjë nga këto. Unë që e njoh këtë zonë dhe njoh problemet që kjo zonë ka pasur në dekada nga përmbytjet, për shkak së është e rrethuar nga uji, nuk kam parë ndonjëherë një menaxhim, vullnet politik dhe sens përgjegjësie më të madhe.