Kryetarja e Kuvendit viziton segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash
Rruga Durrës-Kukës, gjiganti që bashkon kombin tonë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka parë dje nga afër punimet në aksin rrugor Rrëshen-Kalimash e shoqëruar edhe nga banorë të Rrëshenit.Kryetarja e Kuvendit tha se “Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë ndonjë kolos më të madh infrastrukturor”. Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit e ka cilësuar këtë vepër si një “gjigant që bashkon kombin tonë. Është një gjigant me një perspektivë zhvillimi ekonomik të Shqipërisë, i porteve të rajonit, për të cilin nuk gjej dot fjalë për ta përcaktuar realisht”.
E informuar dhe nga drejtuesit e këtij projekti, Kryetarja e Kuvendit tha se “Drejtori thotë se është projekti më i madh që kam pasur në 30 vjet të eksperiencës sime. Thotë se për atë ka qenë sfidë profesionale, kurse për ne shqiptarët ishte një objekt që mund të mendohej se mund të bëhej pas 20 viteve. Ndërkohë që është bërë në një periudhë kaq të shkurtër dhe me një intensitet kaq të lartë për t’u të bërë e mundur që të mbyllet në qershor”.
Duke pasur parasysh komentet e socialistëve lidhur me këtë vepër gjigante, Kryetarja e Kuvendit tha se “Në gjithë këtë bukuri, gjithë këtë kolos, ajo që të bën përshtypje është se, pavarësisht nga përpjekjet e kryetarit të bashkisë së Tiranës, me helmin që hedh, me llumin që përpiqet të lëshojë, me duart që i ka bërë gjithë baltë, sepse hedh vetëm baltë, çdo ditë, mbi këtë rrugë, mbi rrugën e bregut, mbi rrugët e tjera, më vjen në mend fjala se “Balta në shkëmb nuk nxen”, tha Kryetarja e Kuvendit. Duke vlerësuar impaktin pozitiv që ka pasur kjo vepër edhe në punësimin e qindra njerëzve, Kryetarja e Kuvendit tha se “Ky është një shkëmb në kuptimin e veprës, zhvillimit ekonomik. Është rasti unik ku punohet me këto ritme 24 orë në 24. Është një numër disa mijëra shqiptarësh që punojnë në këtë vepër”. Si rrjedhojë e kësaj, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se “Kjo ka sjellë zhvillim ekonomik. Rritje të ardhurash. Mbi 3 mijë punonjës punojnë këtu. Kjo është e paimagjinueshme”.
Menaxheri i projektit Michael Suinford, i cili shoqëroi dhe Kryetaren e Kuvendit gjatë inspektimit të ecurisë së punimeve të kësaj vepre tha se “Për mua është projekti më domethënës. Unë mund t’ju them se, në bazë të eksperiencës sime personale, ky është projekti më sfidues në të cilin unë kam punuar gjatë eksperiencës sime 30 vjeçare në ndërtim”.
Ai vlerësoi se “puna që është bërë këtu në Shqipëri është mahnitëse. Ky është projekti më i madh i këtij lloji ndërmarrë në këtë vend dhe në mbarë botën”.
Duke vlerësuar mbështetjen e palëkundur të qeverisë shqiptare deri në përfundimin absolute të kësaj vepre, Suinford tha se “Në radhë të parë ky projekt nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qeverisë. Pa pjesëmarrjen e tyre njëqind për qind ne nuk do të kishim përfunduar atë që kemi bërë këto 2 vjet”. Menaxheri i projektit, Michael Suinford, bëri të ditur se “ne kemi 3 800 njerëz, nga të cilët 60 për qind janë shqiptarë, që e bëri të mundur këtë. Ata punojnë 24 orë në ditë. 30 ditë në muaj”. Rruga Durrës-Kukës, shtrihet në 170 kilometra autostradë, me 2 tunele me nga 5.5 kilometra secili, 27 ura, më e gjata 360 metra dhe më e larta 80 metra. Punohet me ritmin maksimal, ashtu siç punohet me ritmin e ndërtimit të të gjitha rrugëve në Shqipërinë e shndërruar në një kantier gjigant ndërtimi.
...