E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inspekton zonën e përmbytur në Ishull Shëngjin, në Lezhë

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha, inspektoi sot edhe zonën e përmbytur nga batica e detit Adriatik në Ishull Shëngjin, në qarkun e Lezhës. Kryeministri Berisha vlerësoi se ndonëse jo e thjeshtë, situata po menaxhohet me eficencë. 
Kryeministri u njoh nga afër edhe me ecurinë e punimeve për ngritjen e digës që do të normalizojë situatën dhe do ta mbrojë këtë zonë nga rreziku i ngritjes së detit. Kryeministri vlerësoi përkushtimin dhe punën e madhe për ngritjen e digës në një kohë sa më të shpejtë të punonjësve të firmës ndërtuese dhe forcave të ushtrisë, të angazhuara në normalizimin e situatës.   
 
“Këtu po ngrihet një digë e re. Firma Pacani dhe ushtria kanë punuar me përkushtim të madh, pa ndërprerje, nuk kanë pasur një orë festë, por vetëm punë, për t’iu përgjigjur emergjencës së krijuar edhe këtu, pasi deti ka kërcënuar thellësisht këtë zonë. Prita që po ngrihet, - shihni sa afër janë shtëpitë - jep një mbrojtje të rëndësishme. Natyrisht kjo është pritë provizore, sepse një pritë e madhe përfundimtare do të ngrihet. Për të gjithë këtë zonë po bëhet një  projekt sëbashku me organizmat ndërkombëtarë, në mënyrë që të amortizohen të gjitha pasojat e ngrohjes globale dhe ngritjes së detit. Kështu që jo vetëm do e mbrojmë, por do të përpiqemi t’i marrim tokë detit, në të ardhmen. Rritja e detit ka gllabëruar lagunën,” tha Kryeministri.
 
I pyetur nëse 'dora e njeriut' mund të ketë dëmtuar ekosistemin,  Kryeministri Berisha bëri këtë koment:
 
 “Në këtë zonë nuk kam të dhëna, por në Tale është verifikuar që po. Dallga është dallgë, por është shumë e zorshme që njeriu të gjendet dorëjashtë. E vërteta është se është më e rralla që mund të ndodhë, por, natyrisht, dallga ishte shumë e fuqishme. Ajo ishte një shkak. Sidoqoftë qëndrime shumë të tjera do të adaptohen në mbrojtje të të gjithë vijës bregdetare, pasi ishte një paralajmërim i parë i madh. Se çfarë ishte, nuk u mor vesh, por një gjë është e sigurt se dallga ishte jashtëzakonisht e fuqishme dhe siç e patë, ka bërë dëme të mëdha. Në tërësi kjo situatë jo e thjeshtë po menaxhohet me eficencë. Forcat e policisë, të ushtrisë, repartet e xhenjos dhe reparte të tjera kanë qenë jashtëzakonisht eficence. Këtyre forcave u janë bashkuara edhe bordet e kullimit. Janë dy hidrovore dhe në tërësi kanë funksionuar. Kjo është një situatë që duhet ndjekur çdo orë dhe këtë nuk duhet ta harrojmë, pavarësisht se ka një status quo, por e vërteta është se lumenjtë e maleve janë jashtëzakonisht problematikë në motet e mëdha, pasi bëhen krejtësisht të paparashikueshëm. Nuk mundet imagjinata e njeriut të di se çfarë ndodh me një përrua që gjatë verës mund të humbasë edhe pikën e fundit të ujit dhe të shndërrohet në një lumë të tërbuar, që përmbyt zona të tëra. Ndaj gjatë kësaj periudhe dhe këtij dimri do të qëndrojmë shumë të gatshëm për të zvogëluar problematikën e krijuar. Pardje hapa televizorin të shoh lajmet dhe ç’të dëgjoj: lajm i mirë për qeverinë dhe lajm i keq për popullin. Thashë ç’po ndodh dhe cili ishte lajmi i mirë për qeverinë? Lajm i mirë se po bie borë dhe po bien prurjet dhe i keq për popullatën e veriut se po i bie borë. Këta të përmbyturit ishin gjela dhe jo njerëz.”05/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›