E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë vizitojnë të moshuarit në Qendrën e Kavajës.

22 dhjetor 2009
Kavajë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi vizituan sot të moshuarit në Qendrën e Kavajës për t’u takuar me ta dhe për t’i uruar me rastin e festave të fundvitit.

Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, në prani edhe të Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Refik Rugia, Presidenti dhe Zonja e Parë u përshëndetën me të moshuarit, u interesuan për gjendjen e tyre shëndetësore, shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre. Në shenjë dashamirësie, respekti dhe përkujdesjeje, Kryetari i Shtetit dhe Zonja e Parë dhuruan për të moshuarit në këtë qendër dhurata për Vitin e Ri 2010 si dhe pajisje elektrike ngrohjeje. Në vijim ata kaluan së bashku disa momente të këndshme, ku morën edhe falenderimet dhe shprehjen e mirënjohjes prej banorëve të Qendrës Rezidenciale të Kavajës si dhe ndoqën me ta një koncert festiv të ekzekutuar nga grupi i valleve të qytetit.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të moshës së tretë të Qendrës për të Moshuarit në Kavajë, Presidenti Topi u shpreh:

“I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë së Kavajës,
I nderuar zoti Drejtor i Qendrës së të Moshuarve të qytetit të Kavajës,
Të nderuar zonja,
Të nderuar zotërinj,

Është një kënaqësi shumë e veçantë që ndodhem këtu midis jush sot. Kam ardhur me shumë dëshirë së bashku me bashkëshorten time për t’u përshëndetur me ju. Natyrisht që kjo ditë është shumë afër festave, festës së Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri 2010. Në të tilla ditë gëzimesh njerëzit rrinë më afër njëri-tjetrit dhe sidomos njeriu duhet të jetë shumë i ndjeshëm, duhet të jetë shumë i kujdesshëm që në festa të tilla të jetë pranë njerëzve në nevojë.

Sigurisht kjo Qendër e ngritur me kujdesin e shtetit dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe sigurisht dhe me qytetin e Kavajës që ndiqet si veprimtari nga Bashkia e saj ka bërë të mundur që në këtë Qendër të strehohen, të jetojnë një numër i konsiderueshëm të moshuarish. Zoti Kryetar i Bashkisë e tha me të drejtë që jeta e tillë vjen: njeriu lind, rritet, mëson, punon, angazhohet, jeta e përplas në kuptimin e vërtetë të fjalës në të gjitha drejtimet, dhe vjen një moment pastaj vjen mosha e tretë. Mosha e tretë është për të gjithë njerëzit, prandaj ka një kujdes të veçantë nga shteti, nga institucionet që të bëhet kujdes për këtë moshë, sepse mosha e tretë është mosha që ka natyrisht hendikapet e veta fizike. Edhe ne duhet të kujdesemi shumë për moshën e tretë, sepse kjo moshë ka kaluar padyshim shumë vështirësi në jetë, sidomos në kushtet që ka kaluar shoqëria shqiptare. Kjo moshë që korrespondon pikërisht me moshën që keni ju, është angazhuar në rininë e vet, në të gjithë moshën aktive të punës në kantiere, në fusha, në fabrika dhe ju e dini në ato kushte kur punohej shumë dhe fitohej pak. Ju keni punuar aq shumë dhe praktikisht jeta nuk ju ka dhënë asgjë. Këto kanë qenë kushtet, kur ne kemi rastin t’i kthehemi në këtë ditë festive për të parë se ku keni kaluar ju. Ju keni vuajtur shumë, e gjithë shoqëria shqiptare ka vuajtur shumë në kohën e izolimit. Sot kemi rastin që edhe pse mosha bën punën e vet që të përjetojmë ditë demokracie. Demokracia ka sfidat e veta, ka problemet e veta, ka hallet e veta se zhvillimi nuk vjen menjëherë. Por është shumë e rëndësishme që ju sot nuk jeni të braktisur. Shteti, institucionet e veta ju kanë marrë në kujdes.

Xhesti që ne bëjmë sot duke ju vizituar është një detyrim, është një detyrim që e ka çdo njeri që të vijë, t’ju shikojë dhe kuptohet që në momente festash njerëzit kanë rastin t’ju urojnë këto festa edhe në mënyrën më ceremoniale. Dhe ne dëshirojmë që ju të keni jetë të gjatë, të jetoni me njëri-tjetrin këtu, sepse jeta në komunitet jo gjithmonë është e keqe. Por në kushtet reale që keni ju, në kondicionet individuale që keni ju jeta në komunitet ju jep solidaritet me njëri-tjetrin, shkëmbeni biseda me njëri-tjetrin, nuk qëndroni në vetmi, keni një personel që ju shërben dhe patjetër keni dhe kujdesin e Bashkisë që herë pas here ju vihet në dispozicion.

Unë me këtë rast dëshiroj t’ju uroj festat, dëshiroj t’ju uroj shëndet, sepse tek e fundit e gjithë vëmendja shkon tek shëndeti, shëndeti është i pari. Ju uroj gjithashtu që të kaloni një pleqëri të mbarë! Gëzuar festat të gjithëve dhe urimet më të mira!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›