Komiteti Ndërministror i Integrimit shqyrton procesin e përgjigjes së pyetësorit të KE-së
Kryeministri theksoi se përfundimi me sukses, i dhënies përgjigje këtij pyetësori është provimi më i rëndësishëm për qeverinë dhe mbarë vendin.
U mblodh dje Komiteti Ndërministror i Integrimit mbi procesin e përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Në krye të këtij takimi, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu bëri me dije se deri më tani u janë dhënë përgjigje në total 81% e draftit të parë të pyetjeve. Pra, 2280 pyetjeve që përmban pyetësori u është dhënë deri më tani përgjigje, 1853 pyetjeve. Pas një raportimi të plotë që ministrja Bregu bëri për çdo kapitull, Kryeministri Berisha theksoi se përfundimi me sukses, i dhënies përgjigje këtij pyetësori është provimi më i rëndësishëm dhe më domethënës për qeverinë shqiptare.
Kryeministri kërkoi nga ministrat e kabinetit qeveritar, trajtimin e pyetësorit me seriozitetin më të madh, duke marrë mbi vete përgjegjësitë kryesore. “Kërkoj nga ju ta trajtoni me seriozitetin më absolut çështjen në fjalë. Kjo vërtetë është punë e specialistëve, por përgjegjësia është e jona. Zotërinj ministra, midis detyrave të shumta që keni, pyetësori është mbi të gjitha, pasi është një provim për qeverinë dhe vendin në tërësi.”08/01/2010