E Diel, 1 Nëntor 2026

Salla e Byrosë parlamentare të Kuvendit merr emrin e Pjetër Arbnorit, Kryetarit të Parlamentit të Parë Pluralist të Shqipërisë.

Në përkujtim të 75- vjetorit të lindjes së Pjetër Arbnorit, politikanit, shkrimtarit, dhe humanistit të madh, emri i tij u përjetësua sot në Parlamentin e Shqipërisë, me emërtimin e sallës kryesore të mbledhjeve parlamentare, atë të Byrosë dhe Konferencës së Kryetarëve.
 
Nën kujdesin e Kryetares të Kuvendit, Jozefina Topalli u organizua një aktivitet i posaçëm në nderim të kësaj figure shumëdimensionale,  që gjithë jetën dhe veprën e tij ia kushtoi mendimit dhe fjalës së lirë, përpjekjeve për rrëzimin e diktaturës dhe demokracinë e Shqipërisë.
 
Bashkëshortja Suzana Arbnori, dy fëmijët Justinë e Filip, miq, bashkëvuajtës të burgjeve komuniste, deputetë, intelektualë, dhe studiues, morën pjesë në ceremoninë zyrtare të emërtimit të sallës Pjetër Arbnori.

Kryetarja e Kuvendit në hapje të aktivitetit tha: 

Ju e dini që kjo sallë ka qenë Byroja e Komitetit Qendror. Pjetër Arbnori ka qenë legjendë e rezistencës dhe anti-komunizmit ndaj dhe simbolika është jashtëzakonisht e fortë. Kjo sallë, ku dikur merreshin vendime kundër Pjetër Arbnorit dhe të gjithë atyre që spranuan kurrë komunizmin, sot ka emrin Pjetër Arbnori. Ai ishte një luftëtar i fjalës së lirë. Ishte një njeri me zemër të madhe dhe unë kam qenë jashtëzakonisht me fat që kam pasur mundësinë për ta njohur dhe për të punuar për tri legjislatura së bashku me zotin Arbnori, fillimisht si Kryetar Parlamenti dhe pastaj kemi punuar bashkë në ditë të vështira në kohën e opozitës.
Jam shumë e nderuar që si Kryetare e Kuvendit i ve emrin e Pjetër Arbnorit kësaj salle. Ishte një legjendë e rezistencës, ishte një luftëtar i paepur i fjalës së lirë, një shkrimtar i madh, një humanist i madh, një mbrojtës i të drejtave të njeriut si kurrkush tjetër, ishte Mandela i Shqipërisë. 28 vjet burg. 28 vjet të kaluara me një dinjitet të jashtëzakonshëm, për të cilin fëmijët do të jenë shumë krenarë. Por, edhe ne si shqiptarë jemi shumë krenarë.  
 

Kryetarja e Kuvendit tha se ka shumë dorëshkrime të tjera që zoti Arbnori ka lënë pa botuar dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë çmund për ti botuar ato dhe i dhuroi familjarëve përmbledhjen e botimit të fjalimeve të mbajtura në Parlament nga Pjetër Arbnori .
 
Bashkëvuajtësit e tij, intelektualë të dënuar dhe të persekutuar në kohën e komunizmit, e cilësuan Pjetër Arbnorin një ndër themeluesit dhe drejtuesit e vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare,  figurë e shquar jo vetëm politike, por një simbol kombëtar i pluralizmit dhe idhtar i fjalës së lirë.                                                             

Deputetët Fatos Beja, Mark Marku, Rajmonda Bulku, Adriana Gjoni, Leonard Demi kujtuan momente të paharrueshme të karrierës së Pjetër Arbnorit si deputet, si politikan, si simboli iI atësisë së legjislativit të parë pluralist të Shqipërisë, ku Arbnori u zgjodh dhe kryetari i parë i këtij Parlamenti.

Të pranishmit, miqtë, familjarët i shprehën mirënjohjen dhe falënderime të thella Kryetares së Kuvendit për nderimin e figurës historike të Pjetër Arbnorit, që iu bë sot në Parlamentin e Shqipërisë.
 
 
 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›