Kryetarja e Kuvendit i shpreh ngushëllimet familjes Gazidede.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Znj.Jozefina Topalli në mesazhin e ngushëllimit drejtuar familjes Gazidede shprehet:
Me hidhërim të thellë mora lajmin e ndarjes nga jeta të kolegut tonë të nderuar. Më lejoni që në këto momente të vështira të humbjes së njeriut më të dashur tju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të ndaj me ju dhimbjen e madhe për këtë humbje të parakohshme.
Me ndarjen nga jeta të Bashkim Gazidedes ju keni humbur bashkëshortin, babain shembullor e të përkushtuar ndërsa ne humbën intelektualin e shkëlqyer, profesorin e nderuar, politikanin e vendosur, një ndër nismëtarët që kontribuoi në ndryshimin e sistemit, deputetin e nderuar, zyrtarin e ndershëm, njeriun me integritet dhe kolegun tonë të paharruar.
Ai u nda nga jeta por ka lënë pas emrin dhe punën e tij për të cilat familja, miqtë dhe mbarë shoqëria do të krenohen e do ti jenë mirënjohës.
Edhe një herë më lejoni të shpreh hidhërimin e thellë për këtë humbje shumë të dhimbshme dhe t'ju gjendem pranë në këtë moment të vështirë."