E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi apelon për më tepër solidaritet njerëzor dhe institucional për përballimin e situatës në zonat e përmbytura.

6 janar 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi vizitoi sot paradite zonat e përmbytura nga reshjet e ditëve të fundit në Ishull-Shëngjin të Lezhës, si dhe nga vërshimi i ujërave të lumit Bunë, në komunën më të dëmtuar deri tani, në Dajç të Shkodrës. I shoqëruar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade, Maksim Malaj, kryetari i komunës Dajç, Arben Gjurja, si dhe anëtarë të kabinetit të tij, Kreu i shtetit shqiptar dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, u njoh nga afër dhe në mënyrë të hollësishme me dëmet e shkatuara dhe me situatën emergjente. Presidenti u takua me krerët e pushtetit vendor dhe me banorët e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, të cilët pasi i shprehën Presidentit Topi shqetësimet e tyre, e falenderuan atë për vizitën dhe mbështetjen në këto momente tepër të vështira e të paparashikueshme të jetës së tyre.

Në qendrën e komunës Dajç, Presidenti Topi, pasi zhvilloi një takim pune me përfaqësuesit vendorë dhe të institucioneve të përfshirë në Shtabin e Emergjencës, ekspertë dhe specialistë të fushës, u shpreh përpara mediave të pranishme:

“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes dhe nëpërmjet jush dëshiroj të përshëndes dhe të inkurajoj të gjithë banorët e zonave të përmbytura! Dëshiroj të ritheksoj faktin që të gjitha strukturat shtetërore, të gjitha institucionet, edhe institucionet e pushtetit vendor janë të gjithë të sintonizuar në një shqetësim maksimal për të përballuar situatën, për ta kaluar atë me pasojat më minimale të mundshme dhe për t’iu kthyer normalitetit! Gjatë këtyre ditëve ju keni marrë informacionet e duhura dhe më shumë se kushdo tjetër, jeni ju që po e përballoni situatën. Kushtet e motit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë specifike, madje këtu ju e dini që edhe në traditën qindra vjeçare të kësaj zone, ndryshe nga zonat e tjera të territorit shqiptar, ku sipas profesionistëve sasitë mesatare vjetore të rreshjeve janë rreth një mijë milimetra, këtu shkojnë tetëqind deri në një mijë milimetra më shumë se mesatarja vjetore. Kemi pasur edhe në retrospektivë situata të ngjashme, por sot jemi në një moment kur duhet të flasim për aktualitetin. E kemi ndjekur me shumë shqetësim situatën dhe vazhdojmë ta ndjekim, por gjëja më e rëndësishme është që duke e ditur dhe duke e parashikuar edhe mbi bazën e mjeteve të informacionit meteorologjik, por edhe mbi bazën atyre që thonë profesionistët dhe institucionet ku duhen parë gjërat në mënyrë thelbësore, integrale, pra çështja e rreshjeve, çështja e përmbytjeve por edhe çështja e reagimit të digave. Kjo kërkon patjetër një lloj mirëkuptimi. Situata të tilla emergjente kanë nevojë për një motivim të të gjithëve pa përjashtim, por kërkojnë patjetër edhe maturi dhe qetësi. Situata emergjencash nuk mund të kalohen me panik. Situata emergjencash, me një ndërgjegjësim të të gjithëve dhe me një bashkëveprim për t’i kapërcyer dhe natyrisht që do të kalojnë.

Unë dëshiroj të falenderoj të gjithë përfaqësuesit e pushtetit vendor, të falenderoj forcat e policisë, të ushtrisë, të gjithë përfaqësuesit e shërbimeve të shëndetësisë dhe pa i përmendur të gjithë, kuptohet të gjithë ata që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë dhe jam i sigurtë që kushtet e diktojnë dhe do të vazhdojnë të punojnë me shumë intensitet. Ju e dini që sot është krijuar Komiteti i Emergjencës dhe kuptohet që ka një bashkëveprim dhe do të ketë një bashkëveprim intensiv i të gjitha strukturave të shtetit. Pra, në situata të tilla vëmendja shumëfishohet, shumëfishohet dhe është fokusuar pikërisht në këtë zonë. Unë isha në Shëngjin. Atje ka një problem të një natyre tjetër. Duket sikur situata akute ka kaluar. Natyrisht që do të ketë probleme që do të kalojnë me kalimin e ditëve, të javëve dhe të muajve. Këto janë çështje që lidhen me problemet e kullimit. Këtu është situata akute, e cila ka nevojë që të trajtohet me shumë realizëm. Gjërat nuk janë në dorë të fatit, tani janë në dorë të profesionistëve, të institucioneve dhe apeli më i rëndësishëm që unë dëshiroj të jap është ai që ka të bëjë me jetët e njerëzve. Të gjithë banorët e zonës kanë marrë apele nga autoritetet, kanë dëgjuar apele dhe nga specialistët e fushës, të cilët e njohin më mirë situatën, e dinë që situata do të vijë duke u përkeqësuar përsa i përket sasisë së ujit, i cili është i detyruar që të shtohet. Dhe ashtu sikurse ndodh edhe me ligjet e evakuimit të anijeve për paralelizëm kemi të bëjmë që fillimisht duhet të evakuohen fëmijët, gratë, të moshuarit dhe kuptohet që nëpërmjet komunikimit të vullnetshëm të banorëve me pushtetin vendor, mund të ketë kryefamiljarë që dëshirojnë të rrinë për momentin, por në të tilla raste nuk duhet të ketë voluntarizëm, sepse askush, qoftë dhe unë që po flas, që nuk jam specialist i fushës, do të bëja gabim në qoftë se do të mendoja ashtu siç mendoj, por duhet t’u referohem specialistëve, institucioneve që merren me këtë problem, pra gjërat të realizohen në kohë kur dihen gjërat se si do të vinë. Gjërat që realizohen në kohë janë gjithnjë më të mira. Pra, që të mos realizojmë evakuime në kushte të emergjencës ekstreme. Është një situatë emergjente, por kemi kohën e mjaftueshme që nën kujdesin e autoriteteve vendore, institucioneve të bëhet evakuimi. Ju bëj thirrje të drejtëpërdrejtë, shumë miqësore: vlerësojeni këtë moment, sepse sasitë e rreshjeve, apo sasia e ujit që vjen nga hidrocentralet është e tillë që do të vijë duke u shtuar. Ne jemi të bindur që duke u manaxhuar në këtë mënyrë, duke u strehuar njerëzit, duke pasur patjetër vëmendje edhe për bagëtinë, sepse fshatari e ka të lidhur paszgjidhshmërisht jetën e tij edhe me gjënë e gjallë dhe ndjeshmëria e tij është e tillë që nuk mund ta lerë gjënë e gjallë në mëshirën e fatit. Pra, duhet të ketë një organizim të tillë dhe patjetër që në situata të tilla kërkohet një solidaritet, solidaritet i cili kërkohet nga të gjithë. Kjo kërkon një solidaritet kombëtar, sepse shqetësimi i një zone është shqetësim për të gjitha zonat e Shqipërisë, kërkon një solidaritet njerëzor dhe institucional dhe patjetër mbi bazën e këtij solidariteti, kemi pasur dhe eksperienca të kaluara, ju do të dini të kaloni, të dilni nga kjo situatë dhe pas evidentimit të dëmeve, shteti do të bëjë të gjithë kompensimin e atyre pasojave që kanë ardhur natyrisht jo thjesht për faj të njerëzve.

Unë dëshiroj dhe një herë t’ju inkurajoj të gjithë pa përjashtim, sigurisht edhe median duke e falenderuar, dëshiroj t’i them që misioni i saj, sidomos në situata të tilla është i jashtëzakonshëm. Media duhet të dijë të përcjellë me realizëm për njerëzit që situata të tilla kanë nevojë gjithmonë për një informacion real, por të butë. Janë situate, të cilat vinë dhe do të përballohen. Këto zona pastaj në perspektivë kanë nevojë dhe ky do të jetë në vëmendjen e institucioneve specifike që merren me këtë punë, të gjitha këto zona do të kenë nevojë për një studim në vazhdimësi, sepse studime ka pasur. Nuk mund të themi që studime nuk ka pasur. Ka pasur studime parciale, do të ketë nevojë për studime integrale, sepse është zona me të cilën ne krenohemi përsa i përket ekosistemit, pasurisë ujore që fillon me liqenin e Shkodrës, vazhdon me Bunën, vazhdon me Drinin, vazhdon me të gjithë rezervuaret e hidrocentraleve, pra janë zona të cilat përgjithësisht të japin kënaqësi, por të japin edhe probleme. Pra, që të mos na japin probleme, por që t’i shfrytëzojmë vetëm për mirë, duhen studime integrale, veprime energjike, duke filluar me thellimin e shtratit të lumenjve, me thellimin e grykëderdhjeve, të deltës së lumenjve, me mbajtjen gjithmonë në funksion të hidrovoreve, me një kujdes të të gjithëve për pastrimin e kanaleve, sepse punojmë gjatë gjithë kohës për të bërë profilaksinë e një situate të tillë. Unë jam i bindur që të gjithë së bashku këtë situatë do ta kalojmë sigurisht me shumë seriozitet, me shumë impenjim, me shumë maturi, por në përfundim të fjalës sime dëshiroj të ripërsëris apelin mjaft njerëzor, mjaft miqësor për evakuimin e banorëve natyrisht në mënyrë të orientuar, siç do ta përcaktojë pushteti vendor, Komiteti i Emergjencave dhe të gjithë do të jenë të sigurtë për strehimin e tyre, por do të jenë të sigurtë edhe për sigurinë e shtëpive të tyre, sepse këto gjëra lidhen. Edhe një herë ju përgëzoj dhe ju falenderoj!”

Vizita e punës e Presidentit Topi në zonat e përmbytura u mbyll me një inspektim të digës dhe të argjinaturës së lumit Bunë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›