E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit pret ambasadorin rus Aleksander Prishepov në fund të mandatit të tij

Gjatë katër viteve të qëndrimit tim në Shqipëri kam parë një progres të jashtëzakonshëm. Nuk di një vend tjetër që të ketë arritur kaq shumë në kaq pak kohë.
Kështu u shpreh ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksander Prishepov gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, në mbyllje të mandatit të tij.
 
Ambasadori rus tha se ishte shumë i kënaqur që kishte shërbyer në Shqipëri, ku, siç u shpreh ai nuk u ndjemë aspak të huaj.
Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit falënderoi zotin Prishepov për kontributin që ai ka dhënë në çuarjen përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe veçanërisht për nxitjen e marrëdhënieve mes dy Parlamenteve.
Duke kujtuar katër vitet e kaluara në Shqipëri, ambasadori Prishepov vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve, veçanërisht në fushën politike dhe ekonomike kanë njohur zhvillim mjaft të mirë.
 
Ambasadori Prishepov dhe Kryetarja Topalli theksuan rëndësinë e nxitjes e shkëmbimeve ndërparlamentare dhe u shprehën optimistë për zhvillimin e marrëdhënieve edhe në këtë fushë duke pasur parasysh ndjenjat e simpatisë së ndërsjellë që ekzistojnë mes dy popujve.                      

Rusia është një faktor shumë i rëndësishëm politik dhe ekonomik në nivel global dhe unë dua tju falënderoj për vullnetin e treguar në këtë drejtim.
 
Në përgjigje të interesit të zotit Prishepov për situatën në qarkun e Shkodrës, Kryetarja e Kuvendit tha se tashmë momenti i vështirë është kapërcyer dhe jemi në fazën e post-emergjencës kur duhet të bëhet vlerësimi i dëmeve.
Gjithsesi, u shpreh zonja Topalli, Qeveria ka projekte të mëdha për zonën, të cilat përfshijnë jo vetëm projekte në infrastrukturë me qëllim parandalimin e përsëritjes së përmbytjeve, por edhe projekte që synojnë zhvillimin turistik të zonës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›