Kryetarja e Kuvendit në çeljen e ekspozitës Nderim viktimave të komunizmit.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ishte sot e pranishme në çeljen e ekspozitës Nderim viktimave të komunizmit në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, organizuar nën kujdesin e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili mbajti fjalën e hapjes së kësaj ekspozite të veçantë.
Kryetarja e Kuvendit së bashku me Kryeministrin Berisha, me përfaqësues të shtresës së të përndjekurve politik, përfaqësues të Trupit Diplomatik, si ambasadorja e Francës, e Çekisë, Polonisë etj, si dhe personalitete të tjera të vendit vizituan ekspozitën në nderim të viktimave të komunizmit, me emrat dhe fotot e të persekutuarve nga kalvari komunist, të burrave, grave, djemve e vajzave të pushkatuar nga regjimi më i egër komunist.
Ekspozita e rrethuar simbolikisht me një gardh prej telash me gjemba sjell në kujtesë momente rrënqethëse të gjyqeve politke, të torturave çnjerëzore, të vrasjeve makabre në kufi, të ekzekutimeve dhe sakrifikimit të martirëve që aspiruan liri e demokraci.
Një ekspozitë e tillë hapet për herë të parë në mjediset e Muzeut Historik në ditën e kujtesës së krimeve të komunizmit.