Presidenti Topi apelon për më tepër vëmendje ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara.

22 dhjetor 2009
Durrës
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi vizituan Qendrën Rezidenciale të Zhvillimit në Durrës, ku jetojnë e arsimohen fëmijë me aftësi të kufizuara. Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u pritën nga Kryebashkiaku i qytetit bregdetar, Vangjush Dako, nga Prefekti i Durrësit, Genc Alizoti si dhe nga deputeti Gazmend Oketa.
Në një atmosferë festive dhe të gëzueshme për fëmijët, Kryetari i Shtetit dhe Zonja e Parë shpërndanë dhurata për këta fëmijë, duke u shprehur atyre urimet më të ngrohta, të sinqerta e prindërore me rastin e festave të fundivitit. Një përshëndetje emocionuese për këta fëmijë u bë nga Presidenti Topi, i cili në mënyrë të veçantë apeloi shoqërinë shqiptare për më tepër vëmendje ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ndër të tjera Kryetari i Shtetit vuri në dukje: “Përshëndetjen e parë e kam për ju! Dëshiroj t’ju uroj gëzuar Festën e Krishtlindjeve dhe atë të Vitit të Ri! Padyshim që është një kënaqësi e veçantë që unë ndodhem në këtë Qendër. Ndjej një lloj sodisfaksioni, sepse shikoj një solidaritet të plotë human dhe institucional. Mesa duket kjo ka të bëjë edhe me një traditë të vjetër të qytetit të Durrësit, një qytet i lashtë, i cili të jep në mënyrë të qartë dhe shumë elokuente preferencën e vet të drejtpërdrejtë për mënyrën e komunikimit edhe me këtë kategori të veçantë të fëmiljëve, të cilët kanë probleme të karakterit ‘motor’. E them këtë, sepse shikoj këtu deputetin, shikoj Kryetarin e Bashkisë, shikoj Prefektin, shikoj njerëz të komunitetit, të cilët janë shumë solidarë me këtë kategori fëmijësh. Shikoj edhe këto kushte të mrekullueshme që janë krijuar dhe natyrisht kur krijohet ky lloj kombinacioni edhe profesionistët e kanë më të lehtë për të përdorur talentin e tyre për të rehabilituar në një kohë sa më të shkurtër fëmijët për t’i kthyer ata në gjirin e familjes biologjike.
Gjithmonë pragu i festave të jep mundësinë që edhe në mënyrë ceremoniale t’u drejtohesh në radhë të parë njerëzve në nevojë, por edhe fëmijëve dhe ky është një kombinacion që fati e ka sjellë që ne t’u drejtohemi me shumë dashuri këtyre fëmijëve, sepse mbi të gjitha këta kanë nevojë për një përkujdesje, për një klimë psikologjike që t’i bëjë ata të dalin sa më shpejt nga kjo jetë. Ata që e njohin më mirë profesionin e dinë që përkujdesja në radhë të parë është psikologjike. Pastaj vjen ajo profesionale që bën të mundur daljen nga hendikapi ‘motor’, lëvizës. Kështu që mund të thuhet që në Qendër përkujdesi është maksimal. Shteti ka bërë punën e vet, qeveria ka bërë punën e vet, pushteti vendor ka bërë punën e tij dhe që të gjithë së bashku le t’u urojmë këtyre fëmijëve në radhë të parë shërim të shpejtë, pastaj t’u urojmë gëzuar festat, kthim sa më të shpejtë në një gjendje normale lëvizëse dhe t’u kthehen mësimeve! Unë jam i bindur që edhe në pamje të parë këta fëmijë e ruajnë bazën e komunikimit. E rëndësishme është që të gjithë së bashku të bëjmë maksimumin që këta fëmijë të kthehen në një jetë relativisht normale.
Unë dëshiroj sot të jap një apel që të gjithë të marrin një lloj ekperience te kjo Qendër! Kuptohet jo në gjithë Shqipërinë fëmijët e kësaj kategorie kanë të njëjtat kushte. Por të gjithë së bashku duhet të japim impulse që fëmijët kudo që të jetojnë të kenë kushte normale për të përballuar, sepse kjo situatë sigurisht që rëndon tek familjarët. Ata kanë një ngarkesë shpirtërore, por kanë edhe probleme që kanë të bëjnë me rehabilitimin e këtyre fëmijëve. Kështu që jam i bindur që shteti, qeverisja qendrore do të bëjnë të pamundurën që kudo, në të gjithë Shqipërinë, kudo ku të ketë fëmijë me të tilla probleme të japin mundësitë që të rehabilitohen sa më shpejt dhe në kushte normale.
Edhe njëherë, pa u zgjatur dëshiroj të dashur fëmijë, të dashur edukatorë, të dashur prindër, të nderuar përfaqësues të institucioneve që keni krijuar këtë klimë kaq të ngrohtë për këta fëmijë, t’u urojmë këtyre fëmiljëve dhe të gëzojmë të gjithë së bashku Festën e Krishtlindjeve dhe Festën e Vitit të Ri! Gëzuar!”