E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit në Postribë, e ftuar në përkujtimin e kryengritjes së parë antikomuniste në Europë.Jozefina Topalli: Nuk ka krenari më të madhe sesa të jesh i pari në betejën e rrëzimit të komunizmit.

  Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli nisi ditën e parë, pas zgjedhjes së saj për një mandat të dytë në këtë detyrë, e ftuar në përkujtimin e Kryengritjes antikomuniste në Postribë, që shënohet e para në Shqipëri dhe Europë.
Përfaqësues të shtresave të të  përndjekurve politikë, familjarë e të afërm të viktimave përkujtuan këtë ngjarje historike, ku njerëzit e diktaturës vranë 21 burra e të rinj, pushkatuan 19 të tjerë dhe dhjetra persona të tjerë u burgosën e u persekutuan.
Për Kryetaren e Kuvendit, përkujtimi i kësaj dite është një emocion i veçantë dhe një krenari shumë speciale.
Gjatë këtyre ditëve, tha ajo, jam e sigurt që edhe ju keni ndjekur në media përkujtimin që i është bërë rrëzimit të komunizmit, fillimit të lëvizjes anti-komuniste në Europë, në Hungari, në Çeki. Në muajt e ardhshëm në fillim të nëntorit, një përkujtim i madh, një ngjarje e madhe dhe ceremoni e veçantë do të jetë rrëzimi i Murit të Berlinit.
Por, unë them se ne shqiptarët, ju nga Postriba jeni më krenarët nga të gjithë, pasi keni qenë të parët në rrëzimin e komunizmit. Keni qenë të parët që keni kërkuar lirinë. Keni qenë të parët për të sakrifikuar dhe ka qenë një sakrificë e madhe, një sakrificë me gjak dhe njerëz, sakrificë në jetë, sakrificë në sulmet që i bëheshin Postribës, Shkodrës, rrethit tonë pastaj për ta përcjellë e për ta rrezatuar me qëllim mbajtjen nën hijen e frikës, nën hijen e burgut të gjithë shoqërinë shqiptare, të gjithë shqiptarët.   Nuk ka krenari më të madhe sesa të jesh i pari në një betejë që është gati një betejë me të pamundurën. Nuk ka krenari më të madhe sesa të jesh pjesë e atyre familjeve që vërtet sakrifikuan, që vendosën jetën e tyre në themel të asaj që do të ishte liria e të gjithë shqiptarëve. Nuk ka krenari më të madhe për të gjithë familjarët që sot janë këtu të pranishëm, që kanë humbur jetën e familjarëve, të të dashurve, të baballarëve, të gjyshërve të tyre për të qenë këtu ku jemi ne sot. Po të mos ishin ata Shqipëria nuk do të ishte kjo që është sot. Nuk do ta kishin emrin shqiptarë dhe flamuri ynë nuk do ishte ai që është sot: flamuri më i bukur në botë.
Duke folur mbi sfidat e katër vjeçarit të ardhshëm, Kryetarja e Kuvendit theksoi se kjo legjislaturë nis në një stad më të lartë se ajo e katër viteve më parë. Ajo falënderoi çdo burrë, çdo grua, çdo vajzë e djalë të ri, që i kanë besuar projektit të Shqipërisë Europiane.
Asnjëherë skam qenë më krenare sesa kësaj radhe për zgjedhjet që shqiptarët zhvilluan me një maturi të jashtëzakonshme, tha Kryetarja e Kuvendit. Këto ishin zgjedhjet më të mira të këtyre dy dekadave, mandati më i fortë më i sigurtë që secili prej 140 deputetëve ka marrë si asnjëherë tjetër gjatë këtyre dy dekadave. Parlamenti më i vërtetë, Parlamenti me mandatin më të fortë dhe ne që jemi anëtarë të këtij Parlamenti vërtetë kemi privilegjin e madh që të jemi një ndër 140, por mbi të gjitha kemi përgjegjësinë e madhe për tiu përgjigjur çdo kërkese, çdo mendimi që secili prej jush ka pasur në momentin që ka hedhur votën dhe ka votuar për Partinë Demokratike.
Unë jam e sigurtë se ky katërvjeçar do të jetë një katërvjeçar i jashtëzakonshëm, por jam edhe një optimiste e madhe, si asnjëherë tjetër. Ndryshe nga katërvjeçari i parë ne po fillojmë në një orbitë tjetër, në një orbitë me rreze më të gjatë. Ne nuk fillojmë aty ku ishim, në një Shqipëri të zhytur në korrupsion, në një Shqipëri pa drita, pa rrugë pas asnjë prespektivë.
Ne fillojmë duke qenë në një Shqipëri anëtare të NATO-s. Ne fillojmë në një Shqipëri që për një periudhë kaq të shkurtër ka dyfishuar buxhetin. Ne fillojmë si një Shqipëri që ka imazh ndryshe. Ne fillojmë si një Shqipëri që kemi aplikuar për statusin e vendit kandidat të Bashkimit Europian. Ne fillojmë si një Shqipëri dhe si një mandat në të cilin prioritet i jashtëzakonshëm është të bëjmë të mundur që çdo djalë i ri, çdo vajzë e re, çdo student, çdo prind, çdo baba, çdo nënë të mund të lëvizë lirshëm për të parë familjarët, të dashurit e tyre. Ky është premtimi ynë dhe ne kemi ditur të tregojmë me vepra dhe jo me fjalë se ne i qëndrojmë fort asaj që themi.Edhe njëherë dua tju falënderoj dhe dua që së bashku me ju të përulem me repsekt të madh për ata që sakrifikuan dhe vunë jetën e tyre në themelet e kësaj lirie, të kësaj demokracie, të kësaj Shqipërie që ne gëzojmë sot.    
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›