Kryetarja e Kuvendit u uron 7-8 marsin, mësuesve, vajzave dhe nënave
Tashmë një traditë, 7-8 Marsi i ka gjetur dyert Kuvendit të Shqipërisë të hapura për mësuese, shprimtare, artiste, biznesmene, nëna e gra nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë.
Teksa kanë ngjitur shkallët e Kuvendit, miket e veçanta të kësaj dite, u ndalën në komisionet parlamentare, në sallat e mbledhjeve, në mjediset ku çdo ditë debatohet e bëhen ligje.
Në një menyrë simbolike secila prej grave u bë pjesë e Kuvendit, që është shtëpia e të gjithëve.
Mikpritësja, Kryetarja e Kuvendit u uroi mbarësi e sukses në jetë, të gjithë vajzave, motrave dhe nënave, atyre që Zoti u ka dhënë madhështinë e amësisë, sepse nuk ka gjë më të shtrenjtë në këtë botë se nënat.
Në bisedat me të ftuarat Kryetarja e Kuvendit ndau me to gëzimin por edhe shqetësimet e përditshme, duke i inkurajuar fort për të mos u dorëzuar kurrë e për ti shndërruar historitë e tyre në histori suksesi.
Sallat e Kuvendit, të cilat e përditshmja i gjen të mbushura me debate, sot u shndërruan në salla ku tingujt e muzikës dhe zërat e mrekullueshëm të artisteve zëvendësuan për disa orë, diskutimet politike dhe mbushën atmosferën me pozitivitet.