Kryetarja e Kuvendit në fshatrat e Shkodrës, të rrezikuara nga përmbytjet: "Është shumë e rëndësishme që banorët të jenë bashkëpunues me forcat e mbrojtjes dhe të policisë, për tu larguar nga shtëpitë e tyre".
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjendet që prej ditës së djeshme në zonat e rrezikuara nga përmbytja në rrethin e Shkodrës, në fshatrat Shirgj, Bërdicë, Trush e Dajç, Obot e Samrish.
Kryetarja e Kuvendit e shoqëruar nga deputetja Arenca Trashani, Astrit Bushati dhe deputetët e tjerë të Shkodrës ka ndjekur nga afër, orë pas ore, situatën e banorëve të këtyre zonave, ka takuar përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe ka marrë pjesë në mbledhjet e Shtabit të Emergjencës, që është ngritur pranë Prefekturës së qytetit.
Kryetarja e Kuvendit në takimet me banorët e zonave të prekura u kërkoi atyre të bashkëpunojnë me forcat e rendit dhe të mbrojtjes, për tu larguar nga banesat e rrezikuara nga përmbytjet.
Kryetarja e Kuvendit tha se qëndrimi në këto banesa rrezikon seriozisht jetën e banorëve dhe u kërkoi atyre mirëkuptim për tu strehuar në hotele dhe konviktet e vëna në dispozicion dhe të pajisur me të gjitha kushtet.
Kryetarja e Kuvendit nëpërmjet linjës direkte telefonike për mediat televizive, nga zonat e rrezikuara, drejtoi këtë apel:
"Mund të them që nga mesnata edhe në këtë momente që unë jam në fshatrat e komunës së Dajçit, ka një rritje të nivelit të ujit, pamvarësisht faktit që koha është e mirë.
Mendohet se mund të ketë rritje të mëtejshme të nivelit të ujit në orët e ardshme.
Unë shoh që ka një angazhim të jashtëzakonshëm të forcave të ushtrisë, policisë dhe të shëndetësisë. Po përpiqemi të bindim banorët që të bashkëpunojnë më tepër me të gjitha forcat e policisë dhe ushtrisë.
Plani I evakuimit është gati, ndërkohë që shumë familje janë evakuar, por janë të tjera familje që rezistojnë dhe hezitojnë për tu larguar nga shtepia.
Unë shfrytëzoj valët e radiotelevizioneve për të ftuar banorët që të bashkëpunojnë me forcat e ushtrisë dhe të policisë, për tu larguar nga shtëpitë e tyre.
Shteti siç ka premtuar kryeministri Berisha, do të dëmshpërblejë çdo dëm të tyre.
Kjo është një situatë e rëndë, por masat janë marrë shumë kohë përpara dhe kjo nuk do të thotë, se ne nuk do të ndjekim çdo sekondë gjendjen, për të parandaluar dhe të prevenojmë situatën, e cila edhe mund të agravohet në ditët e ardshme.
Mund të ketë rritje të mëtejshme të nivelit të ujit dhe e rëndësishme është që në këto momente, banorët të binden dhe të mos u rezistojnë më, forcave të ushtrisë dhe policies, për të mos u larguar.
Është shumë e rëndësishme që ato të jenë bashkëpunues dhe ftesa jonë është që ato të largohen nga shtepitë. Kjo është ftesa nga pushtetit vendor dhe nga të gjitha strukturat e emergjencës.
I gjithë pushteti qendror është i organizuar, është në terren, fshat më fshat, duke marrë çdo masë të nevojshme.
Në qytetin e Shkodrës të gjitha hotelet , konviktet janë në dispozicion të familjeve, të fëmijëve, të gjithë atyre që do të largohen nga shtepitë e tyre për tu strehuar për aq sa do të jetë e nevojshme dhe, janë marrë të gjitha masat për nevojat që ata do të kenë.