E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit,Jozefina Topalli:Pjesëmarrje e grave në vendimarrje,çështje e së drejtës,çështje e emancipimit,çështje e demokracisë.

  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, mblodhi sot në mesditë, në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, gra deputete nga Parlamente të vendeve të Ballkanit ,nga Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Në fillim të këtij takimi, Kryetarja Jozefina Topalli, në cilësinë e mikpritëses përshëndeti deputetet mysafirë.
Ju falënderoj të gjithave që keni ardhur sot në këtë takim .
Për mua është një kënaqësi e veçantë, që në Kuvendin e Shqipërisë  të organizohet kjo Konferencë rajonale e grave parlamentare të rajonit.Unë falënderoj secilën prej zonjave deputete të ardhura nga Kuvendi i Kosovës,nga Bosnja Hercegovina,nga Maqedonia, Mal i zi, e vende të tjera .
Ndoshta  ky është takimi i parë i kësaj natyre, që organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, në salla të Kuvendit të Shqipërisë, në bashkëpunim me OSBE-në. Sot jemi  mbledhur të disktuojmë për një nga temat që trajtohet gjerësisht, një temë globale, një temë  e debatueshme në Shqipëri, ndoshta më shumë se asnjëherë tjetër. Këto kohët e fundit po veprohet konkretisht për të arritur një rezultat konkret për pjesëmarrjen e grave, jo thjesht në politikë, jo thjesht në vendimarrje, por duke nxitur një konkurencë të fortë të tyre brenda partive të tyre politike, brenda garës për zgjedhje në komuna, në Këshilla Bashkiakë dhe pse jo duke shpresuar që me ndryshimet në Shqipëri të Kodit Elektoral dhe me mundësitë që ofron sistemi i ri proporcional, të kemi një numër më të madh grash në parlament.
Pjesëmarrja e grave në vendimarrje në fakt, në nivele të një përfaqësimi më të lartë,  së pari është një çështje e së drejtës, së dyti është një çështje emancipuese, së treti është një  çështje e demokracisë. Po të shohim në të gjitha institucionet do të vërejmë me kënaqësi se, duke filluar që nga gjimnazet ku numri i vajzave është më i larte se numri i djemve, rezultatet e vajzave janë të shkëlqyera, rezultatet e tyre në  studime janë më të larta , sesa djemve. Po të vazhdojmë  me Universitetet,  numri i vajzave të reja është i kënaqshëm, i mrekullueshëm është rezultati i tyre.
Në administratë pjesëmarrja e grave ështe shume e lartë, rreth 50 %, në disa institucione ky numër po rritet.Vitet e fundit kemi një numër grash ambasadore, megjithëse ende  në numër të kufizuar une besoj se ato janë një inkurajim dhe një derë e hapur  për gra të tjera, që mund të jenë po ashtu ambasadore të shkëlqyera të vendeve përkatëse  në vende të tjera.
Unë këtu njoh disa zonja  të cilat i kam parë dhe  kam dëgjuar  në debatet e tyre, në institucione të ndryshme ndërkombëtare, në Këshillin e Europës, në OSBE dhe  dëshiroj të theksoj se jam ndjerë përherë krenare për diskutimin e tyre, për forcën e idesë së tyre, për forcën dhe fuqinë e fjalës së tyre dhe ky  besoj është një motivim i shkëlqyer për gra të tjera.
Kur një grua  që ka dëshirën  dhe vullntetin për të konkuruar bëhet deputete, hap një portë për çdo grua  tjetër.
Kur një deputete bëhet minister, kjo portë është hapur për çdo grua  tjetër  dhe, natyrisht, kur një grua është bërë Kryetare Parlamenti, hapet një derë e madhe për çdo grua që dëshiron të jetë në të ardhmen deputete  në parlament.
Personalisht une e kam ndjekur  çështjen e gruas, së pari  sepse   e kam ndjerë si detyrim, jo  thjesht politik. Unë besoj se përpara se të jemi politikane dhe të flasim si politikane, ne flasim si nëna, si bija, si motra. Kur flasim për pjesëmarrjen e grave, kam parasysh diçka; nuk është se ne gratë duke qenë në Parlament duhet ti bëjmë gjërat shumë më mire, nga sa i  kanë bërë  burrat. Nuk duhet të jemi hipokrite, nuk duhet të themi gjëra që në fakt nuk i besojmë në thellësi të shpirtit, por ajo që unë besoj realisht, është se duke qenë më shumë gra në Parlament, disa gjëra mund ti bëjmë ndryshe. Kur është fjala për fëmijët,  për  mbrojtjet e të drejtave të fëmijëve, më mirë se e bën nëna nuk  e bën asnjë njeri tjetër.Kur ështe puna për të mbrojtur gra në përpjekjet e tyre,  apo në bindjen e tyre, dhe kur ndaj tyre ushtrohet dhunë në familje, qoftë kjo ndaj nënës apo ndaj fëmijës, një grua i bën më të ndjeshme këto shqetësime sesa pjesa tjetër e shoqërisë. Kur është problemi  për rrezikun  ndaj të cilit ekspozohen nga njëherë fëmijët në shkolla apo në rrugë  ndaj drogës, shqetësim më të madh sesa kanë gratë, nënat, nuk e ka pjesa tjetër e shoqërisë. Une jam jashtëzakonisht e inkurajuar  sidomos kohët e fundit,  nga takime të ndryshme që kam bërë në disa qytete ,në Vlorë, Sarandë, në fshatrat e Fierit, në fshatra dhe në qytetin e Beratit për pjesëmarrjen e  madhe të grave në to.
Si politikane prej 15 viteve , deputete në të gjitha fushatat e mia partiake apo elektorale, në çdo sallë kam qenë gjithmonë e rrethuar me shumicën e të pranishmëve, burra. Ndoshta, sepse ne nuk kemi ditur të punojmë dhe ti motivojmë gratë për të qenë më tej pjesëmarrëse në këto aktivitete.
Jam ndjerë jashtëzakonisht krenare si grua,  e më pas si politikane, shumë e inkurajuar, që në takimet e fundit kam parë një pjesëmarrje jashtëzakonisht të kënaqshmë e aktive ,me dëshirë e vullnet të grave,  të cilat ishin të qarta që është çështje e së drejtës dhe demokracisë pjesëmarrja në vendimarrje, po aq të qarta se kjo duhet të vinte përmes konkurencës, përmes kontributit ,vlerave që zonjat mund të përcjellin.
Unë sjam prej atyre që mendojnë së ndonjëherë  duhet të besosh më shumë tek instikti i grave, se tek aftësia e burrave.Unë mendoj se gratë i kanë që të dyja këto shumë të forta edhe instiktin, arsyen, forcën e vullnetin dhe kurajon.Kur është puna për të drejtuar familjen gruaja është menaxherja më e zonja,më e vendosura,më e përcaktuara. Në fund të fundit shteti është një familje e madhe. Kur ajo di të menaxhojë shkëlqyeshëm familjen e saj, ajo di të menaxhojë po aq mire, po aq me vendosshmëri edhe punët e shtetit. Unë jam optimiste për disa arsye: së pari në Shqipëri ,Kosovë ,Maqedoni,Bosnje-Hercegovinë nuk është se shoqëria nuk pranon gra që të jenë në krye të punëve të shtetit. Është e rëndësishme që në Shqipëri kemi një grua në krye të grupit kryesor opozitar,kemi pasur gra Kryeministre,ministre të Jashtme ,ministre Integrimi,kemi gra që merren çdo ditë me çështjet e së drejtës,kryesisht  të fëmijëve,dhunës në familje,të problemeve të shëndetësisë. Një ndër format kryesore të cilat unë  kam shumë përzemër dhe që nuk hezitoj dhe e kam çështjen e parë të rendit të ditës .Në fakt ajo që është më thelbësorja është jeta ,në çdo takim unë ftoj gratë që të bëjnë kujdes për shëndetin e tyre dhe këtë nuk e them këtu për gra, për shëndetin e tyre ,por së pari si nënë sepse mendoj nëse nëna ka një problem shëndetësor cila është drama që jeton fëmija,cilat janë dhimbjet që e përcjellin atë në të gjithë jetën.Mua më vjen mirë që shumë deputete janë mjeke dhe që së bashku me ato në një forme deklarate, të gjitha bashkë, të dalin nga ky takim  e cila të jetë një ftesë për të gjitha gratë që të bëjnë kujdes për shëndetin,të bëjnë kujdes në luftën kundër kancerit.Një kujdes i veçantë duhet treguar për fëmijët, për ti larguar nga droga dhe për ti kthyer ata në shkolla pranë bashkëmoshatarëve të tyre dhe pse e kanë braktisur atë për arsye të ndryshme.  
Unë ju falenderoj.
Ju jam shumë mirënjohëse .
Ky është një aktivitet shumë i bukur i cili ka një domethënie shumë të madhe .Ky është një rast i shkëlqyer për të vazhduar një komunikim dhe për të krijuar nje traditë apo një lloj konference që të mblidhet në mënyrë periodike ,për të përcjellë mesazhe ,për të sensibilizuar opinionin publik për rëndësinë e gruas,për rëndësinë e saj, të qenit në vendimarrje dhe për ta parë këtë si çështje të së drejtës ,çëshjte të demokracisë,çështje të civilizimit.
Uroj që kjo konferencë të ketë sukses dhe ju ta ndjeni veten tuaj si në shtëpinë tua,j si në vendit tuaj.
Faleminderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›