E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit, mesazh urimi Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Barack Obama.Jozefina Topalli: Po ne mundemi!, Zoti President. Ky është besimi që Ju keni përcjellë te çdo qytetar i vendit Tuaj të madh, por edhe te çdo qytetar i kësaj bote.

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i dërgoi sot një mesazh urimi Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së , Barack Obama, me rastin e fitores së tij në zgjedhjet e 4 nëntorit, ku ndër të tjera i shkruan:
 
Sot është një ditë historike për  popullin amerikan. Amerikanët bënë zgjedhjen e tyre, për liderin që i besojnë. Duke votuar Barack Obamën,  amerikanët  bënë botën mbarë të  ndjejnë  dhe të kuptojnë përjetësimin e mesazhit të të madhit Martin Luther King : Unë kam një ëndërr!.
 
Ky është mesazhi  nga kombi lider që  beson dhe punon për vlerat reale e universale të lirisë e demokracisë, vlera promotore për gjithë njerëzimin,  sot më shumë  se kurrë, në këtë kohë të globalizmit.
 
 
Yes. We can! Po ne mundemi!, Zoti President. Ky është besimi
 që Ju keni përcjellë  te çdo qytetar i vendit Tuaj të madh, por edhe te çdo qytetar i kësaj bote. Ky  është një mesazh,  që ne shqiptarët e kemi përpirë, e kemi bërë tonin, e kemi besuar për vendin tonë, për angazhimin tone, për premtimin tonë. Ju keni inspiruar mbarë kombet. Po ne mundemi!.
 
Unë kam bindjen e plotë se në drejtimin Tuaj, SHBA do të vazhdojnë  në  rrugën  e miqësisë dhe të bashkëpunimit të shkëlqyer, rrugë  që e hapi Presidenti Willson dhe e vijuan të gjithë pasuesit e tij, të cilët gëzojnë përjetë  mirënjohjen  më të  thellë të kombit shqiptar.
 
Unë dua tJu siguroj se të gjithë shqiptarët mbeten të bindur, se do të  vazhdojnë  të gjejnë  tek SHBA,  mbështetësit më të vendosur të Shqipërisë në proceset integruese.
 
Urimet më të sinqerta për Ju, Zoti President, dhe përmbushjen e misionit Tuaj.

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›