Kryeministri Berisha takohet në Shkodër me Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile
- Kryeministri u shpreh se duhet të identifikohen familjet që kanë strehuar banorët e zonave të përmbytura dhe të shpërndahen për ta ushqime e gjithçka kanë nevojë, me shumë mirënjohje për gjestin e tyre.
Kryeministri Berisha gjatë vizitës sot në Shkodër, zhvilloi një takim me Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile. Të pranishëm ishin edhe Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli dhe Drejtori i KESH-it Muharrem Stojku.
Në këtë takim, Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, i cili është njëkohësisht edhe Kryetar i Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, e njohu Kryeministrin me situatën aktuale dhe masat e marra. Gjithashtu, edhe Prefekti i Shkodrës Maxhid Cungu bëri një paraqitje të situatës dhe veprimeve të ndërmarra nga strukturat përkatëse për situatën. Ai bëri të ditur se në dispozicion të banorëve të ndodhur në zonat e përmbytura janë vënë numra telefoni, ku ata mund të kontaktojnë jo vetëm në rastet emergjente, por edhe në çdo moment kur atyre u nevojitet ndihmë. Po ashtu, ai tha se është ngritur një grup pune që menaxhon dhe verifikon shpërndarjen e ndihmave për banorët në nevojë dhe familjet që kanë strehuar këta banorë.
Kryeministri Berisha falënderoi të gjithë banorët e zonave të përmbytura për bashkëpunimin e madh e të çmuar që kanë treguar gjatë gjithë kësaj periudhe, për përballimin e pasojave të përmbytjes, për gjakftohtësinë dhe guximin me të cilin ata trajtuan problemin, duke ftuar sërish ata që ende nuk janë evakuuar që ta bëjnë këtë sa më parë.
Kryeministri Berisha theksoi se është shumë e rëndësishme që të gjenden mundësitë që të rikthehet në funksionim rruga e Dajçit, si një mënyrë më e shpejtë dhe e mirë për të siguruar evakuimin e banorëve që kanë mbetur. është e domosdoshme që të funksionojnë komisionet në çdo komunë, ashtu siç edhe po funksionojnë, por duhet të zgjerohen me njerëz, tha Kryeministri.
Kryeministri Berisha u shpreh se situata është tërësisht në kontroll. “Nuk them se situata nuk është e vështirë, pa diskutim që është situatë serioze, por është e tëra në kontroll në territoret e përmbytura. Digat, portat e gjithçka janë në kontroll të plotë dhe ato funksionojnë shumë shumë mirë”, theksoi kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi edhe rëndësinë e menaxhimit të ndihmave për banorët në këto zona, duke nënvizuar se duhen identifikuar edhe familjet që kanë strehuar banorët e përmbytur dhe të ndihmohen edhe ata me çdo gjë që kanë nevojë. “Autoritetet e rezervave të shtetit dhe të ndihmës, duhet të identifikojnë familjet që kanë strehuar banorët dhe të shpërndajnë për ta ushqime e gjithçka kanë nevojë, me shumë mirënjohje për gjestin e tyre””, vijoi Kryeministri.
Në fjalën e tij në këtë takim, Kryeministri u shpreh:
“Së pari, dua të përshëndes të gjithë banorët e zonave të përmbytura dhe t’i falënderoj për bashkëpunimin e madh e të çmuar që kanë treguar gjatë gjithë kësaj periudhe, për përballimin e pasojave të përmbytjes, për gjakftohtësinë dhe guximin me të cilin ata trajtuan problemin. Sërish i ftoj ata që të evakuohen një minutë e më parë. Kjo është kërkesa ime si Kryeministër, si qeveri. Por ata duhet ta dinë se sot kjo është kërkesa e çdo shqiptari. Sot, mendjet dhe zemrat e shqiptarëve janë të fokusuar tek këto familje të përmbytura. Ka një rëndësi të jashtëzakonshme që popullata, i madh e i vogël, të evakuohen. Unë insistoj sërish, sepse nivelet e ujit janë rritur dhe po rriten dhe në momente të caktuara, siç është faktuar, as fuqitë më të mëdha të botës, në situata të tilla, nuk kanë qenë të zonjat të përballen me sukses. Ndaj edhe ne duhet të përballemi me sukses, duke u tërhequr, duke u evakuuar në kohën më të parë të mundshme. Këtu duhet të jetë përqendrimi ynë total. Procesi ka ecur në bazën e mirëkuptimit dhe mbi bazën e realizimit dhe kështu duhet të ecë. Ne nuk duam të detyrohemi të largojmë njerëz me forcë nga shtëpitë e tyre, por për të shpëtuar jetën e tyre, edhe mund të detyrohemi. Ndaj kjo ka një rëndësi shumë të madhe.
Komiteti Ndërministror i Emergjencës, autoritet qeveritare vendore, komiteti i prefekturës, duhet të kenë një përqendrim të plotë e total në evakuimin e banorëve të të gjitha këtyre zonave.
Në 3-4 ditë, është katërfishuar sipërfaqja e përmbytur. Kanë qenë mbi 2 ha sipërfaqe dhe sot kemi 10 500 ha sipërfaqe të përmbytur.
Ka rëndësi shumë të madhe në qoftë se arrijmë ta rikthejmë edhe njëherë në funksionim rrugën e Dajçit dhe zvogëlimi i shkarkimit që u bë sot, është bërë me këtë qëllim. Por, nga ana tjetër, edhe ju, së bashku me ekspertë të ujërave, duhet të shqyrtoni nëse ka ndonjë mundësi që të mund ta mbrojmë më mirë këtë rrugë. Ajo rrugë është shumë e rëndësishme. Kemi në dispozicion varka dhe mund të marrim edhe të tjera, por nuk duhet të harrojmë se ndryshimi mes varkës e makinës është shumë i madh, si në manovrim, në shpejtësinë e punës e në të gjitha aspektet. Kështu që duhet të përpiqemi të rikthejmë edhe njëherë rrugën për të evakuuar ata që kanë mbetur dhe të përqendrohemi në të gjitha zonat. është e domosdoshme që të funksionojnë komisionet në çdo komunë, ashtu siç edhe po funksionojnë, por duhet të zgjerohen me njerëz.
Kemi edhe një problem të dytë. Ne vërtetë kemi hapur dhe vënë në dispozicion kapacitete të mëdha për t’i pritur banorët e evakuuar, por bujaria shqiptare, bujaria shkodrane, është e tillë që ka bërë që këta njerëz, ata i kanë strehuar në shtëpitë e tyre. Autoritetet e rezervave të shtetit dhe të ndihmës duhet të identifikojnë këto familje që kanë strehuar njerëz dhe të shpërndajnë për ta ushqime, me shumë mirënjohje, për gjestin e tyre. Ne duhet të dërgojmë me shpejtësi në çdo familje pritëse ushqime, veshje e çfarë ata kanë nevojë. Nuk duhet të mbetet asnjë familje e vetme pritëse, qoftë edhe në shenjë vlerësimi ndaj gjestit të saj, pa u ndihmuar, me ushqime, ujë, veshje e gjithçka që ata kanë nevojë.
Situata është tërësisht në kontroll. Nuk them se situata nuk është e vështirë, pa diskutim që është situatë serioze, por është e tëra në kontroll në territoret e përmbytura. Digat, portat e gjithçka janë në kontroll të plotë dhe ato funksionojnë shumë shumë mirë. Ndaj aktet e djeshme, aq të turpshme, njerëz, të cilët përhapnin panik në qytet, unë kërkoj nga organet kompetente që t’i gjejnë, t’i identifikojnë dhe le të marrin një ndëshkim shembullor.
Kjo qeveri punon në transparencë absolute. Këtu janë edhe mediat dhe them para tyre që të gjitha instancat kanë porosi që të paraqesin me vërtetësi maksimale çdo gjë dhe nuk do të mbeteshin të tjerëve që të kujdeseshin për Shkodrën, por do të ishim ne të parët që do të kujdeseshim. Në mënyrë absolute nuk ka asnjë motiv për këtë. Gjithçka në kaskadë është në kontroll të plotë dhe funksionon pa asnjë lloj defekti. Gjithçka në kaskadë funksionon sipas përcaktimeve të projekteve. Gjithë manovrimi, gjithë menaxhimi, po bëhet në përputhje të plotë me rregullat e funksionimit të kaskadës dhe në interes gjithëkombëtar. Komani ka zbritur në nivelin 172 metra dhe do të zbresë edhe më shumë, ndoshta do të zbresë në 170 metra. Ndaj nuk ka asnjë rrezik për qytetin, rreziku është zero. Këto ujëra kanë hyrë të Bahçallëk, por e vërteta është se kjo lagje, edhe pa këtë situatë, ka pasur gjithnjë probleme në këtë kohë. Në këtë aspekt, është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të shohim mundësinë e një ndërhyrjeje në lumin Bunë. Ndaj duhet të bëhen studime dhe të përcaktohet thellësia, për të parë nëse vërtet ka probleme diznivelesh në thellësi dhe në qoftë se faktohet se ka derdhje diku, për shkak të grumbullimeve të prurjeve, atëherë ne do të përgatitemi të ndërhyjmë, sepse kjo do të na lehtësojë edhe evakuimin e këtyre milionë metër kub ujë që janë në këto 10 mijë ha të përmbytur. I kam kërkuar ministrit të Jashtëm që të lidhet edhe me Malin e Zi dhe po të jetë nevoja edhe me Kroacinë dhe të marrim ndihmë, por, në qoftë se provohet që kjo ndërhyrje është e vlefshme. Unë nuk besoj se studimi është i vështirë. Duhet të bëjmë një studim ushtarak, të thirren mjetet dhe të bëhet një ndërhyrje për të lehtësuar shkarkimin e ujërave. Kjo do të jetë pozitive. Le të përgatitemi me çdo gjë për të lehtësuar situatën.
Helikopterët e ushtrisë janë në dispozicion dhe i ftoj autoritete vendore që t’i kërkojnë kur ju duhen dhe gjykojnë se në ndonjë zonë të caktuar nuk ka ndonjë mundësi tjetër evakuimi përveçse me helikopterë. është shumë pozitive që edhe vendet mike na kanë ofruar ndihmë me dhënien e barkave. Ato na duhen dhe duhet të jenë ngado. Mbrojtja Civile Italiane është e gatshme për ndihmë. Këtu është këshilltari kryesor i Kryeministrit Berluskoni për energjetikën, është njëkohësisht Kryetari i Komitetit të Digave në Itali. Ai ka ardhur i autorizuar nga Kryeministri Berluskoni për të parë të gjithë problematikën dhe natyrisht, për të parë edhe gjithë nevojat. Prandaj, për çfarë të kemi nevojë, pala italiane është e gatshme të vihet në dispozicion e të na ndihmojë. është një zgjedhje e mirë që Komiteti Ndërministror qëndron në Shkodër. Duhet të garantoni komunikimin me çdo kusht, me çdo lagje, çdo shtëpi nëse bëhet e mundur, duke siguruar mundësi apo numra kontakti me ta.
është shumë e rëndësishme prezenca e forcave të ushtrisë në këtë ndihmë. Ata kanë përballuar një punë të jashtëzakonshme dhe unë dua t’i përgëzoj dhe t’i falënderoj, se kanë qenë në lartësinë e detyrës. Po kështu, edhe këshillat dhe kryetarët e komunave, kryepleqtë, të cilët e kanë bërë natën ditë.
Krahas çështjes së evakuimit, kam merak shpërndarjen e ndihmave. Duhet që ndihmat të shpërndahen edhe në ato familje, ku kanë shkuar këta banorë. Familjeve, të cilat kanë marrë njerëz në shtëpitë e tyre, mund t’u merret numri i telefonit dhe të kontaktohen. Peshkatarët, të cilët janë vënë në dispozicion këto ditë, le të punojnë kundrejt një pagese, sepse edhe ata kanë familje. Nga ana tjetër, ata kanë eksperiencën më të madhe me ujërat dhe mund të ndihmojnë”.08/01/2010