E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takohet me Kryetarin e Parlamentit të Norvegjisë, Thorbjorn Jagland

Norvegjia mbështet liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe BE-së

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj në Oslo, u prit në një takim të veçantë nga Kryetari i Parlamentit të Norvegjisë, Thorbjorn Jagland. Jagland e siguroi Kryetaren e Kuvendit se vendi i tij do të mbështesë Shqipërinë në procesin e liberalizimit të vizave me BE-ne, dhe garantoi influencën në vendet e tjera të grupit të vendeve nordike si Suedisë, e cila merr presidencën e rradhës së BE-së në Korrik të këtij viti. I impresionuar nga zhvillimet e jashtëzakonshme që vendi ka pësuar këto 4 vitet e fundit, Jangland i shprehu Kryetares së Kuvendit impaktin që kishte pasur gjatë vizitës së tij në Shqipëri. 

“Kam mbetur shumë i impresionuar nga vizita ime e para pak kohëve në Shqipëri. Unë ju falënderoj për mikpritjen që më bëtë mua dhe delegacionit norvegjez në Tiranë. Në Shqipëri gjeta një vend me potenciale të jashtëzakonshme, një vend që po zhvillohet me dinamizëm dhe me nje klimë shumë të favorshme për investime”, tha Jagland.

Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit ftoi investitorët norvegjezë që të investojnë në Shqipëri, në një sërë fushash të rëndësishme si energjia dhe sektori ekonomik.

“Ejani dhe investoni në Shqipëri. Ne mirëpresim investimet norvegjeze në fushën e energjisë por edhe bashkëpunim më të gjerë ekonomik”, tha Kryetarja e Kuvendit. 

Duke parë në një spektër më të gjerë përafrimin e Shqipërisë me vendet e tjera të BE-së, Jagland theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe afrimi me Bashkimin Evropian janë tregues i një zhvillimi të shpejtë të Shqipërisë dhe ndikojnë në mënyrë të dukshme edhe në stabilitetin rajonal.

Norvegjia është furnizuesi kryesor i gazit në Evropë dhe një nga vendet me potencialin më të madh për sa i përket energjisë dhe bashkë me Suedinë bëjnë pjesë në vendet nordike me standardet më të larta ekonomike. Sfidat e ardhshme të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe roli i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në përballjen e këtyre sfidave, ishin gjithashtu pjesë mjaft e rëndësishme në bisedimet mes Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe homologut të saj Norvegjez, Thorbjorn Jagland.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›