Kryeministri Berisha: Opozita le të marrë vendin që i takon në parlament
Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit të PD-së: Ata që kërkuan të thirret seanca e jashtëzakonshme nuk lejohen që të marrin pjesë në debatin për një fatkeqësi madhore natyrore. Unë mendoj se ky është një gabim shumë i rëndë, sepse manipulimi me fatkeqësinë, manipulimi me forcat madhore natyrore, është politika më kundër produktive, më e gabuar dhe më e zhveshur nga çdo lloj morali.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në fjalën e tij para deputetëve, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Zonja deputete, zotërinj deputetë!
Së pari, dua t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe t’ju uroj, të shpreh bindjen se ky sesion që nis sot, me veprimtarinë e tij, do të jetë përcaktues në disa zhvillime madhore historike për Shqipërinë dhe shqiptarët, për heqjen e plotë të vizave, vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e plotë të vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në mbarë hapësirën e Bashkimit Evropian. Do të jetë përcaktues në reformat e thella dhe të gjithanshme me të cilat do të bëjë të mundur, pas dorëzimit të pyetësorit, vendimin e favorshëm për procesin e mëtejshëm të integrimit në Bashkimin Evropian.
Këto të dyja janë objektivat më madhore të këtij sesioni për mazhorancën qeverisëse. Përmbushja e tyre kërkon që ne të vazhdojmë me vendosmëri reformat e gjithanshme ekonomike, politike, sociale, reformat në të gjitha fushat. Kërkon që ne, me vendosmëri dhe zero tolerancë të zhvillojmë luftën kundër korrupsionit, kërkon që me vendosmëri dhe me zero tolerancë të zhvillojmë luftën kundër krimit të organizuar dhe të kapim nivele të reja konsolidimi dhe suksesi në këtë luftë. Unë shpreh bindjen më të thellë se ne do të përmbushim me përgjegjësi të lartë, seriozitet të madh dhe dinjitet, detyrimet tona ndaj shqiptarëve dhe partnerëve tanë në Evropë dhe në botë.
Zonja dhe zotërinj deputetë!
Dua të falënderoj deputetë e Shkodrës, por edhe deputetët e zonave të tjera, të cilët ditët e para të vitit të ri dhe në vazhdim, i ndanë në mënyrë të pandërprerë me qytetarët e Shkodrës dhe të rrethinave, që përjetuan dhe akoma përjetojnë një ndër fatkeqësitë natyrore madhore, që kanë goditur këtë rreth. Fatkeqësia ishte shumë e rëndë. Shkodra dhe rrethinat përjetuan vërshimin e disa miliardë metër kub ujërave. Mbi dy miliardë metër kub ujë nga kaskada e Drinit, por pothuajse po kaq, të pa kuantifikuara nga lumenjtë e tjerë Kiri, Përroi i Thatë, Cemi, Moraça. Që të gjithë këta derdhen dhe ushqejnë liqenin e Shkodrës, që doli me lartësimin e ujërave të tij në disa lagje të qytetit.
Kjo përmbytje, masat e emergjencës të marra nga qeveria për të, do të jenë sot objekt i një debati të gjerë parlamentar. Seanca për këtë qëllim u thirr me kërkesë të opozitës, kërkesë të cilën unë personalisht e vlerësova, si një e drejtë dhe përgjegjësi e saj. Mbi bazën e kësaj kërkese, kryesia e parlamentit vendosi, në ndryshim nga programi që ishte për sot që të nisej me mbledhje komisionesh, të thërrasë seancën e jashtëzakonshme të debatit për gjendjen në rrethin e Shkodrës dhe rrethinat e saj.
Mirëpo, me një vendim zhgënjyes politik, ata që kërkuan të thirret seanca e jashtëzakonshme, nuk u lejuan dhe nuk lejohen që të marrin pjesë në debatin për një fatkeqësi madhore natyrore. Unë mendoj se ky është një gabim shumë i rëndë, sepse manipulimi me fatkeqësinë, manipulimi me forcat madhore natyrore, është politika më kundër produktive, më e gabuar dhe më e zhveshur nga çdo lloj morali.
Sidoqoftë, uroj që këto orë që kanë mbetur nga seanca, të jenë orë reflektimi, në interesin më të mirë të forcës politike që kërkoi seancën, por edhe në interesin më të mirë të shoqërisë dhe të vendit. Opozita le të marrë vendin që i takon në parlament. Deputetët e mandatuar nga Komision Qendror i Zgjedhjeve për votat që qytetarët e Shkodrës kanë vendosur mbi ta, duke votuar jo për maxhorancën, por për atë përqindje që kanë votuar për opozitën, gjykoj se, në qoftë se do të shtronim problemin në raport me kurajën qytetare, unë nuk mendoj se mund të gjejnë kurajë për të mos marrë pjesë në këtë seancë shumë të rëndësishme.
Zotërinj deputetë!
Për të gjithë problematikën e krijuar nga fatkeqësia natyrore në rrethin e Shkodrës dhe në rrethinat e saj, ne do të diskutojmë gjerësisht sot në seancën parlamentare. Unë dua ta mbyll këtë diskutim me një mirënjohje dhe me një falënderim të thellë në emër tuaj për qytetarët e Shkodrës, të cilët trajtuan këtë fatkeqësi madhore me një gjakftohtësi, me një përgjegjësi, me një qytetari të shkallës më të lartë, çka bëri të mundur që, e kombinuar kjo me ndërhyrjen eficente të organeve të qeverisjes vendore dhe qendrore, sot të ulemi në karriget tona në parlament pa asnjë humbje të jetëve njerëzore. Ndërkohë, vende të tjera me potenciale shumë më të mëdha se Shqipëria, me përmbytje të së njëjtës shkallë, të shkallës së dytë, numërojnë me dhjetëra e dhjetëra viktima dhe kjo, jo në vitin ‘60 apo ’70, por ekzakt në janarin e viti 2010.
Faleminderit!”
18/01/2010