Kryeministri Berisha: Ka një menaxhim kompetent, eficent e të vazhdueshëm të situatës
Jemi të detyruar të shkarkojmë, por, me gjithë shkarkimet që bëjmë, ne ruajmë digat. Ne do të bëjmë gjithçka që të mos kemi dëmtime dhe do t’i kompensojmë të gjitha dëmet.
Shpresoj që edhe kryetari i opozitës të vijë këtu, t’i vizitojë këto zona dhe të konstatojë se njerëzit këtu kanë bërë përpjekjet më serioze për t’u përballur sa më me eficente dhe për të përballuar sa më me dinjitet dhe kosto më të ulët një situatë fatkeqësie natyrore.
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, po inspekton zonat e përmbytura në qarkun e Shkodrës. Fillimisht, Kryeministri Berisha u ndal në lagjen Bahçallëk të Shkodrës për të parë nga afër situatën e krijuar nga përmbytjet. Kryeministri u takua me banorë dhe u bëri sërish thirrje për t’u evakuuar. Kryeministri theksoi se qeveria po e ndjek në mënyrën më intensive situatën, ka një menaxhim eficent dhe gjithçka është nën kontroll, por shkarkimi i ujërave është i domosdoshëm. “Fierza, - tha Kryeministri - ka mbi 48 orë që është nga 1100 në 1800 metër kub në sekondë. Kështu që jemi të detyruar të shkarkojmë, por, me gjithë shkarkimet që bëjmë, ne ruajmë digat. Ne do të bëjmë gjithçka që të mos kemi dëmtime dhe do t’i kompensojmë të gjitha dëmet.”
Kryeministri, duke theksuar faktin se ujërat vazhdojnë të jenë të bollshme dhe se shkarkimet e tyre janë absolutisht të imponuara nga prurjet, edhe një herë shprehu garancinë se në diga, portat dhe gjithçka tjetër janë në siguri të plotë.
“Ajo çka na mbetet neve dhe është më e rëndësishmja është të evakuojmë popullatën, të mos ketë asnjë humbje jete, por as edhe sëmundje, sepse mund ta imagjinoni të kalosh natën në janar, i rrethuar nga uji në të gjitha anët, është jashtëzakonisht kërcënuese për shëndetin e fëmijëve, të të moshuarve dhe shëndetin e të gjithë të tjerëve. Ndaj të bëjmë çdo përpjekje për evakuim. Sot ka një avancim të ujërave në Bushat e në Trush. Prandaj u bëj thirrje të gjithë banorëve të evakuohen dhe i garantoj ata se do të kenë kujdes të plotë, do kenë kompensimin e plotë për dëmet e shkaktuara nga kjo përmbytje. Mirëpo duhet të marrin vendimin e drejtë, të largohen nga uji,” apeloi Kryeministri.
Kryeministri Berisha iu përgjigj edhe interesimit të gazetarëve.
Pyetje: Si parashikohet situata në ditët në vazhdim?
Kryeministri Berisha: Situata parashikohet të jenë në kontroll dhe ne po e ndjekim atë. Janë marrë të gjitha masat dhe mund të them se edhe nivelet e liqeneve janë në kuota, të cilat e bëjnë plotësisht të kontrollueshme situatën. Por e vërteta është që na imponohet që të vazhdojmë shkarkimet, sepse është e domosdoshme që të kemi siguri të plotë në sistemin e digave. Gjithçka po funksion sipas parashikimeve, por duhet që banorët të evakuohen. Banorët e Bushatit, Trushës dhe Gurit të Zi duhet të evakuohen dhe t’i largohen për disa ditë kësaj situate, më pas të rikthehen sërish.
Pyetje: A rrezikon qyteti i Shkodrës nga kjo situatë?
Kryeministri Berisha: Lidhur me qytetin e Shkodrës, përsa u përket digave nuk ka asnjë problem, por përsa u përket ujërave, që në ndonjë rast kanë ardhur nga Kiri apo në një rast nga ndonjë tjetër, ekzistojnë probleme anësore, siç është Bahçallëku apo Ajasëm. Por Shkodra nuk do të ketë probleme madhore për shkak të digave. Ata, që dje u kanë rënë telefonatave për të ngjallur panik, janë persona jashtëzakonisht të pamoralshëm, sepse, në mënyrë absolute, nuk ka pasur dhe nuk ka vend për panik.
Pyetje: Cili është reagimi juaj lë lidhur me deklaratën e Zotit Edi Rama për menaxhimin e situatës?
Kryeministri Berisha: Unë mendoj se situata po menaxhohet në maksimumin e mundësive. Siç keni dëgjuar, është respektuar dhe po respektohet me rigorozitet rregullorja e digave. Ajo është një përcaktim madhor. Por, nga ana tjetër, ju jeni dëshmitarë dhe unë ju kam ndjekur në raportimet tuaja të përditshme se nuk keni qenë ndonjëherë vetëm, jeni gjetur gjithnjë në prani të forcave të policisë, të ushtrisë, të autoriteteve vendore. Pra, ka një menaxhim kompetent, eficent, të vazhdueshëm të situatës. Mos harroni se ka nga autoritetet vendore që punojnë deri në orën dy pas mesnatës, por edhe gjithë natën. Ju e dini se unë kam një numër të hapur telefoni dhe në të kam marrë mesazhe si ”më ndihmoni për të gjetur familjen” dhe kanë shkuar i kanë ndihmuar. Kam marrë mesazh dhe më pas kemi dëshmuar se jemi gjetur pranë tyre, por nuk kam marrë asnjë ankesë të vetme se janë braktisur dhe nuk po u vjen dikush në ndihmë. Dikush më dërgoi një mesazh nga Italia, ku më njoftonte se i kishte mbetur familja në fshatin Shtirgj. Unë u lidha me autoritetet vendore dhe më thanë se ia kishin nxjerrë nga fshati familjen. Ka një ndjekje jashtëzakonisht intensive të situatës dhe kështu do të jetë. Ju e dini që Komiteti Ndërministror ka vendosur selinë në Shkodër. Zonja Topalli dhe gjithë deputetët e Shkodrës janë ‘non stop’ këtu. Shpresoj që edhe kryetari i opozitës të vijë këtu, t’i vizitojë këto zona dhe të konstatojë se njerëzit këtu kanë bërë përpjekjet më serioze për t’u përballur sa më me eficente dhe për të përballuar sa më me dinjitet dhe kosto më të ulët një situatë fatkeqësie natyrore, sepse kjo është një situatë fatkeqësie natyrore, është një forcë madhore, e cila do të dominohet. Tani do të shqyrtojmë në perspektivë në rast se arrijmë të thellojmë diçka në derdhjen e Bunës, por për këtë nuk jam i sigurt se janë ekspertët, ata që do të flasin, vetëm e vetëm që të parapërgatitim një situatë evakuimi më të shpejtë të ujërave, ose një situatë lehtësuese.
08/01/2010